Editorial 4 Dhjetor 2024, 20:26 Nga VNA

Ekspertët e Diasporës në komisionin Xhafaj: Strategji kundër korrupsionit apo fasadë politike?

Ndaje në Whatsapp
Ekspertët e Diasporës në komisionin Xhafaj: Strategji kundër

Nga Desada Metaj

Ata janë 23 persona dhe do të paguhen 5600 euro secili- kështu përcaktohen në shkresën që Fatmir Xhafaj i ka dërguar kryetares së Kuvendit emrat për ekspertët e huaj që do të asistojnë komisionin e drejtuar prej tij.

Ata, në fakt, janë të gjithë shqiptarë me banim dhe punë jashtë vendit, të angazhuar me aktivitet akademik ose të ndonjë fushe tjetër, por që kanë pranuar të jenë pjesë e një grupi prej 91 ekspertësh që Fatmir Xhafaj ka atashuar pranë komisionit që do të hartojë një strategji të re për luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi. Me gjithë dritë-hijet e përfolura të qëllimit të tij, qartas Komisioni Xhafaj ka marrë deri më sot bekimin e Kryeministrit Rama, skepticizmin e ndërkombëtarëve dhe bojkotin e pjesës më të madhe të institucioneve të drejtësisë, përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme. Kjo e fundit, në fakt, sipas të gjitha gjasave dhe paralajmërimeve të deritanishme, ka qenë në fokus të punës së Komisionit Xhafaj, i cili nuk i ka fshehur as kritikat dhe as zellin për ta vënë nën kontrollin e mazhorancës (dhe një pjese të opozitës) Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Dhe për këtë, jo pak, plot 500 mijë euro dhe 91 ekspertë do të jenë në dispozicion të këtij procesi, ku nuk janë lënë jashtë as specialistë që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë.

Përdorimi nga qeveria dhe Edi Rama i emrave të njohur në fushën e tyre nga diaspora nuk është një proces as i ri dhe as i panjohur. Mes emrave të intelektualëve dhe akademikëve të njohur në diasporë u përfshinë rishtaz dhe disa në Akademinë e Skënder Gjinushit, por pa ditur rolet e tyre shkencore aty, ku thjeshtë duket si makiazh i një plake të dalë kohe.

Në Komisionin Xhafaj nuk ka asnjë nga anëtarët e jashtëm të Akademisë së Shkencave.

Pa dashur t’i gjykojmë profesionalisht, pyetjet që shtrohen në një rast të tillë janë disa:

Së pari, mbi ç’kriter janë përzgjedhur këta emra dhe ç’ekspertizë mund të ofrojnë këta specialistë kur ende Komisioni Xhafaj nuk ka një qëllim të qartë funksionimi? A e njohin këta ekspertë realitetin e Shqipërisë dhe dinamikat e zhvillimit dhe luftës kundër korrupsionit?

Së dyti, është për t’u vlerësuar angazhimi i tyre në një projekt parlamentar (në dukje) për të mirën e vendit, por pse nuk përfshihen këta ekspertë dhe akademikë në institucionet ligjzbatuese dhe ato të drejtësisë?

Së treti, a janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm ekspertët e diasporës për faktin se mund të përdoren si fasadë e qeverisë për të mundësuar një ndërhyrje në reformën në drejtësi sipas oreksit të Edi Ramës? Rastet e Arjan Gjonçaj dhe Lea Ypit nuk datojnë shumë larg. Kur për reformën në arsim u ftua një profesor nga LSE për t’i përdorur emrin, por jo kontributin në një reformë që nuk ndodhi kurrë. Vetë Arjan Gjonçaj e pranoi se reforma dhe zbatimi i saj dështoi sepse nuk u zbatua drejt. Ndërsa Lea Ypit ia promovuan librin me zhurmë e bujë, ndërsa muajin e kaluar në Tiranë e lanë krejt në harresë sepse nuk ju duhej më. Po ashtu, pak vite më parë, ishte vetë Edi Rama që organizoi kongresin e mjekëve jashtë vendit, produkt i të cilit ishte Ilir Rapaj, “ylli i koncesioneve” në shëndetësi, që sot janë nën hetim nga SPAK.

Asnjë formë glorifikimi nuk i bën mirë intelektualëve shqiptarë në diasporë, sidomos në kushtet kur qartas të gjithë janë larguar nga Shqipëria për mungesën e hapësirës dhe mundësive për ta zhvilluar këtu karrierën akademike apo shkencore. Dhe këto pamundësi nuk janë kushte atmosferike apo shoqërore. Janë të gjitha përgjegjësi e politikës 33-vjeçare, përfshirë dhe atë të 12 viteve të fundit.

Me shtojcën e ekspertëve shqiptarë nga diaspora, Rama ka vënë në lëvizje një mekanizëm pervers tipik të tij. Ndërsa reformën në drejtësi e shiti si bashkëpunim vullnetmirë të tij me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, përmbysjen e reformës kërkon ta shesë si vullnet ekspertësh shqiptarë që kujdesen për fatet e vendit, përfshirë edhe shqiptarë të mirëedukuar në Perëndim.

Ndaj duket tejet naive që një grup njerëzish të mirëshkolluar me jetë akademike dhe karrierë të suksesshme jashtë Shqipërisë të besojnë se një komision i mazhorancës parlamentare do të “shfarosë” fenomenin e korrupsionit, të ngritur si institucion nga vetë kryetari i mazhorancës. Me gjasë duke përdorur duart e kryetarit të Komisionit të Posaçëm, kryeministri po përpiqet të lyejë me “bojë të jashtme” fasadën e vjetër të ngrehinës, ku korrupsioni vlon e gëlon prej 12 vitesh.

Fatmir Xhafaj, me trashëgiminë biologjike dhe politike, mund të jetë një patronazhist i mirë për diasporën intelektuale dhe partia e ka mësuar ta bëjë shumë mirë këtë punë. Se ç’do të bëjnë ata që ne pretendojmë se na nderojnë në botën e qytetëruar mbetet për t’u parë. Historitë e marrdhënieve të Shqipërisë me diasporën janë plot me ngjyra patriotizmi të vërtetë por të tallavasë me atdheun.

Video

Si një orangutan bashkoi një pyll të ndarë ?? Kur një rrugë ndau pyllin në Sumatra, orangutanët mbetën të izoluar në dy grupe, duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e tyre. Për t’i lidhur sërish, Sumatran Orangutan Society dhe Tangguh Hutan Khatulistiwa ndërtuan një urë mes pemëve. Por për dy vite askush nuk e përdori… derisa një orangutan i vetëm guxoi të kalojë. Ky hap i vogël mund të bëjë një ndryshim të madh për mbijetesën e gjithë komunitetit, siç thekson edhe Helen Buckland.

Pas alarmit për një bombë në qendrën tregtare “Toptani” në Tiranë, ka reaguar Policia e kryeqytetit. Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kanë kryer kontroll të plotë të ambienteve. Pas verifikimeve, autoritetet bëjnë me dije se nuk është konstatuar asnjë send i dyshimtë apo i paligjshëm, duke qetësuar kështu situatën për qytetarët dhe vizitorët e qendrës tregtare.

Banorët e Rrjollit kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik të lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si zaptim të tokave të tyre. Disa prej tyre kanë tentuar të depërtojnë në zonën e kantierit përmes rrugëve alternative, por janë ndaluar nga forcat e rendit. Të revoltuar, banorët akuzojnë policinë se po mbron interesat e ndërtuesve dhe jo të qytetarëve. Në protestë ka pasur prezencë të shtuar të policisë, ndërsa tensionet kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës. Banorët kanë vijuar me thirrjet dhe akuzat ndaj autoriteteve, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga toka e tyre. “Ne nuk ikim nga toka jonë”, u shprehën protestuesit, teksa i bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’u bashkohen në mbështetje të kauzës së tyre.

Tensione dhe përplasje janë shënuar pak minuta para nisjes së përballjes së kryeqytetit Tirana-Partizani. Ndeshja e sotme zhvillohet në Air Albania.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme