Politika 8 January 2025, 18:49 Nga VNA

Kuvendi zvarrit drejt djegies afatet për mandatin e Vullnet Sinajt

Ndaje në Whatsapp
Kuvendi zvarrit drejt djegies afatet për mandatin e Vullnet Sinajt

Mandati i deputetit të PS, Vullnet Sinaj rrezikon t’i shpëtojë ballafaqimit me Gjykatën Kushtetuese për shkak të zvarritjes së procedurave në Kuvend, ndërsa opozita akuzon Spiropalin se po e bën këtë qëllimisht për djegien e afateve.

Mandati i deputetit socialist, Vullnet Sinaj, i akuzuar nga opozita se ka shkelur Kushtetutën duke përfituar fonde publike nëpërmjet biznesit të tij, rrezikon t’i shpëtojë shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese si pasojë e zvarritjes së procedurave në Kuvend.

Ligji për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese parashikon se “kërkesa për papajtueshmëri të funksionit të deputetit mund të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese për sa kohë vazhdon mandati i deputetit, por jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të mandatit…”.

Mandati i deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë përfundon në shtator, kur edhe pritet të betohen 140 deputetët e rinj që do të dalin nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Si rrjedhojë, mocioni i papajtueshmërisë së mandatit për deputetin Sinaj nuk mund të shqyrohet nga Gjykata Kushtetuese pas datës 10 mars.

Mocioni i papajtueshmërisë i firmosur nga deputetë të opozitës u shqyrtua në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores në datë 20 nëntor dhe prej afro 2 muajsh, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali nuk ka thirrur një mbledhje tjetër të këtij këshilli për të vijuar me procedurat.

Opozita e akuzon Spiropalin se po e zvarrit me qëllim këtë procedurë me synimin për të djegur afatet ligjore për shqyrtimin e papajtueshmërisë së mandatit në Gjykatën Kushtetuese.

“Procedura në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores po bllokohet nga Kryetarja e Kuvendit. Me gjasa, ky bllokim po bëhet për të djegur afatet e shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese që është deri në 10 Mars 2025,” i tha BIRN-it të mërkurën nëpërmjet një zëdhënesi, Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Me anë të një shkrese zyrtare, Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Spiropalit në datë 13 dhjetor që të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar raportet e relatorëve dhe përfshirjen e tyre për votim në seancën plenare të radhës.

Bardhi thotë se i ka parashtruar edhe një tjetër kërkesë për këtë çështje në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve të datës 23 dhjetor, por nuk ka marrë përgjigje.

E pyetur nga BIRN se pse nuk kanë vijuar procedurat për mandatin e Sinajt dhe nëse kjo zvarritje rrezikon të djegë afatet kushtetuese, Spiropali nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Një zëdhënëse e kryetares së Kuvendit tha se “nesër (të enjten) do të njoftohet zyrtarisht për vijimin e procedurave”.

Zvarritja e procedurave është një mekanizëm i përdorur nga mazhoranca edhe në rastin e deputetes Olta Xhaçka, duke shkuar deri në përplasje me Gjykatën Kushtetuese në mbrojtje të mandatit të saj.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Mandateve, anëtarët socialistë kërkuan që të pritet opinioni i Komisionit Evropian për Demokraci përmes Ligjit, i cili njihet si “Komisioni i Venecias”, për çështjen “Xhaçka” para se të shkohej për votim në seancë për mocionin ndaj Sinajt.

Opozita pretendon se çështja e Sinajt paraqet një rast të pastër të konfliktit të interesit krahasuar me rastet e tjera që janë shqyrtuar më herët nga gjykata.Provat e sjella në mocion janë disa fatura blerjesh nga institucione publike pranë rrjetit të supermarketeve “Big Market” në pronësi të Sinajt, që kapin shifrën 3.6 milionë lekë.

Vetë Sinaj nuk i pranoi akuzat, ndërsa avokatja e tij i cilësoi provat e paraqitura në mocion si të pamjaftueshme për të provuar shkeljen e Kushtetutës nga deputeti.

Ky është mocioni i dytë ndaj një deputeti socialist brenda kësaj legjislature, pas mocionit ndaj deputetes Olta Xhaçka, bashkëshorti i së cilës përfitoi statusin “investitor strategjik” dhe plazhin para hotelit në Dhërmi.

Në rastin e Xhaçkës, socialistët e mbrojtën me forcë mosdërgimin e mandatit të saj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese duke shkelur dhe dy vendime të saj, përkundër konstatimeve të gjykatës se këto qëndrime “cënojnë themelet e shtetit” dhe janë “shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Në fillim të dhjetorit Komisioni i Venecias i dha të drejtë Gjykatës Kushtetuese duke i cilësuar vendimet e saj të detyrueshme për Kuvendin, por socialistët e lexuan opinionin sipas interesit të tyre, duke u fokusuar tek një përkufizim për lirinë e deputetit për të votuar./BIRN

 

 

Video

Përfitoi 9 hektarë për 1 euro me firmën e Ramës/ Kush është Shkëlqim Beshiri, biznesmeni i përfolur si “prestanome” i Shkëlzen Berishës

Mijëra qytetarë në “Marshin për Liri” në Prishtinë, mbështetje për ish-krerët e UÇK-së Ka nisur në Prishtinë tubimi në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Tubimi zhvillohet në shenjë solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Momente tensioni janë regjistruar sot në Vlorë, gjatë protestës kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar. Protestuesit kanë tentuar të hyjnë në kantierin ku po zhvillohen punimet, por janë ndaluar nga forcat e policisë. Situata ka sjellë përplasje dhe tension mes efektivëve dhe qytetarëve të mbledhur në protestë.

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme