
Ish-ministri gjerman, Michael Roth, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe, Snezana Paunovic, e cila ka thënë se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” që në vitin 1998.
Roth e ka cilësuar deklaratën si të trishtueshme dhe frustruese. Sipas tij, është gjithashtu absurde që nuk ka pasur reagim nga politika dhe shoqëria serbe, ndërkohë që Serbia aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
“Një ministre serbe fantazon hapur për ‘spastrimin etnik’ të Kosovës. Dhe pothuajse nuk ka asnjë kundërshtim në politikë apo në shoqëri.
Si është e mundur që një vend të anëtarësohet në BE në këtë mënyrë? Urrejtja dhe nacionalizmi nuk ndërtojnë partneritet. Kjo është thjesht e trishtueshme dhe frustruese”, ka shkruar Michael Roth.
Deklarata e ministres serbe, Snezana Paunovic, ka ngjallur reagime të shumta në Tiranë dhe Prishtinë. Politikanë shqiptarë kanë kërkuar shpalljen e saj "non grata" dhe u kanë dërguar letra informuese selive diplomatike.






















