Editorial 5 Dhjetor 2024, 09:42 Nga VNA

Orët e Koresë së Jugut përjetuar në Shqipëri!

Ndaje në Whatsapp
Orët e Koresë së Jugut përjetuar në Shqipëri!

Korea e Jugut u vu në qendër të lajmeve botërore për shkak të intensitetit të ngjarjeve të ndodhura brenda pak orësh. Presidenti i vendit shpalli ligjin ushtarak, duke dislokuar ushtrinë rreth parlamentit. 190 deputetë (nga 300 që ka parlamenti) arritën të depërtojnë rrethimin ushtarak dhe votuan unanimisht për rrëzimin e ligjit ushtarak. Qytetarët dolën të demonstrojnë kundër vendimit të presidentit dhe forcave të ushtrisë.

Forcat e policisë u rreshtuan në mbrojtje të parlamentit dhe kundër ushtrisë. Presidenti pezulloi ligjin, dhe qeveria miratoi rrëzimin e tij. Partia në pushtet e presidentit kërkoi falje për shqetësimet që u krijuan për qytetarët. Ministri i mbrojtjes ofroi dorëheqjen. Kjo ishte ngjarja. Pasojat përfshijnë analizat që do të bëhen për të kuptuar se ç’ndodhi, përse ndodhi dhe çfarë mund të ndodhë me presidentin dhe figurat e tjera politike.

Ndoshta ngjarja nuk do të shpaloset plotësisht. Ajo mund të mbetet të shpjegohet nëpërmjet një skeme që po konsolidohet deri tani. Është një luftë politike e fortë mes presidentit që ka formuar qeverinë dhe opozitës që ka shumicën në parlament. Veprime ekstreme të presidentit për të shuar akuzat që i bëhen për korrupsion, përfshi bashkëshorten e tij, si dhe për të frenuar goditjet e opozitës ndaj prokurorëve, të cilët ishin ish-kolegë të presidentit. Këta të fundit po përgatiteshin të akuzonin liderin e opozitës për korrupsion, që mund të bëhej president i ardhshëm.

Më herët, vetë presidenti, në rolin e prokurorit, ngriti akuza për korrupsion ndaj ish-presidentes. Konflikti ishte i shoqëruar me zemërim publik për shkak të mënyrës se si po menaxhoheshin akuzat për korrupsion, përfshirë dhe pamjet filmike që tregonin pranimin e një çante të shtrenjtë dhuratë nga bashkëshortja e presidentit. Kjo e fundit ishte vënë më herët nën akuza, përfshi edhe plagjiaturën në punimin për marrjen e gradës doktor. Me zgjedhjen e presidentit, u mor hapi për të shpërbërë zyrën e zonjës së parë. Ky është konteksti politik dhe i interesit publik i ngjarjes.

Korea e Jugut është një nga pjesët e Gadishullit të ndarë të Koresë, në kufi me Korenë e Veriut, një shtet diktatorial komunist dhe posedues i armëve bërthamore. Korea e Jugut është aleat i SHBA-së, ndërsa Korea e Veriut është aleat i Kinës dhe Rusisë dhe ka ofruar forca ushtarake për luftën në Ukrainë. Po ashtu, Korea e Jugut është në kufi me Kinën komuniste, një tjetër shtet që po shfaqet më i afërt me Rusinë që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë. Presidenti i Koresë së Jugut konsiderohet aleat i fortë i SHBA-së. SHBA-ja është gjithashtu në një periudhë kalimi të pushtetit presidencial dhe ka pasur histori akuzash për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e kaluara. Ky është një kontekst delikat gjeopolitik i ngjarjes.

Korea e Jugut nuk është e panjohur për situata kur pushteti politik kalon nga ligji civil në atë ushtarak. Nga themelimi i saj në vitin 1948, kur ligji ushtarak u shpall nga presidenti i parë për të shtypur komunistët, ka pasur disa raste të shpalljes së ligjit ushtarak. Ajo që ndryshon këtë herë është largësia kohore nga hera e fundit, në vitin 1980. Sipas analistëve të rinj në Kore, koncepti i ligjit ushtarak nuk është as i njohur. Ky është konteksti historik i ngjarjes.

Ajo që pritet më së afërmi është fillimi i procedurave për ngritjen e akuzës ndaj presidentit. Pavarësisht se si do të zhvillohen ngjarjet, ngjarja në Kore të Jugut sjell disa përfundime shumë interesante për raportet e forcave dhe mekanizmat e shteteve demokratike, të cilat mund të ndriçojnë mangësitë në politikën dhe shtetin shqiptar.

Së pari, u konfirmua se sa i rrezikshëm është korrupsioni i klasës politike dhe pasojat e tij. Korrupsioni shkakton përplasje të forta politike dhe mund të sjellë deri në përpjekje për të shuar me dhunë çdo hetim për korrupsion.

Së dyti, u konfirmua se korrupsioni ndër familjarët e politikanëve është një faktor që dëmton dinjitetin e politikanit. Kur konflikti mes nevojës për të mbrojtur familjen dhe interesat politike të një politikanit është i dhunshëm, ai mund të çojë në përplasje të forta politike dhe shoqërore. Kur vendimi për të mbrojtur familjen bie mbi interesat e shtetit, ndodhin kriza të thella.

Së treti, u konfirmua se për të luftuar korrupsionin, institucioni i akuzës (prokuroria) duhet të jetë i pavarur dhe i zhveshur nga çdo motiv politik. Në Korenë e Jugut, konflikti mes presidentit dhe opozitës përfshiu të kaluarën e presidentit si ish-prokuror. Ky përplasje e thelloi krizën dhe nxori në pah varësinë e prokurorisë nga politika.

Së katërti, u konfirmua që një opozitë që mban një qëndrim parimor mund të sigurojë mbështetje popullore edhe përballë ushtrisë. Në Kore, qytetarët dolën në rrugë për të mbështetur demokracinë dhe për të kundërshtuar ligjin ushtarak.

Së pesti, u konfirmua rëndësia e institucioneve që funksionojnë në mënyrë të pavarur për të ruajtur ekuilibrin dhe kontrollin mbi pushtetin. Kur shteti ka institucione të fuqishme dhe të pavarura, mund të mbrohet demokracia, edhe përballë një ushtrie.

Së gjashti, u konfirmua se interesi politik i partisë është mbi interesin e individëve të pushtetshëm. Në këtë rast, partia e presidentit kërkoi falje për vendimin që solli ligjin ushtarak, pasi e kuptoi se interesat e partisë janë më të rëndësishme se mbajtja e pushtetit të individëve.

Së shtati, u konfirmua rëndësia e një opinioni publik të fortë dhe reagues për të kontrolluar politikën. Zemërimi i popullit koreanojugor për dhuratën e çantës dhe rreshtimi i tyre në mbështetje të parlamentit janë shembuj të rëndësishëm të si opinioni publik mund të ndihmojë në mbrojtjen e demokracisë.

Së fundi, u konfirmua se metodat e mbajtjes së pushtetit përmes ligjeve të forta apo puçeve ushtarake janë tejkaluar. Edhe nëse ngjarja ka shpjegimin e saj gjeopolitik, mësimet e nxjerra janë të vlefshme dhe mund të ndihmojnë në përmirësimin e demokracisë dhe institucioneve shtetërore.

Kjo ngjarje, ndonëse ndodhi në një vend të largët si Korea e Jugut, ka shumë të përbashkëta me politikat dhe shtetin shqiptar, ku dhe atje ka pasur përpjekje për të përqendruar pushtetin dhe për të shkelur ligjin. Për Shqipërinë, ngjarja mund të shërbejë si një kujtesë për rënien e shtetit të së drejtës dhe domosdoshmërinë për një opozitë të fortë dhe institucione të pavarura.

Nga Trëndelina Gashi

Video

Si një orangutan bashkoi një pyll të ndarë ?? Kur një rrugë ndau pyllin në Sumatra, orangutanët mbetën të izoluar në dy grupe, duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e tyre. Për t’i lidhur sërish, Sumatran Orangutan Society dhe Tangguh Hutan Khatulistiwa ndërtuan një urë mes pemëve. Por për dy vite askush nuk e përdori… derisa një orangutan i vetëm guxoi të kalojë. Ky hap i vogël mund të bëjë një ndryshim të madh për mbijetesën e gjithë komunitetit, siç thekson edhe Helen Buckland.

Pas alarmit për një bombë në qendrën tregtare “Toptani” në Tiranë, ka reaguar Policia e kryeqytetit. Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kanë kryer kontroll të plotë të ambienteve. Pas verifikimeve, autoritetet bëjnë me dije se nuk është konstatuar asnjë send i dyshimtë apo i paligjshëm, duke qetësuar kështu situatën për qytetarët dhe vizitorët e qendrës tregtare.

Banorët e Rrjollit kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik të lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si zaptim të tokave të tyre. Disa prej tyre kanë tentuar të depërtojnë në zonën e kantierit përmes rrugëve alternative, por janë ndaluar nga forcat e rendit. Të revoltuar, banorët akuzojnë policinë se po mbron interesat e ndërtuesve dhe jo të qytetarëve. Në protestë ka pasur prezencë të shtuar të policisë, ndërsa tensionet kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës. Banorët kanë vijuar me thirrjet dhe akuzat ndaj autoriteteve, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga toka e tyre. “Ne nuk ikim nga toka jonë”, u shprehën protestuesit, teksa i bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’u bashkohen në mbështetje të kauzës së tyre.

Tensione dhe përplasje janë shënuar pak minuta para nisjes së përballjes së kryeqytetit Tirana-Partizani. Ndeshja e sotme zhvillohet në Air Albania.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme