
Një dokument arkivor i datës 16 tetor 1945 dëshmon për lejimin e riatdhesimit të Kol Kuqalit në Shqipëri, një vendim që ai e kërkoi vetë, me shpresën se do të kontribuonte në vendlindjen e tij për ndërtimin e një Shqipërie të lirë dhe demokratike.
Kol Kuqali ishte një nga dhjetë deputetët e pavarur në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 – të vetmit që guxuan të mos kandidonin nën siglën e Frontit Demokratik, fasadës politike të Partisë Komuniste Shqiptare në të parat dhe të vetmet zgjedhje ku u lejua pjesëmarrja e jokomunistëve.
Por kontributi i tij dhe vetë jeta e tij u shuan shpejt. Regjimi i ri nuk do të toleronte zëra të pavarur. Më 15 maj 1947, Ministria e Punëve të Brendshme i kërkoi Presidiumit të Kuvendit Popullor heqjen e imunitetit për dhjetë deputetë opozitarë: Kol Kuqali, Shefqet Beja, Selaudin Toto, Enver Sazani, Irfan Majuni, Faik Shehu, Sheh Karbunara, Kostandin Boshnjaku, Kadri Hoxha dhe Islam Radovicka. Ata u arrestuan dhe, gjatë procesit të hetimit, u përballën me tortura të rënda fizike e psikologjike, një metodë e zakonshme e hetuesisë për të nxjerrë deponime të paracaktuara nga Sigurimi i Shtetit.
Kuqali, një burrë me një të kaluar të pasur si nëpunës dhe përkthyes në Legatën Amerikane në Tiranë (1929-1938) dhe më pas zëvendësdrejtor i Bankës së Shqipërisë, u torturua për ditë me radhë, por refuzoi të firmoste deklarata të fabrikuara. Më 30 maj 1947, nën tortura, ai ndërroi jetë.
Kuqali kishte një karrierë të gjatë si në administratë, ashtu edhe në politikë, Kuqali kishte emigruar më herët në Rumani dhe SHBA deri në vitin 1924, për t’u rikthyer më pas në Shqipëri, ku shërbeu për shumë vite me përkushtim në Legatën Amerikane si sekretar dhe përkthyes. Pas riatdhesimit në vitin 1945, ai u emërua zëvendësdrejtor i Bankës së Shqipërisë. Ishte gjithashtu baba i dy djemve dëshmorë të Luftës Antifashiste, një fakt që nuk e shpëtoi nga persekutimi i regjimit komunist.
Kuqali kishte luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Sot, Ambasada Amerikane në Tiranë e nderon atë dhe kunatin e tij, Loni Adhamin, të dy nëpunës të ambasadës deri në vitin 1938, me një memorial, duke i cilësuar si viktima të terrorit komunist dhe të arrestuar si të dyshuar për lidhje me Misionin Ushtarak Amerikan në Shqipërinë e viteve 1945-1946.
Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë, institucioni ku Kuqali shërbeu si deputet, nuk ka ngritur asnjë memorial për përfaqësuesit e tij të pushkatuar dhe të zhdukur gjatë regjimit komunist. Përtej ndonjë ceremonie simbolike në sallën e mbledhjeve plenare, nuk ekziston asnjë sallë përkujtimore, pllakë apo memorial në oborrin e Kuvendit. Mungon një përpjekje serioze për të nderuar ata që u zgjodhën në mënyrë demokratike, por u eliminuan me dhunë dhe u dënuan me harresë gjatë diktaturës, por dhe në demokraci.