
Gjatë kohës që shkruante një pjesë teatrale për punën dhe zanatet, Vladimir Dodën e pushuan pa paralajmërim nga puna në Teatrin “Migjeni”. Ai prezantoi së fundi premierën e shkëlqyer “Modus operandi”, e vënë në skenë nga artistë në pozita të brishta, por kritikë për çfarë ndodh me tregun e punës në Shqipëri.
Gjatë kohës që shkruante një pjesë teatrale mbi punën dhe zanatet, Vladimir Dodën e pushuan nga angazhimi si aktor në Teatrin “Migjeni”. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës e priti në audiencë, bashkë me shefen e kulturës. “Je i mërzitur?”, e pyetën ata. “Jo, jam i papunë”, u tha ai. “Mos e merr personale!”, i thanë ata.
Mos e merr personale është bërë sport kombëtar në Shqipëri. E luajnë të gjitha nivelet, nga miku i gotës tek kryeministri i vendit. Loja konsiston në moskuptimin dhe zhveshjen nga ndjeshmëria të atij që e thotë dhe në shterimin e dëshirës së atij që ia vënë ngushëllimin si gurë kurrizit. Nëse mirësjellja nuk t’i ka lidhur këmbët, je në kohë t’i ikësh lojës sadike, për mos të dëgjuar më nga repertori i mëshirës për një të papunë: “avash avash!”, “e mo, hë, mbyllet nji portë, hapet nji tjetër”.
Hedhja në rrugë
E kam ndjekur aktivitetin e Vladimir Dodës që kur u kthye në Shqipëri, për të punuar në Teatrin e Shkodrës dhe për të jetuar në qytetin e tij, Lezhë. Në këta muajt e fundit do shihja si do t’i përgjigjej ai situatës së re, papunësisë, ankthit, tronditjes së vetëbesimit, po dhe solidarizimit të miqve dhe dyshimeve që hidhen në rrjete, bashkë me të tjera që vijnë pas kësaj.
Vladi, siç e thërrasin, ka kryer studimet në Arte dhe Shkenca të Spektaklit, në Universitetin “La Sapienza”, në Romë. Është stërvitur dhe ka punuar me një aradhë profesionistësh italianë të nivelit të lartë në teatër dhe kinema. Sikur asnjë prej këtyre brandeve të dijes e kulturës të mos ekspozohej në curricula-n e jetës së tij profesionale, do mjaftonte loja si aktor dhe puna si skenarist në docufiction-in “Neverland” (2019) me regji të Erald Dikës (Grand Prix në Poitiers Film Fest – Francë, Dokumentari më i mirë në First Steps Award Berlin). Portretizimi që Vladi ka dhënë aty, bashkë me atë faccia të Mateo Çilit, si pjesë e një lloj malavita të Laçit, e ngjashme në shumë borgata në veri dhe jug të Shqipërisë gjatë 1997-ës, janë nga prurjet më me vërtetësi që kam parë në ekran nga artistët shqiptarë. Ai moment më bëri ta ndjek në vazhdim punën e tij.
Me teatrin e Durrësit realizoi “Princesha nga Dyrrahu” si dramaturg, regjisor, aktor dhe rezultoi që ai e njeh dhe e aplikon saktë dhe pastër commedia dell’ arte-n, një formë teatri që ia përmendin emrin shumë teatrantë në vend, por pak e njohin. Pas maskave, ekzagjerimit dhe satirës është dikush si Vladi, që e nuhat në erë natyrën e shoqërisë së sotme. Nuk është çështja e formës që ai zgjedh, sesa e domosdoshmërisë për atë që ka për të thënë, që shkon kundër frymës së teatrit të poltronit dhe divanit që gajas publikun. Nëse një aktori të Teatrit Kombëtar, një ditë i vjen të bëjë regjisorin për shtëpiakë të dëshpëruar, Vladi shkon e zgjedh një pjesë si “Muratori”, që e përkthen vetë, bën regjinë, koncepton hapësirën dhe kostumet dhe në njërën nga skenat, ia del të të japë gjithë çfarë prisje nga teatri në një natë.
Viktor Doda dhe Lodedana Gjeçi në skenë. Foto: Elsa Demo.
Ai është atlet me aftësitë që ka, për ta njohur teatrin në kuptim, ndjenjë, dramaturgji, përkthim, përshtatje, punë laboratori. Po ashtu, është për t’i veçuar punën edukative dhe motivuese që ka bërë me të rinjtë në Shkodër si nismë e Teatrit “Migjeni” dhe në Lezhë, me organizata të pavarura që punojnë për komunitetet. Ka realizuar “Swing mood”, “Mede(a)t” apo “Ri-Edukimi i Apolonit”, dy të fundit krijuar nga kurset për teatër social. Kam ndjekur njërën prej tyre në Lezhë. Këto janë punime origjinale, me vëmendje ndaj realiteteve më ekstreme dhe lagjeve periferike me një kontekst social të varfër. Të rinjtë prekin një anë teorike të historisë së teatrit dhe principeve bazë të skenës, bëjnë improvizime dhe tentativa shkrimi apo “rishkrimi” të miteve, intervistojnë njerëz dhe mbi atë prurje ndërtohet teksti. Vladi mendon se, në një kontekst si Lezha që s’ka pasur ndonjëherë teatër dhe ku rrallë shihet ndonjë aktivitet amator, “brezat e rinj duhen nxitur të shtrojnë vazhdimisht pyetje në mënyrë që argumentet mos të trajtohen si sensacion apo me qasje aktivizmi ekstrem. S’është në qëllimin tim të ndikoj tek të rinjtë që të bëhen integralistë të një ideje a mendimi, qoftë kjo edhe metoda ime e mësimdhënies, përkundrazi”.
E dija që kishte filluar të punonte për një projekt të ri teatror, “Modus operandi”, të financuar nga Ministria e Kulturës. Projekt, kjo shpikje jopunësimi. Ndjehet menjëherë kur një produkt kulturor vjen era “projekt”, ndjehet paqëndrueshmia, nënshtrimi ndaj narrativave, ndjehet rëndesa e diktaturës të tatimit 15 përqind (edhe shkrimi që jeni duke lexuar do tatohet 15%). Projekt do të thotë komodifikim, trajtim i ideve, pasionit dhe realizimit artistik si të ishin mall i thjeshtë që shitet dhe blihet. Politikat kulturore në Shqipëri nuk kanë lëvizur gishtin, as ia kanë vënë veshin sugjerimit të shoqatave nga Skena e Pavarur për negociimin e kësaj tarife, që i mbahet cilitdo krijuesi të pavarur dhe që shteti nuk ia kthen mbrapsht në ndonjë formë siguracioni apo asistence.
Dija që Vladi do të bënte një tekst për punën dhe zanatet dhe që kishte filluar intervistat në terren, në Qarkun e Lezhës kryesisht, por as ai nuk e dinte, se do të ishte një regjisor i papunë që do bënte një shfaqje mbi punën.
Ai tregon për BIRN-in se, ngacmimi për punën i ka ardhur disa vite më parë, duke parë vrullin fals të ekonomisë, “mënyrën tepër të stisur të propozimeve për modele suksesi, të start-up-eve, dhe gjërave të reja që sugjeroheshin dhe hapeshin në media si ndërmarrje të të rinjve. Shikoja përreth gjithë këto novitete dhe gjithë këta njerëz, ndërkohë që Lezha ka pabarazi të madhe, mes një pjese shumë të pasurish dhe një pjese që mbijetojnë. Kështu lindi kurioziteti për të parë me çfarë zanatesh mbijetonin këta njerëz, për të bërë një kërkim mbi zejtaritë, pastaj të rikthehesha në mënyrat e jetesës apo të krijuarit një ekonomi, që janë shpikur vitet e fundit”.
Siç shihet, ai ka reflektuar me kohë për komercializimin e shpejtë të ekonomisë së vendit, për thellimin e pabarazisë midis grupeve sociale dhe zmadhimin e një grupi shoqëror që ka humbur përkrahjen shtetërore duke rënë në prekariat, që është një gjendje pasigurie materiale dhe psikologjike, e cila ka përfshirë një komunitet profesionistësh, me shumë artistë në mes tyre. Në Perëndim ka dy dekada që diskutohet shkencërisht mbi prekariatin. Kush do, mund të ndjekë në youtube ligjëratat e ekonomistit britanik Guy Standing, i cili ka analizuar fenomenin e kësaj klase të re, që po i shtohet shoqërisë moderne. Kjo klasë ka një nivel formimi shumë më të lartë, sesa punët që bën dhe në kushtet ku i bën. Mund të kërkohet libri i këtij studiuesi “The Precariat: The New Dangerous Class”, ku propozohen të ardhurat bazë si një zgjidhje për adresimin e problemit.
Të punosh pa sigurinë e një kontrate afatgjatë, do të thotë të jetosh pa stabilitet mendor dhe emocional, që vjen dhe bëhet një gjendje krize ekzistenciale, e cila lëkund raportet që e mbajnë njeriun në një realitet koordinativ, ndikon kuptimin për jetën, perceptimin për veten, aftësitë individuale, familjen, miqtë, të cilët, ndryshe nga ai që është në prekariat, kanë një rrogë bazë, që shpesh e marrin si privilegj të mirëqenë, madje ndodh që, kush ka grancinë e rrogës, bëhet paragjykues, përjashtues dhe shkelës i të drejtave për atë që nuk e ka atë garanci dhe mund t’i duket në gjendjen e viktimës, që humbet respektin e të tjerëve, që është jo tërheqës sa duhet për ta pasur në gji të shoqërisë. Është dinjiteti në lojë, një lojë e rrezikshme për jetën.
Stresi që buron prej pasigurisë në punë është një motiv për vetëvrasje. Shqipëria është vend me numër të lartë vetëvrasjesh. Humbja e vendit të punës është pak, por e sigurtë, një e shtyrë drejt aktit që merr një jetë dhe traumatizon përgjithmonë rrethin familjar. Humbja e statusit të profesionit, e së drejtës për të ushtruar profesionin që di të bësh më mirë, është për individin humbje e mundësisë për të qenë i dobishëm për shoqërinë. Shpesh kjo xhiron me obsesion në mendjen e atij që e heq nën lëkurë, por nuk shihet dhe për pasojë nuk kuptohet nga shoqëria. Është një masë dëshpërimi që nuk ka forcë arti dhe divan klinike ta kurojë, përveçe duke ndërhyrë në burim, aty ku prodhohet kriza, nga arti i menaxhimit të burimeve njerëzore.
Kush merr hapësirë publike për të folur në ekran – se për të hedhur dy gisht analizë të shkruar në publik nuk bëhet fjalë – punonjës socialë e psikologë, që duke e njohur situatën nga rastet që kalojnë në klinikat e tyre, nga më vanitozët tek më patologjikët, do duhej të kishin shfaqur tjetër sensibilitet për ta shkundur shoqërinë dhe për ta bërë të vetëdijshme për krizën e fshehtë që kalojnë një masë e madhe njerëzish në prekariat. Përkundrazi, psikologët i gjen në podcaste rozë për t’i vënë maskë realitetit me retorikën e dashurisë pa kushte, maskë që i peshon kandarit në anën e pozitivitetit dhe optimizmit të rremë.
Modus operandi
Është një pikënisje e gjetur e Vladimir Dodës, që i përgjigjet fakteve të historisë politike dhe kulturore. Bota gjermanike ka qenë përuruesja e albanologjisë, mëse një shekull e gjysmë më parë, ndërkohë, gjermanët janë në ëndrrat migratore të shqiptarëve si popull i punëve cilësore dhe italianët si pjesë e ca ëndrrave të një natyre tjetër. “Hulumtimet serioze për Shqipërinë, për fat të keq apo të mirë, janë bërë nga të huajt”, thotë Doda. “Kur duam t’u referohemi për besueshmërinë, u përmbahemi hulutimeve mbi ekonominë dhe aspekte të tjera, burimeve të jashtme, fjala vjen Departamentit Amerikan të Shtetit.” Detektimi i huaj konfirmon çfarë u tha më lart, mosdashjen dhe mosdijen e shqiptarëve për t’u vetëanalizuar.
