
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka festuar në një tubim në Bari rekordin e qeverisë së saj, e cila me 1,413 ditë në detyrë është bërë ekzekutivi më jetëgjatë në Itali që nga Lufta e Dytë Botërore.
Meloni ndau arritjen me mbështetësit e saj në qytetin jugor italian, pasi qeveria që ajo drejton tejkaloi rekordin e mëparshëm të vendosur nga qeveria e dytë e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi në vitin 2005.
Në fjalimin e mbajtur para mbështetësve, kryeministrja bëri edhe një bilanc të gati katër viteve të saj në drejtimin e vendit, duke u ndalur te fondet europiane, ekonomia dhe roli që, sipas saj, Italia ka fituar brenda Bashkimit Europian.
“Ata thoshin: me të djathtën në qeveri, Italia do të humbasë miliarda; ata nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë detyrën. Jo vetëm që nuk kemi humbur asnjë euro, por e kemi përshtatur PNRR-në sipas nevojave reale të këtij kombi, dhe pas dekadash ku Italia kishte mbetur prapa në shpenzimin e fondeve evropiane, ne kemi qenë vendi kryesor në Evropë për sa i përket shpenzimeve për planin e rimëkëmbjes pas pandemisë dhe kemi dhënë një shembull për pjesën tjetër të Evropës”, deklaroi Meloni.
Kryeministrja u ndal gjithashtu te pozicioni i Italisë në Bashkimin Europian, duke kujtuar rezervat me të cilat qeveria e saj ishte pritur nga disa kryeqytete europiane pas ardhjes në pushtet në tetor 2022.
Meloni veçoi politikën e migracionit, duke pretenduar se qëndrimet e saj, dikur të kritikuara në Europë, tashmë janë reflektuar në legjislacionin europian.
“A ju kujtohet se si, për vite me radhë, na u tha se qëndrimet tona mbi migracionin ishin të papranueshme, se ato ishin jashtë kornizës së kulturës ligjore evropiane? Epo, unë mund t’ju informoj zyrtarisht se sot ato qëndrime janë ligj evropian dhe për këtë arsye janë pjesë e kulturës ligjore evropiane”, tha Meloni.
Gjatë tubimit nuk mungoi as një moment personal. Teksa u drejtohej mbështetësve, Meloni u ndërpre nga një telefonatë e vajzës së saj nëntëvjeçare, Ginevra.
“Ishte vajza ime, më falni”, u shpreh ajo pasi mbylli telefonin, duke shtuar me humor se e bija e kishte telefonuar tri herë.






















