Politika 10 Prill 2026, 09:46 Nga VNA

Beqaj letër nga burgu: Mos më nxirrni nga qelia, lërmëni këtu si dëshmi e suksesit të reformës në drejtësi

Ndaje në Whatsapp
Beqaj letër nga burgu: Mos më nxirrni nga qelia, lërmëni

Përmes një letre të gjatë dërguar nga ambientet e paraburgimit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar zyrtarisht lidhur me debatin e fundit mbi vendimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Beqaj sqaron se masa e tij e sigurisë nuk ndikohet nga ky vendim, duke akuzuar studiot televizive për "helmim të opinionit publik". Ai ndalet gjerësisht në seancën e 7 prillit, ku sipas tij, organi i akuzës ka paraqitur fakte të pavërteta për të bllokuar lirimin e tij pas 21 muajsh izolim.

 

Më poshtë, deklarata e plotë e z. Beqaj:

Asnjë vendim unifikues i Gjykatës së Lartë nuk lidhet me ndryshimin e masës sime të sigurisë.

Të enjten, më 09.04.2026, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë diskutuan çështjen e paraburgimit. Po atë mbrëmje, në emisione televizive prime time, u trajtua e njëjta temë. Në pothuajse të gjitha studiot, për ilustrim, u përdor edhe fotografia ime. Sipas drejtuesve të këtyre emisioneve, vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë po merret edhe për të më liruar mua nga paraburgimi.

Kjo është e pasaktë. Një person në paraburgim nuk është ende i dënuar. Për rrjedhojë, juridikisht nuk bëhet fjalë për lirim nga vuajtja e një dënimi, por për shqyrtim të masës së sigurisë. Nëse një i akuzuar, para një vendimi të formës së prerë, qëndron në paraburgim apo nën një masë më të lehtë sigurie, kjo nuk paragjykon fajësinë dhe as vendimin penal përfundimtar ndaj tij. Kjo nuk është lojë fjalësh, por çështje mentaliteti. Pikërisht për këtë arsye duhet ndalur helmimi i opinionit publik me tezën se po lirohen të korruptuarit.

Sa i përket rastit tim, unë nuk pres asgjë nga vendimi unifikues që pritet të marrë Gjykata e Lartë, as nga ndonjë vendim tjetër i tillë.

Pas 21 muajsh në paraburgim, të martën, më 07.04.2026, gjatë shqyrtimit të kërkesës sime për ndryshimin e masës së sigurisë, organi i akuzës paraqiti kundërshtime që, sipas meje, mbështeteshin vetëm në gënjeshtra. Kur një prokuror, në emër të shtetit, paraqet si argumente gënjeshtra, atëherë asnjë vendim i Gjykatës së Lartë, i Gjykatës Kushtetuese apo i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk mund të shërbejë realisht si pikë referimi.

Gënjeshtra nr.1

Organi i akuzës deklaroi se, gjatë fazës së hetimeve, unë nuk kam kërkuar asnjëherë ndryshimin e masës së sigurisë. Gjyqtarja e seancës paraprake është vënë në dijeni prej meje në seancë se, në seancën gjyqësore të datës 30.12.2024, kur organi i akuzës kërkoi shtyrjen e afatit të hetimeve, mbrojtja ime ligjore kërkoi zëvendësimin e paraburgimit me një masë më të lehtë. Kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtarja e hetimeve paraprake. Ky moment është i pasqyruar si në procesverbal, ashtu edhe në vendimin e gjykatës.

Gënjeshtra nr. 2

Organi i akuzës deklaroi se, për llogari të këtij procedimi penal, unë kam kryer veprime të paligjshme ndërkohë që ndaj meje ekzistonte një tjetër çështje penale. Këtë pretendim e kam kundërshtuar që në tetor 2025, gjatë seancës paraprake. Në procedimin penal nr. 13/2020 (“Sterilizimi”), i lidhur me veprime të kryera në kohën kur kam qenë ministër i Shëndetësisë — detyrë nga e cila jam larguar në mars 2017 — statusi “person nën hetim” më është komunikuar më 17.11.2023, në orën 21:00. Të nesërmen kam dhënë dorëheqjen nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC. Nëse ky pretendim është paraqitur më parë nga organi i akuzës dhe është kundërshtuar prej meje, rikthimi i tij sërish në prill 2026 nga i njëjti prokuror nuk është gjë tjetër veçse gënjeshtër.

Gënjeshtra nr. 3

Organi i akuzës deklaroi se unë duhet të vazhdoj të qëndroj në paraburgim sepse, edhe nga vendi ku ndodhem, paskam kontakte me punonjës të SASPAC. Sipas këtij pretendimi, fakti që gjatë seancës kam sjellë informacion mbi dokumentacionin që ndodhet në arkivën e SASPAC provon se këtë informacion e marr prej tyre.

Ndaj meje është një akuzë për falsifikim. Pasi jam njohur me dosjen hetimore, kam konstatuar se në të nuk ndodhet asnjë dokument origjinal. Në qershor 2025, mbrojtja ime ligjore mori një përgjigje zyrtare nga SASPAC, sipas së cilës organi i akuzës kishte sekuestruar vetëm regjistrat e protokollit dhe asnjë dokument origjinal. Kjo përgjigje zyrtare i është bërë e ditur si gjykatëses, ashtu edhe organit të akuzës gjatë seancës paraprake.

Gënjeshtra nr. 4

Organi i akuzës deklaroi se koha e gjatë e kaluar në paraburgim nuk duhet marrë parasysh, sepse, sipas tij, unë e kam zvarritur me vetëdije procesin gjatë seancës paraprake. E vërteta është se, pas njoftimit të akuzës, na janë vënë në dispozicion 25,000 faqe të dosjes hetimore, të pasistemuara në volume si një fashikull normal hetimor. Në fazën e parë të seancës paraprake konstatuam se mungonin edhe 9,000 faqe të tjera të dosjes hetimore. U desh kohë ti marrim e ti studjojmë. Ndërkohë, në kushtet e paraburgimit, ka qenë e pamundur për mua të njihem normalisht me përmbajtjen elektronike të dosjes hetimore, përfshirë CD-të dhe USB-të.

Sikur të mos mjaftonin këto katër gënjeshtra, organi i akuzës shtoi edhe një tjetër argument të çuditshëm. Sipas tij, unë duhet të vazhdoj të qëndroj në paraburgim sepse, më 28.12.2023, një person tjetër i përfshirë në këtë çështje, gjatë kontrollit të banesës së tij, ka fshirë të dhëna nga një telefon celular.

Besoj se kushdo e kupton se deklarime të tilla, në një seancë për ndryshimin e masës së sigurisë, nuk mund t’i parashikojë, t’i mbulojë apo t’i zgjidhë asnjë vendim unifikues, njësues apo çfarëdo lloj vendimi tjetër.

Prandaj, kushdo le ta heqë merakun se vendimi i Gjykatës së Lartë po merret për t’i ndryshuar masën e sigurisë Ilir Beqajt.

Ilir Beqaj duhet të vazhdojë të qëndrojë në burg si dëshmi e suksesit të reformës në drejtësi.

 

 

 

Video

Rritet ndjeshëm fluksi i hyrjeve në pikën kufitare të Kapshticës, ku emigrantët nga Greqia po kthehen për të festuar Pashkët pranë familjarëve. Nga qytetarët raportohen pritje deri në 1 orë e 30 minuta. Fluksi pritet të rritet edhe në ditët në vijim.

Melania Trump mohon çdo lidhje me Epstein…

Këto janë pamjet nga një ngjarja e rëndë që ndodhi në Vlorë, ku një vajzë 4-vjeçare u kafshuar nga një qen pitbull. Sipas pamjeve, qeni e ka kafshuar në kokë dhe e ka tërhequr zvarrë, derisa të pranishmit ndërhynë dhe arritën ta shpëtojnë fëmijën. Vogëlushja është jashtë rrezikut për jetën dhe ka dalë nga spitali.

Një punonjës i pakënaqur me rrogën dyshohet se i ka vënë flakën një magazine të madhe në Ontario, California. Zjarri u përhap me shpejtësi duke shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa mbi 170 zjarrfikës punuan për orë të tëra për ta vënë nën kontroll. I riu është arrestuar dhe, sipas hetimeve, kishte shprehur hapur pakënaqësinë për pagën, madje duke publikuar edhe video nga momenti i zjarrvënies.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme