Bota 19 Janar 2025, 09:31 Nga VNA

Lidhja e oqeaneve, si u ndërtua Kanali i Panamasë! Debatet mbi pronësinë e tij

Ndaje në Whatsapp

“Ne e blemë atë, paguam për të, e ndërtuam atë, dhe synojmë ta mbajmë”. Tema ishte Kanali i Panamasë, folësi ishte kandidati për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Reagan, në marsin e vitit 1976.

Një vit më pas, megjithatë, presidenti Jimmy Carter nënshkroi marrëveshje për t’ia dorëzuar Panamasë kontrollin e rrugës vitale ujore.

Gjysmë shekulli pasi debati mbi pronësinë e tij lëkundi për herë të parë Uashingtonin, çështja është aktualizuar përsëri, teksa presidenti në ardhje i SHBA-së, Donald Trump, sinjalizoi synimin për ta rimarrë kanalin e rëndësishëm, duke pohuar se Kina “praktikisht e ka marrë atë në dorë”.

Kanali aktualisht administrohet nga Panamaja, por Matthew Parker, autor i një libri për rrugën e famshme detare, thotë për Radion Evropa e Lirë se “kompanitë kineze kanë hise kontrolluese në portet në të dyja anët e Kanalit të Panamasë”.

Kjo, shprehet ai, është pjesë e një trendi më të gjerë, në të cilin Pekini “po zgjeron interesat e tij në infrastrukturën detare ndërkombëtare” në mbarë botën, përfshirë “edhe në ‘oborrin’ jugor të Shteteve të Bashkuara”.

Një tjetër pohim nga Trumpi, se Shtetet e Bashkuara kanë humbur “38.000 njerëz nga malaria” gjatë ndërtimit të kanalit, sipas Parkerit, e nënvlerëson rolin tragjik të një vendi tjetër në origjinën e rrugës detare.

Prej shekujsh, detarët kishin kërkuar një shkurtore që do ta lidhte Oqeanin Paqësor dhe atë Atlantik përmes istmit të Panamasë, për të shmangur rrugën e mundimshme përreth skajit të Amerikës jugore.

Më 1881, i frymëzuar nga suksesi i Kanalit të tij të Suezit, diplomati francez, Ferdinand de Lesseps, nisi zyrtarisht punën për ndërtimin e Kanalit të Panamasë.

Rruga do të shkurtonte për rreth 60 për qind largësinë detare ndërmjet brigjeve lindore dhe perëndimore të Amerikës.

De Lesseps grumbulloi ekuivalentin e miliarda dollarëve të sotëm për projektin, para të përdorura pjesërisht për të paguar gazetarë dhe politikanë për të rritur mbështetjen publike dhe për të inkurajuar investimet.

Por, plani francez për të hapur një kanal në nivel deti nëpër Panama ishte i prirë të dështonte që në nisje.

Punëtorët arritën në një istëm tropikal të kapluar nga varfëria, trazirat politike dhe sëmundjet. Në një kohë kur sëmundjet besohej se përhapeshin nga “avujt” misteriozë, fajtorët e vërtetë – mushkonjat – zbarkuan mbi ardhësit në re aq të dendura, saqë një punëtor kujtoi të ketë parë tufa “duke shuar një qiri të ndezur me trupat e tyre të djegur”.

Në kulmin vdekjeprurës të përpjekjes franceze, rreth dyzet punëtorë vdisnin çdo ditë, shumica nga ethet e verdha apo malaria.

Punëtorët e papërvojë u gjetën kryesisht në Karaibe, por kostoja njerëzore e projektit francez u ilustrua më së dhimbshmi nga historia e kryeinxhinierit të tij, Jules Dingler.

Francezi mori me vete në Panama familjen e vet dhe pa sëmundjen t’ua marrte jetën njërit pas tjetrit, vajzës së tij, të fejuarit të vajzës së tij dhe djalit të tij.

Kur kompania ndërtuese franceze përfundimisht dështoi më 1889, qindra mijëra investitorë humbën kursimet e tyre në atë që ishte një prej skandaleve më të mëdha financiare në histori.

Francezët në largim lanë prapa shumë pajisje, si dhe mbetjet mortore të rreth 20.000 punëtorëve.

Një dekadë pas katastrofës franceze në Panama, Theodore Roosevelt u zgjodh president i SHBA-së.

I nxitur nga një besim se Shtetet e Bashkuara duhet t’i dominojnë valët ekonomikisht dhe ushtarakisht, presidenti i 26-të kërkoi që SHBA-ja të vazhdojë aty ku e la Franca.

Kur negociatat për një koncesion për kanalin ndërmjet SHBA-së dhe Kolumbisë – provincë e së cilës ishte Panamaja – ngecën më 1903, revolucionarët panamezë të mbështetur nga SHBA-ja u shkëputën nga Kolumbia, teksa luftanijet amerikane qëndronin në gatishmëri larg brigjeve.

Uashingtoni njohu menjëherë shtetin e ri, ndërsa pasoi një marrëveshje për ndërtimin e një kanali nëpër Panama.

Në vend se të hapnin një rrugë në nivel deti nga bregu në breg, siç ishin munduar francezët, inxhinierët amerikanë zgjodhën ta përmbysnin qendrën e istmit të Panamasë, duke ndërtuar një pendë në lumin Çagres.

Liqeni artificial do të qëndronte 26 metra mbi nivelin e detit, kurse një varg zinxhirësh do t’i ngrinin anijet lart deri në liqen, e më pas do t’i zbritnin ato në nivelin e detit në skajin tjetër.

Për fatin e mirë të planifikuesve amerikanë, roli i mushkonjave në përhapjen e sëmundjeve u kuptua para se ekipet e tyre të punëtorëve të arrinin në Panama.

Përpjekje aq intensive ishin ndërmarrë për zhdukjen e mushkonjave në istëm, saqë një inxhinier pohoi se secila mushkonjë e ngordhur i kushtonte taksapaguesit amerikan 10 dollarë.

Përpjekjes amerikane i ndihmoi fakti se udhëhiqej nga inxhinierë që respektoheshin nga ekipet e tyre.

Ndarja racore zbatohej ndërmjet punëtorëve të papërvojë me ngjyrë, kryesisht nga Barbadosi, dhe amerikanëve të bardhë, por një dëshmitar raportonte se burrat përgjithësisht “trajtoheshin si qenie njerëzore, e jo si kafshë”.

Përpjekjeve për ngritje morali – sikurse një gazetë për punëtorët dhe organizimi i turneve të bejsbollit – burrat “iu përgjigjën duke dhënë shërbimin më të mirë që mundën”.

Rreth 5.800 punëtorë vdiqën gjatë dekadës që Shtetet e Bashkuara punuan në projektin e kanalit.

Teksa burrat hapnin rrugë nëpër Panama, vdekja vazhdonte të sulmonte punëtorët. Shumë prej tyre u vranë nga rrëshqitjet e dheut, të tjerë nga shpërthimet e dinamitit.

“Mishi i burrave shpesh fluturonte në ajër sikur zogjtë”, kujtonte një punëtor.

Por, puna u krye para afatit dhe sipas buxhetit të caktuar.

Në vjeshtën e vitit 1913, presidenti i SHBA-së, Woodrow Wilson, shtypi një sustë në tavolinën e tij në Uashington, e cila hodhi në erë një mur detar në Panama, rreth 3.300 kilometra larg.

Teksa uji rrodhi me shpejtësi në shtratin e kanalit, The New York Times raportoi se “ëndrra shekullore u bë realitet”.

Para hapjes formale të kanalit, më 15 gusht 1914, pakkush kishte marrë vesh për të.

Atë verë, vëmendja e botës ishte e përqendruar mbi Evropën dhe konfliktin e ashpër që së shpejti do të njihej si Lufta e Parë Botërore.

Dekada pas hapjes së kanalit, i cili transformoi tregtinë botërore, nisën të rriten tensionet ndërmjet amerikanëve që paguheshin mirë e që jetonin brenda zonës së kanalit nën kontrollin e SHBA-së, dhe panamezëve.

Në janarin e vitit 1964, armiqësitë e ndërsjella shpërthyen në dhunë vdekjeprurëse, pasi një flamur i Panamasë u shqye në mes të një zënke ndërmjet dy grupeve.

Incidenti i 1964-tës shtoi zërat në Uashington që kanali t’i jepej nën kontroll Panamasë.

Lëshimi kontrovers i presidentit Jimmy Carter bëri që rruga detare t’i dorëzohej vendit të Amerikës qendrore më 31 dhjetor 1999.

Historiania Julie Green, e cila ka shkruar një libër për historinë e kanalit, thotë për Radion Evropa e Lirë se çfarëdo përpjekje amerikane sot për të rimarrë kontrollin e kanalit me shumë gjasë do të çonte në një konflikt.

“E kam të vështirë ta imagjinoj kthimin e Kanalit të Panamasë në kontrollin e SHBA-së, pa një luftë kundër Panamasë”, shprehet ajo./REL

 

 

 

Video

Ky është moment i shpërthimit të zjarrit në një resort turistik në Zvicër duke shkaktuar një tragjedi të rëndë me viktima e të plagosur. Nga pamjet, zjari ka shpërthyer rreth orës 01:30 të mëngjesit në lokalin “Le Constellation”, një bar-restorant shumë i frekuentuar nga të rinjtë në zonën turistike të Crans-Montana, teksa njerëzit po festonin vigjiljen e vitit të ri. Sipas burimeve policore dhe spitalore, bilanci paraprak flet për rreth 40 persona të vdekur dhe afërsisht 100 të plagosur, shumica me djegie të rënda.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u panë duke ndjekur festimet e Vitit të Ri dhe fishekzjarret jashtë resortit të Trump në Mar-a-Lago, Florida, gjatë mbrëmjes së 31 dhjetorit 2025.

Në kryeqytetin e Italisë, Romë, është mbajtur edhe këtë vit tradita e njohur “Tuffo nel Tevere” (Hidhu në Tiber), e cila zhvillohet pa ndërprerje që nga viti 1946. Si çdo vit, pjesëmarrësit u hodhën simbolikisht në lumin Tiber, duke shënuar vazhdimësinë e një prej riteve më karakteristike të qytetit. “Tuffo nel Tevere” mbetet një simbol i gjallë i trashëgimisë kulturore romake dhe i lidhjes së qytetit me lumin që e ka shoqëruar ndër shekuj.

Digjet kisha në Holandë/ Amsterdam, një zjarr gjatë natës së Vitit të Ri ka shkatërruar Vondelkerk, një kishë monumentale në stil neogotik në skaj të parkut Vondelpark. Nuk ka të lënduar. Zjarri, që nisi nga këmbanat, shkaktoi shembjen e kullës. Disa banesa përreth u evakuuan për shkak të rënies së mbetjeve të ndezura. Shkaqet janë ende të panjohura; dyshohet për fishekzjarrë. Ndërtesa, e ndërtuar në vitin 1872, është përdorur si kishë katolike deri në vitin 1977; më pas është kthyer në një hapësirë për evente dhe koncerte.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme