Kronika 24 June 2026, 12:09 Nga VNA

Kush janë gjyqtarët dhe prokurorët për të cilët qytetarët do të paguajnë faturën e gabimeve të Vettingut?

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-06-24 at 11.54.48 AM.jpeg

Pas tetë vitesh procesi Vettingu, ku i gjithë sistemi i drejtësisë iu nënshtrua filtrit të verifikimit të figurës, integritetit dhe pasurisë, javën e kaluar u shënua mbyllja formale e këtij procesi. Edhe pse reforma largoi nga sistemi qindra magjistratë me probleme ligjore apo pasurore, ajo nuk rezultoi pa pasoja dhe pa kosto.

Nga njëra anë, Vettingu krijoi boshllëqe të mëdha në sistemin e drejtësisë, duke sjellë vonesa të gjata në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore. Nga ana tjetër, një sërë vendimesh të konsideruara të padrejta kanë prodhuar një faturë financiare për shtetin shqiptar, pasi disa gjyqtarë dhe prokurorë kanë fituar betejat ligjore në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Një prej tyre është ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, për të cilin Strasburgu rrëzoi vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Sipas Gjykatës Evropiane, shkarkimi i Osmanit cenoi nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për respektimin e jetës private. Për këtë rast, Shqipëria u detyrua të paguajë 6 mijë euro dëmshpërblim për dëme jopasurore dhe 5 mijë euro për shpenzime ligjore. Gjykata rekomandoi gjithashtu që autoritetet shqiptare të shqyrtojnë mundësinë e rihapjes së procedurave të Vettingut në përputhje me standardet e Konventës.

Edhe ish-prokurori Ferdinand Elezi fitoi në Strasburg, pasi gjykata vlerësoi se ai kishte kaluar me sukses kontrollin e figurës dhe profesionalizmit dhe se largimi nga sistemi nuk mund të mbështetej vetëm mbi gabime metodologjike në analizën financiare. Përveç konstatimit të shkeljes, shteti shqiptar u urdhërua të dëmshpërblejë Elezin për dëmin moral dhe shpenzimet gjyqësore.

Në të njëjtën linjë, Gjykata Evropiane konstatoi shkelje edhe në rastin e Izet Kadanës, ish-kryetar i Gjykatës së Pukës. Sipas Strasburgut, shkarkimi i tij “nuk ishte në përpjesëtim me qëllimet legjitime të ndjekura”, duke cenuar nenin 8 të Konventës Evropiane.

Fitues në Strasburg rezultoi edhe ish-gjyqtari i Apelit, Ervin Metalla, i shkarkuar nga KPA. Për rastin e tij, shteti shqiptar u urdhërua të paguajë 26 mijë euro dëmshpërblim.

Ndërkohë, edhe ish-gjyqtari Besnik Cani arriti të rrëzojë në Strasburg vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Një tjetër rast është ai i prokurores Antoneta Sevdari, e cila pas vendimit të Strasburgut për rrëzimin e shkarkimit të saj, ushtroi të drejtën për rihapjen e çështjes dhe u rikthye në sistemin e drejtësisë.

Çdo vendim i humbur nga shteti shqiptar në Strasburg shoqërohet me kosto financiare, që përfshijnë shpenzime avokatie, dëmshpërblime morale, si dhe pagesa për periudhën e qëndrimit jashtë sistemit. Në fund, kjo faturë përkthehet në kosto për taksapaguesit shqiptarë, të cilët përveç zvarritjeve në gjykata, do të duhet të paguajnë edhe për vendimet e gabuara të procesit të Vettingut.

Ndërkohë, ironia qëndron tek anëtarët e KPA që morën këto vendime, të cilët përvçse qëndruan imun dhe nuk iu nënshtruan vetë procesit të Vettingut, një javë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor i sistemoi disa prej tyre në pozicione të reja në sistemin e drejtësisë.

Në këtë mënyrë, emra si Sokol Çomo, Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Ina Rama dhe anëtarë të tjerë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të cilët për vite vendosën mbi karrierat e magjistratëve, tashmë janë bërë pjesë e sistemit që dikur kishin për detyrë të reformonin.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme