
Kapërcimet në shoqërinë shqiptare hera-herës xhelozojnë edhe metamorfozën e Franz Kafkës.
Deputetja e sapolarguar nga PS, Marjana Koçeku, tronditi rrjetet sociale pak ditë më parë, duke iu dërguar një mesazh Bajrave, një fisi të njohur për rekorde kriminale.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, – shkroi Koçeku.
Nëse gjysma e parë e mesazhit mund të konsiderohej si denoncim publik, pjesa e dytë është një kërcënim i hapur, që nuk i shkon kostumit të një ligjvënëseje: të përgjigjet me vetëgjyqësi.
Në të njëjtën ditë, fisi Bajri u përgjigj përmes avokatit të tyre, duke e sfiduar publikisht Marjana Koçekun se nuk kishte prova të ishte kërcënuar prej tyre.
Shumë pritën që pas postimit në rrjetet sociale, deputetja të drejtohej në polici apo në prokurori/SPAK, për të treguar rrethanat e një shantazhi të mundshëm.
Por kjo nuk ndodhi.
Nuk e bëri Koçeku, por e bëri fisi Bajri, me një sërë protagonistësh të arrestuar dhe me një mal akuzash mbi shpinë. Ata nuk përdorën në publik gjuhën që mund t’iu shkonte përshtat me profilin publik, por bënë atë që nuk bëri deputetja: shkuan në SPAK dhe e kallëzuan ligjvënësen për shpifje.
Kjo nuk përjashton mundësinë që deputetja të jetë kërcënuar, dhe as nuk çliron fisin Bajri nga dyshimet, ama tregon shumë se si sjellja ndaj institucioneve mund të rrisë apo të ulë në publik peshën e veprimeve dhe fjalëve të gjithëkujt.
Kur njeriu që paguhet për të bërë ligjet braktis institucionet dhe zgjedh gjuhën e Kanunit, me vetëdije apo pa vetëdije, pranoi se besimi i saj te policia dhe drejtësia është zero.
Nga ana tjetër, fakti që një grup me precedentë të theksuar kriminalë zgjedh rrugën ligjore, nuk tregon emancipim të tyre, por një manovër cinike dhe strategjike. Krimi i organizuar ka kuptuar se instrumentet e drejtësisë mund të përdoren si mburojë publike dhe si armë për ezaurimin e kundërshtarëve. Kur krimi vishet me petkun e procedurës ligjore dhe deputeti me xhaketën e vetëgjyqësisë, rregullat e lojës shoqërore kanë rënë.
Ironia arrin kulmin te dera e SPAK-ut. Një institucion i krijuar për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë, e gjen veten në mes të një paradoksi ku:
Zyrtari i lartë (deputeti) refuzon t'i drejtohet, duke zgjedhur "gjyqin publik" dhe kërcënimin personal.
Subjekti i krimit të organizuar nxiton të trokasë në dyert e tij, duke kërkuar mbrojtje nga "shpifjet" e pushtetit.
Në fund, kjo "metamorfozë" shkodrane dhe shqiptare nuk është thjesht letrare. Ajo është dëshmi e një tranzicioni të mbrapshtë, ku askush nuk qëndron më në rolin që i ka caktuar kushtetuta: as ai që duhet të mbrojë ligjin, dhe as ai që akuzohet se e ka shkelur atë.






