Në prologun minimalist të shfaqjes janë përdorur pak elemente të commedia dell’arte-s, maskat dhe loja me gjuhën, për ta përcjellë që në hyrje atmosferën si sarkazëm vizuale dhe verbale. Ornitologët dalin nga një arkë druri, e cila evokon një objekt të dashur të familjes Doda, arkën e nënës së Vladit, po edhe arkat e grave të zonës. “Arka në fakt ka ardhur nga nëndaja, gjyshja ime, por ajo përdoret këtu si një element inskenimi dhe është ideja e një arke teatrante e aktorëve që bartin gjëra më vete.” Skenografi i shfaqjes, artisti nga Lezha Ger Totraku, i ka dhënë një prekje dekorimi fasadës së arkës: në qendër ka vizatuar lulen e jetës, në cepe ka përdorur një stil pointilist dekorativ. Arka merr aq funksione sa profesione dhe zanate dëshmojnë në skenë. Objekti vetë është një modus operandi, një stil, një teknikë, një metodë apo një qasje e të bërit mirë diçka.
Si bazë e tekstit dramaturgjik kanë shërbyer intervistat e dyzet personave, që kanë një zanat, qëndistare, këpucar, drugdhendës e të tjerë, të cilat regjisori i ka diskutuar dhe rindërtuar për skenë me aktorët, sidomos me Loredana Gjeçin, që ka mbajtur peshën e disa roleve në këtë punë. Ishin në mes të procesit, kur Vladin e pushuan, çka ndikoi fort në projekt. “Në fund të korrikut ndryshoi totalisht situata. Më kishin ardhur ca gjëra në vesh, por nuk mendoja se do të më pushonin, sepse nuk kisha marrë asnjë lajmërim më përpara, asnjë vërejtje. Për dhjetë ditë mbeta i bllokuar. Nuk isha i përqendruar. Një artist, që deri-diku ka një zell dhe mundohet të mbajë një lloj fryme kritike ndaj vetvetes dhe ndaj realitetit, është vazhdimisht në atë fillin e akrobatit. Miqtë që më kanë telefonuar dhe që e njohin punën time, kanë qenë një lloj ngushëllimi në këtë gjendje shokuese.”
Këtu evoluon “Modus operandi”. Shkarkimi nga puna dhe kushtet e artistit në prekariat zbresin në skenë për të treguar rrugëtimin e një shfaqjeje në teatër. Zgjedhja e një gjuhe të caktuar mund të imponohet nga rrethanat, por në thelb, në qasjen e Dodës ka diçka të menduar gjatë. “Nuk më pëlqen të bëj diçka që nuk ka impakt dhe nuk ngjitet me shoqërinë. Dua të zbuloj mekanizmin e mizanskenës që ka të bëjë me mekanizmat që manipulojnë shoqërinë, qoftë ky dhe një fjalim, për shembull, i një politikani apo lideri. Me atë që bëj në skenë, tentoj të zbuloj mekanizmat e retorikës. Prandaj, nuk më intereson në vetvete pjesa e metateatrales si kod apo si art për art, por forma që zgjedh, ka vlerë për zbulimin e mekanizmave manipulues.”
Shembull për këtë është skena finale e quajtur “Punëtorët ideal”. Një rritëse e krimbit të mëndafshit, ndërsa tregon procesin e punës me “punëtorët” e saj, krijon pa dashur një ligjërim të fuqishëm për gjendjen punëtorit universal, të çdo spektri. Është regjisori që i ka dhënë fuqi alegorike dhe është aktorja Loredana Gjeçi, që e ekzekuton perfekt monologun e menaxheres së burimeve njerëzore:
“…Nuk kërkojnë lek, pushime, shpërblime
nuk ankohen,
nuk kanë kontratë,
nuk kanë pretendime apo preferenca orari,
nuk krijojnë xhelozi dhe nuk janë diskriminues.
Nuk kane bindje politike
dhe aq më tepër,
nuk jetojnë me ankthin se mos humbasin punën.
Punëtorët e mi janë superefikas,
superefektiv,
superproduktiv,
dhe supercilësor.
Ata duan bar – më saktësisht – gjethe,
gjethe mani.
Unë u jap gjethe dhe ata hanë, dhjesin,
pushojnë, pështyjnë
dhe tjerrin mëndafshin e tyre, të cilin unë e mbledh dhe e shes.
Me krimbat e mi të mëndafshit,
unë jam shefi,
dhe çdo gjë shkon për mrekulli.”
Vizualisht, në objekte, veshje, ndriçim, veprim, “Modus operandi” është thjeshtësi e rafinuar. Teksti është një kompleks zërash të shpërndarë në variabël rolesh, që ndërrohen midis katër aktorëve, përfshirë Vladin. Dialogët kanë përditësuar jetën dhe historinë e jetës në teatër, gjë që e bën performancën të paparashikueshme. Monologët kryesorë që interpreton Loredana, bëjnë që, skena tmerrësisht e ngushtë e ish-kinema Agimit, të duket hapësirë e pamatshme.
Loredana Gjeçi është aktore profesioniste, nga më të talentuarat e brezit të vet, që jeton dhe punon prej vitesh në prekariat. Kush e ka ndjekur vitet e fundit në Teatrin Eksperimental, ku ajo ka pasur disa performanca të nivelit të lartë si aktore protagoniste (“Lady Makbeth”, “Tani keni sy për të parë”, “Dua një vend”), pyet: kur një artist arrin një majë në një sezon, a nuk i lind për detyrë menaxherëve të burimeve njerëzore në teatër, të rishikojnë kontratën afatshkurtër, 3-6 mujore, për ta përtërirë edhe për një sezon, të paktën? Përse Eksperimentali merr bllok aktorë të Teatrit Kombëtar, një derë më tutje, dhe lë pas porte aktorë të pavarur?
“Me Lorin kemi punuar dhe diskutuar shumë”, tregon Vladi. “Kemi pasur përplasje, por edhe jemi rigjetur, sepse, ajo që kërkonim, kishte të bënte me një lloj vërtetësie tonën si aktorë, si shqiptarë, si banues të këtyre zonave, si artistë në prekariat. Një artist i skenës së pavarur, nuk mund të pretendojë shumë në këtë shoqëri, veç puna jonë, që ka një shtrirje në kohë, të paktën të propozojë diçka dinjitoze, për t’i qëndruar koherent mënyrës sonë të veprimit.”
Në grupin e “Modus operandi” bëjnë pjesë edhe Alesio Agjaku, student i arteve në UA, Tiranë dhe Gledia Toma, maturante. Dy të rinjtë nga Lezha, nuk mund të thuash që nuk i pret prekariati, të cilin e ushqejnë institucionet me politikën e tyre për shpërndarjen e fondeve publike. Ky është rasti i parë që Vladimir Doda fiton diçka nga Ministria e Kulturës, në vlerën 600 mijë lekë, pa llogaritur 15 përqindëshin. Kishte kërkuar një fond pak më të lartë. “Kjo është shfaqja e tretë që bëj me profesionistë. Sa herë bëj diçka të tillë, gjendem i shkatërruar ekonomikisht. Në të vërtetë, duhej të ishte e kundërta, por fondet janë ato që janë, vështirësitë janë ato që janë, kur nuk ke një strukturë teatri mbrapa dhe duhet t’i mbash të gjitha vetë mbi shpatulla.”
Pas tri shfaqjeve në Lezhë dhe Tiranë, “Modus operandi” kyçet këtu. Grupi do donte ta qarkullonte në skena festivali jashtë Shqipërisë, sepse mund të konkurrojë pa frikë kudo, dhe për më tepër, është lehtësisht e transportueshme.
Fakti që bën një punë dhe nuk mund ta qarkullosh, nuk mund ta rikthesh një pjesë ekonomike, po nuk mund të rikthesh nga ana shpirtërore qoftë dhe një pjesë të asaj që ke bërë, është në kufijtë e padrejtësisë. Ka artistë që për nga aftësia dhe potenciali, janë në gjendje më superiore, sesa pozita që u është imponuar. Ndërkaq, mendimi kryesor që Vladit i rri në kokë është: të iki apo jo.
Dikush, një vajzë që bën gazetari, i erdhi pas shfaqjes dhe i tha: “Bravo ti, që arrin të bësh të qeshësh me situatën!” Në fakt, shumica këtë mund të mendojë. Për sytë e shoqërisë, të verbër nga ideologjitë në qarkullim mbi pozitivitetin dhe optimizmin e rremë, ai që gjen forcë t’i përgjigjet flakjes në rrugë me punë cilësore dhe dinjitet, është hero që frymëzon. Një keqkuptim./Reporter