Politika 15 Shkurt 2025, 16:15 Nga VNA

Media greke: Nga Shqipëria në Gaza, ja megaprojektet e Jared Kushner

Ndaje në Whatsapp
Media greke: Nga Shqipëria në Gaza, ja megaprojektet e Jared Kushner

Media greke raporton se Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe ish-këshilltar i Shtëpisë së Bardhë, po ngjall polemika me projektet e tij ambicioze të investimeve. Sipas raportimeve, Kushner synon të shndërrojë zona të ndjeshme, nga Shqipëria deri në Gaza, në qendra turistike dhe zhvillimi, duke shkaktuar reagime të forta si në aspektin politik ashtu edhe në atë mjedisor.

Jared Corey Kushner ka lindur në vitin 1981 në New Jersey dhe vjen nga një familje e pasur hebreje sipërmarrësish të pasurive të paluajtshme. Ai u diplomua në Universitetin e Harvardit me një diplomë në sociologji dhe vazhdoi në Universitetin e Nju Jorkut, duke fituar diploma në drejtësi dhe administrim biznesi. Në moshën 25-vjeçare bleu gazetën New York Observer, duke marrë përsipër edhe drejtimin e biznesit familjar, Kushner Companies.

Në vitin 2009, ai u martua me Ivanka Trump, vajzën e Donald Trump, dhe më vonë shërbeu si këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, duke u fokusuar në çështjet e politikës së jashtme, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Pas largimit nga politika, ai u rikthye në botën e biznesit, duke themeluar kompaninë investuese Affinity Partners, përmes së cilës promovon projekte në nivel ndërkombëtar.

Propozimi për Gazën që shkaktoi një protestë globale

Donald Trump shkaktoi një bujë të re me propozimin e tij për ta kthyer Gazën në një vendpushim luksoz bregdetar, duke e krahasuar atë me Monakon. Kjo ide solli përsëri në plan të parë deklaratat e mëparshme të Jared Kushner, i cili në të kaluarën i ishte referuar potencialit të madh investues të Gazës nëse popullsia e saj do të zhvendosej.

Në një ngjarje në Harvard në vitin 2024, Kushner kishte deklaruar se zona mund të fitonte vlerë të lartë ekonomike nëse do të kontrollohej ndryshe. Megjithatë, ky propozim shihet si jashtëzakonisht provokues, pasi përfshin çështje gjeopolitike dhe humanitare, ku organizatat e të drejtave të njeriut e dënojnë atë si një plan për "spastrim etnik".

Reagimet dhe pengesat ligjore

Komuniteti ndërkombëtar reagoi ashpër ndaj deklaratave Trump-Kushner. Autoriteti Palestinez dhe Hamasi e quajtën propozimin të papranueshëm, ndërsa Riadi hodhi poshtë çdo plan për të zhvendosur me forcë palestinezët. Ekspertët ligjorë theksuan se çdo veprim i tillë do të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe Konventat e Gjenevës.

Në të njëjtën kohë u shfaqën edhe çështje pronësie. Statusi ligjor i pasurive të paluajtshme në Gaza është kompleks, pasi bazohet në traditat ligjore osmane, britanike dhe jordaneze, gjë që e bën të vështirë çdo përpjekje për ndërhyrje të jashtme pa negociata të gjera.

Planet në Ballkan

Kushner nuk kufizohet vetëm në Lindjen e Mesme, ai po e zgjeron aktivitetin e tij të biznesit në Ballkan, me investime në Shqipëri dhe Serbi. Në Shqipëri Kushner planifikon të zhvillojë një kompleks turistik luksoz, duke investuar kapital nga Arabia Saudite dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme. Projekti, i vendosur në një zonë të pacenuar bregdetare me vlera të larta mjedisore, ka ngjallur reagime nga organizatat mjedisore të shqetësuara për shkatërrimin e ekosistemit.

Në të njëjtën kohë, ai e ka kthyer vëmendjen edhe në Beograd, ku është planifikuar ndërtimi i një hoteli luksoz dhe kompleksi rezidencial, në bashkëpunim me qeverinë serbe. Projekti, me një buxhet prej 500 milionë dollarësh, pritet të financohet nga fondet e investimeve nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.

Analistët nuk mund të injorojnë dimensionin e thellë politik të planeve të Kushner. Me lidhje të forta me administratën Trump dhe marrëdhënie të ngushta me vendet arabe, ata besojnë se investimet e tij u shërbejnë jo vetëm interesave të biznesit, por edhe strategjive gjeopolitike.

Pavarësisht deklaratave ambicioze, si propozimi i Gazës ashtu edhe megaprojekti në Shqipëri përballen me sfida serioze. Paqëndrueshmëria në rajonin e Lindjes së Mesme e bën të pasigurt çdo investim në Gaza ndërsa në Shqipëri reagimi mjedisor mund të vonojë apo edhe anulojë projektin.

 

Lexo gjithashtu

Video

Në një punishte në Shkodër, arti shekullor i maskave veneciane merr jetë nga duart shqiptare. Historia e Edmond Angonit rrëfen një rrugëtim mbi 30-vjeçar, nga emigrimi në Venecia te krijimi i mbi 1700 modeleve unike. Maskat e tij kanë kaluar kufijtë, duke u shfaqur edhe në filmin “Eyes Wide Shut” të vitit 1999. Një dëshmi se përkushtimi dhe puna e dorës e kthejnë pasionin në art të pavdekshëm. Burimi: TRT Balkan

Për herë të parë pas 70 vitesh, lumi Danub ka ngrirë plotësisht në Vjenë . Temperaturat ekstreme të ulëta kanë krijuar pamje të rralla dimërore, duke e shndërruar lumin më të madh të rajonit në një panoramë spektakolare akulli. Vala e zgjatur e të ftohtit ka përfshirë Hungarinë dhe gjithë Evropën Qendrore prej ditësh. Siç shihet edhe nga pamjet, Autoriteti i Lumenjve në Vjenë ka ndërhyrë me një anije akullthyese për të hapur një kanal të lundrueshëm, duke garantuar sigurinë dhe qarkullimin e trafikut ujor. Hera e fundit që Danubi ishte ngrirë plotësisht ishte në vitin 1954.

Mesazhi i Salianjit nga Lezha: Bashkimi i demokratëve duhet të jetë i vërtetë dhe jo në funksion të privilegjeve të drejtuesve të PD-së

Kur ti mendon se je duke bërë kompliment

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme