Politika 19 June 2026, 12:38 Nga VNA

Ministri që kërkon transparencë nga të tjerët, por jo nga biznesi i familjes së tij

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-06-19 at 12.38.02 PM.jpeg

Kur ministri i Financave Petrit Malaj i tundte në Kuvend deputetit Agron Shehaj një dokument konfidencial të administratës tatimore, me synimin për të vënë në pikëpyetje transparencën e biznesit të tij, duket se kishte harruar të hidhte sytë nga bizneset e familjes së vet.

BDO Albania, kompania e lidhur me familjen e ministrit, rezulton prej vitesh në mospërputhje me detyrimet ligjore për transparencën. Raportet e transparencës, publikimi i të cilave është detyrim ligjor, janë ndërprerë në vitin 2022. Ndërkohë, deri më sot duhej të ishin publikuar edhe raportet pasuese, përfshirë ato të viteve 2023, 2024 dhe 2025.

Vetë Petrit Malaj ka qenë administrator i kompanisë, por nuk rezulton të ketë arritur të licencohet si auditues ligjor, ndryshe nga i ati dhe motra e tij, Besjana Doda. Që prej vitit 2024, ai mban detyrën e ministrit të Financave.

Në parim, vetë pozicioni i ministrit ngre çështjen e konfliktit të interesit me ushtrimin e profesionit të audituesit ligjor nga familjarët e tij. Besjana Doda vazhdon të ketë licencë aktive, por nuk rezulton të ketë deklaruar auditime të shoqërive publike që prej momentit kur vëllai i saj u emërua ministër i Financave. Mungesa e transparencës nuk lejon të kuptohet nëse ajo ka kryer auditime të subjekteve publike apo të shoqërive të lidhura me fondet publike.

Por aktiviteti i familjes jo vetëm që nuk është tkurrur, por përkundrazi është zgjeruar. Përveç BDO Albania dhe një kompanie tjetër të shërbimeve kontabël, në vitin 2025 është krijuar edhe një kompani për shërbime ligjore.

Ortakëria është krijuar me një kompani tjetër, e regjistruar në vitin 2023, e cila arriti të faturonte rreth 400 mijë euro vetëm gjatë vitit 2024. Në vitin 2025 ajo hyri në ortakëri me familjen e ministrit dhe tashmë rezulton me status pasiv. Shpejtësia me të cilën janë realizuar këto lëvizje dhe shumat e qarkulluara ngrejnë pikëpyetje që kërkojnë shpjegime.

Po ashtu vërehen edhe veprime juridike që transferojnë të drejtat mbi aksionet midis familjarëve. Në kushte normale, këto lëvizje do të duhej të shoqëroheshin me transparencë të plotë. Por me mungesën e organizuar të informacionit, si nga vetë familja ashtu edhe nga QKB, është e pamundur të nxirren përfundime.

Paradoksi është se ndërsa ministri i Financave kërkon transparencë nga të tjerët dhe përdor në debat publik dokumente konfidenciale të administratës që drejton, bizneset e lidhura me familjen e tij nuk kanë publikuar prej vitesh as dokumentet që ligji i detyron të bëjnë publike. Dhe kjo ndodh pikërisht në një periudhë kur aktivitetet e tyre janë zgjeruar dhe qindra mijëra euro të ardhura janë gjeneruar në kohë rekord.

Ndoshta përpara se të kontrollojë bizneset e të tjerëve, ministri i Financave duhet të nisë nga transparenca e biznesit të familjes së tij.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme