Lifestyle 3 Tetor 2025, 09:07 Nga VNA

Elon Musk sulmon Netflix për “propagandë transgjinore” te fëmijët

Ndaje në Whatsapp
Elon Musk sulmon Netflix për “propagandë transgjinore” te

Elon Musk, multimiliarderi dhe i vetëshpalluri “absolutist i lirisë së fjalës”, ditët e fundit e ka përqendruar vëmendjen e tij tek një fushatë kundër Netflix, duke i bërë thirrje ndjekësve të tij që të anulojnë abonimet në shenjë proteste. Ai pretendon se kompania po promovon një “axhendë të zgjuar” dhe po përfshin personazhe LGBTQ+ në përmbajtje për fëmijë. Musk, personi më i pasur në botë me një pasuri neto të vlerësuar rreth 500 miliardë dollarë, u ka bërë thirrje vazhdimisht 227 milionë ndjekësve të tij në platformën X, të cilën e kontrollon, që të braktisin Netflix. Vetëm gjatë tre ditëve të fundit, ai ka postuar ose ripostuar të paktën 26 herë thirrje për anulime abonimesh në shenjë pakënaqësie me përmbajtjen e kompanisë.

"Fushata” e Musk kundër Netflix nisi të martën, kur ai ripostoi një video nga llogaria e njohur e krahut të djathtë Libs of TikTok, që tregonte një skenë nga seriali i animuar Dead End: Paranormal Park, ku personazhi Barney deklaron se është transgjinor. Në shoqërim të klipit, Musk shkroi: “kjo nuk është në rregull”. Aktivistët e Libs of TikTok kritikuan faktin se seriali, i vlerësuar nga Netflix me TV-Y7, pra i përshtatshëm për moshat 7 vjeç e lart, përmbante mesazhe pro-transgjinore.

Seriali Paranormal Park u shfaq në vitin 2022 me 20 episode, por u anulua një vit më pas dhe aktualisht nuk promovohet më nga Netflix. Megjithatë, Musk e ka përdorur këtë shembull si pikënisje për të akuzuar kompaninë se po “indoktrinon” fëmijët.

Aktori transgjinor Zach Barack, i cili i dha zërin personazhit Barney, reagoi menjëherë duke shkruar në X:

“Mund t’i kesh frikë mashtruesit sa të duash, por fëmijët dhe prindërit më kanë thënë se ky serial ua shpëtoi jetën.”

Pas kësaj, Musk vijoi të ripostonte qindra herë mesazhe nga përdorues të tjerë që pretendonin se kishin anuluar abonimet e tyre. “Anuloni Netflix për shëndetin e fëmijëve tuaj,” postoi ai të mërkurën, duke bashkangjitur një meme që paraqiste “axhendën transgjinore” si një kalë troje që hynte në një kështjellë të etiketuar “fëmijët tuaj”.

Një ditë më vonë, ai reagoi përsëri duke cituar një përdorues që akuzonte Netflix se “jo vetëm që nuk e fsheh propagandën transgjinore, por e shtyn në mënyrë aktive drejt publikut.” Musk e shoqëroi reagimin e tij me një artikull të platformës Tudum të Netflix, i titulluar “Festoni Ditën e Dukshmërisë së Transgjinorëve me këto 16 Filma dhe Shfaqje”.

Musk ka sulmuar gjithashtu edhe seriale të tjera si The Baby-Sitters Club dhe Cocomelon, duke i cilësuar si pjesë e një procesi “propagandistik”. Për më tepër, ai ka akuzuar Netflix për praktika punësimi “anti-të bardhë” dhe ka ripostuar pretendime të pavërtetuara, si ai se “100% e donacioneve politike nga punonjësit e Netflix në vitin 2024 kanë shkuar për Partinë Demokratike”.

Në vijim të sulmeve të tij, Musk komentoi “Anulo Netflix” edhe në një tjetër postim të Libs of TikTok, i cili lidhej me raportin e kompanisë për vitin 2023 mbi diversitetin dhe përfshirjen. Musk, i cili është baba i një vajze transgjinore – Vivian Wilson – ka një marrëdhënie të tensionuar me të. Në vitin 2022, Vivian kërkoi ndryshimin ligjor të emrit dhe gjinisë së saj, duke deklaruar: “Nuk jetoj më me babanë tim biologjik dhe nuk dua të kem lidhje me të në asnjë mënyrë apo formë.” Musk më pas është shprehur se “e humbi djalin e tij” dhe ka pretenduar se ishte “i mashtruar” për të lejuar kujdesin që afirmon gjininë, duke e cilësuar si “një virus mendjeje”.

Nga ana tjetër, Netflix nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të Musk. Kompania është mësuar të përballet me reagime të tilla nga e djathta konservatore. Në vitin 2020, platforma pati përballuar një valë anulimesh pas publikimit të filmit Cuties, megjithëse brenda disa ditësh abonimet u rikthyen në nivele normale. Në vitin 2021, kompania doli në mbrojtje të komedianit Dave Chappelle, i cili kishte bërë komente kundër transgjinorëve në specialin e tij The Closer, duke shkaktuar madje edhe një grevë të punonjësve në Kaliforni. Po ashtu, Netflix ka mbrojtur lirinë e shprehjes edhe në raste të tjera, duke porositur emisione speciale nga figura të krahut të djathtë si Tony Hinchcliffe, pavarësisht polemikave për deklaratat e tij raciste kundër Porto Rikos.

 

Video

Dhjetëra qytetarë të Lezhës janë mbledhur në sheshin kryesor të qytetit për të përkujtuar 25-vjeçaren Xhuana Nikollaj nga Shëngjini. Pjesëmarrësit ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografisë së saj, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të resë dhe solidaritetin me familjen në këtë moment të vështirë. E reja dyshohet se i dha fund jetës pas një periudhe të vështirë personale dhe dhunës nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa qytetarët kërkuan më shumë vëmendje dhe mbështetje institucionale për rastet e dhunës në familje.

Një grup prej rreth 20 grabitësish të maskuar realizuan një grabitje në dyqanin e bizhuterive “Kumar” në Kaliforni, duke marrë mallra me vlerë mbi 1.4 milion dollarë brenda rreth 70 sekondash. Sipas autoriteteve, grabitësit thyen vitrinat me çekiçë dhe morën rreth 75–80% të bizhuterive të ekspozuara, para se të largoheshin me automjete që i prisnin jashtë. Policia arrestoi katër të rinj të moshës 19–20 vjeç pasi ndaloi një prej automjeteve të përdorura për arratisje, ndërsa hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.

Pse vetëm Rama do bëjë aeroporte?

Unë jam Ambrozia Meta që t’i gërric nervat…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme