Dr Yves Jeanrenaud, themeluesi i “Nearby Glasses”, i tha LBC-së se videot e filmuara me syzet Meta, ku ngacmoheshin gra të pambrojtura, e kishin “zemëruar dhe shqetësuar”.
Nga Flaminia Luck
Frika se mund të filmoheni pa dijeninë tuaj nuk kufizohet më vetëm te kamerat CCTV dhe kamerat e fshehta. Tani ajo mund të qëndrojë në heshtje në fytyrën e personit pranë jush në tren, përballë jush në rrugë ose pranë jush në një dyqan.
Ky është shqetësimi që krijohet nga Nearby Glasses, një aplikacion i krijuar nga Dr Yves Jeanrenaud, sociolog dhe profesor i Gjinisë dhe Diversitetit në Inxhinieri dhe Shkenca Kompjuterike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Osnabrückut. Ai e projektoi dhe ndërtoi aplikacionin për t’i paralajmëruar njerëzit kur pranë tyre ndodhen syze inteligjente që mund të kenë aftësi regjistrimi. Rritja e përdorimit të syzeve të teknologjisë së lartë ka patur reagime të ndrzshme, pavarësisht promovimit të tyre nga emra të mëdhenj, përfshirë Kylie Jenner dhe Jennie të BLACKPINK.
Pajisjet, të cilave në internet u është vënë nofka “syzet perverse”, kanë ngjallur frikë për mbikëqyrjen dhe kanë rikthyer në qendër të vëmendjes publike diskutimin mbi të drejtën për privatësi.
Për dikë, puna akademike e të cilit hulumton gjininë, diversitetin dhe teknologjinë dhe mënyrën se si këto fusha ndërthuren, pasojat konsiderohen të mëdha për t’u shpërfillur. Kjo e frymëzoi Dr Jeanrenaud të krijonte aplikacionin, i cili funksionon duke skanuar sinjalet Bluetooth pranë përdoruesit që lidhen me teknologji të përshtatshme të veshshme.
Kur zbulon një pajisje, në ekran shfaqet një ikonë kanarine, që në aplikacion lidhet me idenë e “kanarinës së garancisë”, që simbolizon mungesën e rrethanave që mund t’ju shqetësojnë. Kur kanarina largohet ose ndryshon, kjo nënkupton se rrethanat kanë ndryshuar.
Dr Jeanrenaud ndjeu detyrim të ndërmerrte veprime pasi u shqetësua veçanërisht nga videot e filmuara me këto pajisje gjatë kontrolleve të emigracionit dhe nga videot ku punonjës të salloneve të masazhit ngacmoheshin dhe viheshin në siklet. Këto pamje më pas u përdorën nga individë për të promovuar faqe për të rritur, si OnlyFans.
“Isha i shqetësuar dhe i zemëruar”, i tha ai LBC-së dhe vazhdoi duke shpjeguar se problemi nuk është thjesht fakti që njerëzit mund të filmohen, por se ata mund të mos kenë fare dijeni që po ndodh. “Sipas mendimit tim, sapo dikush nuk është në dijeni se po filmohet, kjo nuk është në rregull; megjithatë, nga pikëpamja ligjore, mund të jetë ende plotësisht e ligjshme në shumë vende.”
Ai ka frikë se ndikimi i kësaj teknologjie mund të jetë veçanërisht i rëndë për njerëzit që tashmë janë të pambrojtur. Gratë dhe fëmijët janë ndër ata që, sipas tij, mund të ekspozohen veçanërisht ndaj rreziqeve të regjistrimit të fshehtë dhe shpërndarjes së materialeve në internet. “Ndikimi i kësaj lloj teknologjie është më i rëndë nga sa mund ta imagjinojmë”, paralajmëroi ai. “Natyrisht, njerëzit thonë dhe do të thonë gjithmonë gjëra të këqija, por tani kjo përforcohet edhe nga teknologjia e madhe”, tha ai. Ky përforcim, i cili, sipas tij, mund të çojë në një klimë me edhe më shumë paranojë dhe mosbesim, është në qendër të shqetësimit të tij. Një veprim privat mund të shndërrohet në përmbajtje publike brenda pak sekondash. Diçka e regjistruar pa dijeninë e dikujt mund të arrijë potencialisht te mijëra, madje miliona njerëz. Pasi të jetë në internet, personi i filmuar mund të ketë shumë pak ose aspak kontroll mbi atë që ndodh më pas.
“Kjo lloj teknologjie na largon nga njëri-tjetri”, tha Dr Jeanrenaud. “Na ndan përmes këtij mosbesimi, i cili përforcohet kaq shumë nga një teknologji e tillë.” Ai argumenton se një shoqëri ku njerëzit duhet vazhdimisht të pyesin veten nëse po filmohen nuk favorizon autenticitetin dhe mund t’i bëjë njerëzit dyshues dhe të tërhequr.
Megjithatë, ai tregohet i kujdesshëm të mos paraqitet si një aktivist që udhëheq një kryqëzatë kundër syzeve inteligjente. “Nuk jam aktivist”, pranoi ai, duke e përshkruar Nearby Glasses si një “projekt anësor të specializuar”.
Dr Jeanrenaud është sociolog. “Unë studioj shoqërinë”, tha ai, “dhe pasojat që këto pajisje mund të kenë mbi sjelljen janë të dukshme”. Ai shqetësohet se kjo mund ta “normalizojë” gradualisht një shoqëri ku gjithçka që bëjmë regjistrohet. “Studimet kanë treguar se nëse po regjistroheni, kjo ndryshon sjelljen, ndryshon mënyrën se si veproni dhe mendoni”, tha ai.
Sipas tij, mundësia e mbikëqyrjes mund t’i bëjë njerëzit të sillen ndryshe edhe kur nuk kanë bërë asgjë të gabuar. Kjo frikë përforcohet nga mënyra se si përmbajtjet provokuese funksionojnë në platformat e mediave sociale, të cilat nxiten nga shikimet dhe angazhimi i përdoruesve. “Kjo lloj përmbajtjeje — e cila është krijuar për të turpëruar ose ofenduar — ka shumë gjasa të shpërblehet nga algoritmi”, tha Dr Jeanrenaud.
Ai e përshkroi filmimin e njerëzve që nuk janë në dijeni si një formë shfrytëzimi dhe beson se kjo mund të dëmtojë diçka më të thellë sesa privatësinë individuale. Sipas Dr Jeanrenaud, privatësia nuk duhet të varet nga fakti nëse një qeveri, platformë, kompani teknologjie apo përdoruesit e saj vendosin se njerëzit e meritojnë atë. Për të, privatësia nuk është thjesht çështje e të pasurit diçka për të fshehur. “Është e rëndësishme të kesh të drejtën për privatësi, të pavarur nga autoritetet, shteti dhe kompanitë teknologjike”, tha ai. “Por bëhet fjalë edhe për individët që i keqpërdorin ato. Para së gjithash, do të doja të shihja ndalimin e shfrytëzimit të grave dhe vajzave, kryesisht nga burrat, përmes regjistrimit të fshehtë të tyre.”
Nearby Glasses, i disponueshëm falas dhe me kod të hapur në Android dhe iOS, nuk mund t’i tregojë një personi nëse në të vërtetë po filmohet. Ai nuk mund ta parandalojë dikë që ta regjistrojë dhe nuk mund t’i zgjidhë çështjet më të gjera që lidhen me mbikëqyrjen dhe rritjen jashtëzakonisht të shpejtë të inteligjencës artificiale. Por ajo që mund të bëjë është t’u japë njerëzve një paralajmërim për praninë e syzeve inteligjente pranë tyre, në mënyrë që ata të vendosin vetë se si të reagojnë. Në një botë ku vëzhgimi po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm, kjo u jep viktimave të mundshme diçka gjithnjë e më të vlefshme: mundësinë për të zgjedhur dhe për të vepruar vetë.
Sepse ndoshta gjëja më shqetësuese për syzet inteligjente nuk është thjesht se ato mund të na regjistrojnë. Është fakti që ne mund të mos e dimë kurrë se kur po na regjistrojnë.
Në lidhje me ngacmimet, një zëdhënës i Metës tha: “Përmbajtja ngacmuese nuk ka vend në platformat tona. Po marrim masa të forta duke e hequr atë, duke ndërmarrë veprime ndaj llogarive që qëndrojnë pas saj dhe duke vazhduar të përmirësojmë e zhvillojmë mënyrën se si zbatojmë politikat tona, për të qenë një hap përpara kujtdo që i shkel ato.”
Në lidhje me privatësinë, zëdhënësi shtoi: “Njerëzit i përdorin syzet tona sepse janë vërtet të dobishme — për të dëgjuar muzikë, për përkthim në kohë reale ose për telefonata pa duar. Për ata që i mbajnë dhe për njerëzit përreth tyre, besimi ka rëndësi. Prandaj ne e kemi integruar privatësinë në syzet tona me inteligjencë artificiale që në fazën e projektimit.
Për shembull, çdo palë ka një dritë LED regjistrimi që pulson kur bëhet foto ose video që mund ta ruani ose ta shpërndani. Ajo nuk mund të çaktivizohet dhe, nëse dikush e mbulon ose e dëmton LED-in, kamera çaktivizohet.” Meta ka njoftuar gjithashtu se do t’i çaktivizojë nga distanca kamerat për të cilat beson se janë manipuluar.
Kompania ka dhuruar gjithashtu 15,000 palë syze Ray-Ban Meta falas për Vision Ireland — mjaftueshëm për çdo të rritur të verbër ose me dëmtim të shikimit që mbështetet nga organizata bamirëse.
Çfarë janë syzet Meta?
Syzet Meta janë syze inteligjente të zhvilluara nga kompania teknologjike Meta (ish-Facebook), në partneritet me markën e veshjeve dhe aksesorëve Ray-Ban. Ato bashkojnë teknologjinë e një smartphone-i me një palë syze. Ato kushtojnë nga 269 deri në 459 paund.
Në pamje duken si syze të zakonshme, por kanë një kamerë, altoparlantë, mikrofona dhe inteligjencë artificiale të integruar. Kjo u lejon përdoruesve të bëjnë fotografi dhe video pa përdorur duart, të dëgjojnë muzikë dhe të transmetojnë drejtpërdrejt nga pajisja.
Ky material mund të shkarkohet në pajisje të tjera, si telefoni celular, dhe më pas të ngarkohet në platforma të ndryshme dhe në internet.
Versionet më të reja përfshijnë Meta AI, e cila u lejon përdoruesve t’u bëjnë pyetje për atë që po shohin. Syzet përdorin kamerën, mikrofonët dhe lidhjen me internetin për t’u përgjigjur.
Kushtet e përdorimit të Metës i lejojnë kompanisë të ruajë, kopjojë dhe shpërndajë videot që përdoruesit ngarkojnë nga syzet, në varësi të cilësimeve të privatësisë.






















