Nga Muriel
Friedrich Nietzsche paralajmëronte dikur se “kushdo që lufton me përbindëshat duhet të ketë kujdes që gjatë procesit të mos bëhet vetë një përbindësh.” Ky citat sot nuk është më një paralajmërim, por një diagnozë e saktë për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Ajo që po luhet në zyrat e KLGJ-së dhe në korridoret e ambasadave nuk është një procedurë administrative, por një tentativë për të vrarë frymën e fundit të moralit në Drejtësinë e Re.
Historia nisi me profilin e “Inkuizitorëve” të veshur me purpur, kur në vitin 2016 një grup juristësh, shumica jashtë sistemit të magjistraturës, u përzgjodhën për të qenë “shpatat” e vetingut. U veshën me një pushtet thuajse hyjnor: ata ishin instanca e fundit që vuloste fatin, nderin dhe bukën e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për nëntë vite me radhë, KPA funksionoi si një ishull i paprekshëm, ku standardet ndryshonin sipas emrit të subjektit dhe ku “batërdia” mbi karrierat e njerëzve bëhej me një ftohtësi kirurgjikale. Kanë shkarkuar magjistratë për 100 euro të padeklaruara para dy dekadash dhe kanë asgjësuar jetë profesionale për “kontakte të papërshtatshme” me njerëz që subjektet as nuk i mbanin mend. Por sot, kur rëra në orën e tyre të mandatit po mbaron, këta “Zota të Vetingut” po zbulojnë se kanë tmerr nga i njëjti proces që u imponuan të tjerëve.
Ky tmerr po prodhon skandalin e “ashensorit” privat drejt Apelit, ku anëtarët e KPA-së po kërkojnë të emërohen automatikisht në Gjykatat e Apelit pa kaluar asnjë filtër. Kjo kërkesë i ngjan asaj shprehjes sonë të vjetër popullore: “Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë.” Ata kërkojnë të bëhen magjistratë pa u ulur asnjë ditë në bankat e Shkollës së Magjistraturës dhe të ulen në karriget e Apelit pa u nënshtruar vetingut të pasurisë dhe figurës, ashtu siç u detyruan të bëjnë ata që sot janë në sistem. Ky nuk është as proces juridik dhe as tranzicion karriere; ky është një pazar i pastër fundmandati. Një marrëveshje ku mesazhi i nëndheshëm është i qartë: “Ne i shërbyem misionit, tani na jepni imunitetin e përjetshëm dhe rehatinë e kolltukut pa na kontrolluar askush.”
Në këtë pikë hyn në lojë psikologjia e pushtetit dhe frika nga barazia, pasi kjo kërkesë për privilegj dëshmon një deformim të integritetit që psikologu Erich Fromm do ta analizonte kështu:
“E drejta për të qenë i lirë do të thotë edhe detyrimi për të mos kërkuar për veten atë që nuk mund t’ua njohësh të tjerëve.”
Fakti që anëtarët e KPA-së refuzojnë konkursin dhe vetingun e tyre tregon se ata e shohin veten si një “kastë” mbi ligjin. Kush ka integritet, nuk kërkon mbrojtje nga ligji përmes letrave të presionit diplomatik, por kërkon mbrojtje përmes barazisë para tij. Etja për status ka mposhtur moralin e tyre profesional, duke e kthyer fundin e mandatit në një betejë për mbijetesë private në kurriz të interesit publik.
Drejtësia nuk mjafton të jetë e drejtë; ajo duhet edhe të DUKET e tillë, siç e kërkonte gjyqtari i njohur i Gjykatës Supreme të SHBA, Felix Frankfurter. Ai thoshte se “drejtësia duhet të kënaqë edhe dukjen e drejtësisë”, që do të thotë se nuk mjafton që një vendim të jetë teknikisht i ligjshëm; ai duhet të jetë aq i pastër sa askush të mos ketë dyshim për ndershmërinë e tij. Nëse KLGJ gjunjëzohet dhe i pranon anëtarët e KPA-së pa veting, reforma nuk do të duket më si “drejtësi”, por si një mashtrim kombëtar. Me çfarë morali mund t’i kërkojë llogari një gjyqtar Apeli një qytetari të thjeshtë, kur ai vetë e ka fituar karrigen përmes një pazari që shkeli Kushtetutën? Nëse kjo ndodh, reforma vdes dhe shndërrohet thjesht në një “ndërrim rojesh”, ku kasta e vjetër zëvendësohet me një të re që nuk i shërben shtetit, por kulisave që i dhuruan postin.
Përballë këtij epilogu të një reforme ku merita duhet të jetë detyrim ose largimi standard, integriteti i Drejtësisë së Re nuk pranon më rrugë të mesme: ose një hyrje triumfale përmes meritës, ose një largim pa lavdi nën hijen e hipokrizisë. Nuk mund të ketë “ishuj imuniteti” në një sistem që u projektua pikërisht për të shembur kastat. Rruga mbetet e prerë dhe e panegociueshme: një veting absolut nën të njëjtin teh që preu karrierat e kolegëve të tyre, një status magjistrati i fituar në rrugë ligjore dhe një emërim në Apel që kalon ekskluzivisht përmes sitës së konkursit. Nëse profesionalizmi i anëtarëve të KPA-së është aq solid sa pretendon retorika e tyre, le ta vërtetojnë atë në garë të hapur, duke e fituar vendin me dinjitetin e atij që nuk i trembet barazisë. Çdo hapësirë tjetër, çdo “ashensor” i sajuar në prapaskenë, nuk do të ishte gjë tjetër veçse kapitullimi final i drejtësisë para pazarit. Mandati i tyre nuk mund dhe nuk duhet të jetë një “biletë daljeje” e privilegjuar, por një testament i shërbimit ndaj një populli që nuk pranon më asgjë më pak se barazia absolute para ligjit.






















