Bota 18 January 2025, 12:34 Nga VNA

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyn në fuqi mëngjesin e 19 janarit

Ndaje në Whatsapp
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyn në fuqi mëngjesin e 19

Ministria e Jashtme e Katarit tha se armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – do të hyjë në fuqi të dielën e 19 janarit në orën 06:30 sipas kohës lokale (07:30 sipas kohës në Kosovë). Kjo pasi, mëngjesin e së shtunës, Qeveria në Izrael miratoi marrëveshjen për armëpushim në Gazë. Ndërmjetësit e bisedimeve, Shtetet e Bashkuara dhe Katari njoftuan të mërkurën për marrëveshjen e armëpushimit, por pakti u vu në pikëpyetje për më shumë se një ditë, pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, insistoi se kishte pasur ndërlikime të minutës së fundit dhe fajësoi Hamasin për këtë. Të premten, kabineti i sigurisë i Izraelit i rekomandoi Qeverisë miratimin e marrëveshjes. Pakti parasheh lirimin e dhjetëra pengjeve dhe ndaljen e luftës 15-mujore me Hamasin, duke i sjellë të dyja palët një hap më pranë përfundimit të luftës më vdekjeprurëse dhe shkatërruese që kanë zhvilluar ndonjëherë. Sipas marrëveshjes, 33 pengje do të lirohen në gjashtë javët e ardhshme, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli. Netanyahu ka udhëzuar një task-forcë speciale që të përgatitet për pranimin e pengjeve. Nga pengjet që do të lirohen, 33 janë gra dhe fëmijë, burra mbi moshën 50-vjeçare, persona të sëmurë apo të plagosur. Pjesa e mbetur e pengjeve, përfshirë ushtarë, do të lirohen në fazën e dytë, e cila do të negociohet gjatë fazës së parë. Hamasi tha se nuk do të lirojë pengjet e mbetura, pas fazës së parë, pa një armëpushim afatgjatë dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Rripi i Gazës. Grupi radikal palestinez është pajtuar për lirimin e tri pengjeve gra në ditën e parë të hyrjes në fuqi të marrëveshjes, katër në ditën e shtatë, ndërkaq të tjerët në pesë javët pasuese. Të burgosurit palestinezë do të lirohen po ashtu. Ministria e Drejtësisë e Izraelit ka publikuar listën e më shumë se 700 personave që do të lirohen në fazën e parë të armëpushimit. Të gjithë të burgosurit që gjenden në listë për lirim gjatë fazës së parë të marrëveshjes janë të rinj ose gra. Shërbimi i Burgjeve i Izraelit tha se do të transportojë të burgosurit, në vend të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, që u mor me transportin gjatë pauzës së parë të luftimeve në nëntorin e vitit 2023. Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Disa pengje u liruan gjatë një pauze njëjavore luftimesh në nëntorin e po atij viti. Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka lënë të vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Izraeli ka thënë se ka vrarë më shumë se 17.000 luftëtarë, por nuk ka ofruar dëshmi për këtë pretendim. Lufta në enklavën palestineze ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në gjithë botën.

REL

Video

Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn.

Disa protestues janë mbledhur përpara Gjykatës së Lartë pak minuta para nisjes së seancës për shqyrtimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Me thirrjet "shqiptarët në liri, Erioni në qeli", ata kërkojnë që Veliaj të vijojë të qëndrojë në burg.

“Revanshi”/ GJKKO shpall vendimin për shtatë të pandehur, ja sa u dënua i forti i Niklës, Durim Bami, dhe ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina.

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme