Kryesore 26 Shkurt 2025, 15:37 Nga VNA

Studimi: Përmirësohen treguesit e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar

Ndaje në Whatsapp
Studimi: Përmirësohen treguesit e luftës ndaj korrupsionit dhe

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) publikoi sot Raportin krahasues të vlerësimit mbi punën e institucioneve të posaçme të drejtësisë gjatë vitit 2024, ku regjistrohen statistika të rritura në gjithë treguesit e gjykimit të çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Raporti vlerëson se gjatë vitit 2024 është bërë një përparim më i mirë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Përparimi i institucioneve të posaçme dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka hyrë në një fazë të re, … për të garantuar ndikim afatgjatë në sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Është thelbësore të intensifikohen përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të konfiskimeve të pasurive të paligjshme dhe sigurimin e një llogaridhënieje më të thelluar në nivelet e larta të qeverisjes”, thekson Raporti.

Drejtuesi i Qendrës CSDG dhe bashkautori i studimit, Arjan Dyrmishi, thotë për Zërin e Amerikës se, katër vitet e para mund të cilësohen si faza e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë.

"Pas përfundimit të periudhës së ndërtimit të institucioneve të posaçme të drejtësisë në katër e vitet e para, shfaqen në vitin e pestë rezultatet e rritura sasiore në gjykimin e çështjeve dhe më tej presim rritjen e cilsësisë së punës me ndjekjen e krimit në nivelet e larta zyrtare", thotë zoti Dyrmishi.

Grafiku për rastet e korrupsionit

Korrupsioni

Në Raportin e pestë të CSDG-së mbi institucionet e posaçme të drejtësisë dhe luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vërehet një dyfishim i çështjeve për korrupsion të dërguara për gjykim nga SPAK-u.

Gjatë vitit 2024 Prokuroria e Posaçme regjistroi 186 procedime për korrupsion, sa gjysma e mesatares së katër viteve, dhe 41 prej këtyre çështjeve i çoi për gjykim në GJKKO, që janë sa dyfishi (22%) i mesatares së katër viteve të fundit (11%) në raport me procedimet, thuhet në studim.

Numri i çështjeve të nisura për gjykim në 2024-ën janë sa mesatarja e katër viteve, megjithatë numri i çështjeve të dërguara për gjykim është sa çereku i procedimeve të regjistruara në 2024-ën, dhe një pjesë e madhe e çështjeve vazhdojnë të jenë në fazë hetimi.

Studimi vëren se në procedimet e regjistruara për korrupsion gjatë vitit të kaluar janë përfshirë 194 persona, nga të cilët treçereku (141) i tyre u dërguan për gjykim dhe 134 persona, ose pothuaj të gjithë (95%), u dënuan, ndërsa shumica dërrmuese e çështjeve kanë përfunduar me vendime dënimi.

Edhe numrat e dërguar për gjykim edhe ato të dënuar gjatë 2024-ës janë dukshëm më të larta se mesatarja e të katër viteve të marra së bashku.

Grafiku për rastet e krimit të organizuar

Krimi i organizuar

Raporti vëren një shtim të çështjeve për krim të organizuar në Prokurorinë e Posaçme të dërguara për gjykim gjatë vitit 2024. Nga 101 procedime të regjistruara, 21 u dërguan për gjykim, ose afro një e pesta e tyre. Kjo përqindje është afro tre herë më e lartë se mesatarja e katër viteve (7.3%). Gjithësesi mbetet një diferencë e ndjeshme midis procedimeve të regjistruara dhe atyre të çuara në gjykim, ndërsa katër të pestat e çështjeve janë në fazë hetimi. Në çështjet e regjistruara për gjykim nën dyshimet për krim të organizuar janë përfshirë 262 persona, dhe më shumë se gjysma e tyre, 134 vetë (51%), janë dërguar për gjykim, shifër kjo po ashtu më e lartë se mesatarja e katër viteve (44%). Nga këta 134 të pandehur të dërguar për gjykim, 88 (ose 66% e tyre) janë dënuar, një shifër gjithashtu më e lartë se mesatarja e katër viteve (61.8%). Raporti thekson se norma e dënimeve për krim të organizuar (66%) është më e ulët se ajo e çështjeve të korrupsionit (95%).

Konferenca e CSDG-së për drejtësinë

Vlerësime pas statistikave

Gjatë vitit 2024 janë rritur numrat dhe vlerat e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara, thuhet në Raport, por konfiskimi i pasurive të zyrtarëve të lartë mbetet me shifra tepër të ulëta dhe mangësi të ndjeshme.

Shpërdorimi i detyrës dhe përfitimi i paligjshëm i interesave përbëjnë shumicën e dënimeve për korrupsion të zyrtarëve të lartë, vëren Raporti, ndërsa korrupsioni, manipulimi i tenderave dhe prokurimeve për zyrtarët e lartë përbëjnë një numër më të kufizuar rastesh. Por nga 8 vendime për korrupsion të nivelit të lartë gjatë vitit 2024, shtatë përfshijnë kryetarë bashkish, ndërsa një rast lidhet me sistemin e drejtësisë, thuhet në Raport.

Shumica e rasteve, sipas studimit, kanë të bëjnë me abuzime mbi kontrata publike dhe prokurime vendore me ndikim të kufizuar rajonal apo bashkiak, transaksione të vogla financiare, pagesa të drejtpërdrejta dhe keqpërdorim të fondeve publike, pa mekanizma të ndërlikuar të fshehjes financiare.

Autorët vërejnë se korrupsioni përdoret shpesh jo vetëm përfitime financiare, por edhe si mjet për ndikim politik, duke përforcuar klientelizmin dhe kapjen e shtetit në nivel vendor.

Raporti veçon se kryetarët e bashkive janë më të ndjekurit penalisht për korrupsion, ndërsa nuk ka patur asnjë vendim që përfshin zyrtarë të nivelit të lartë nga pushteti ekzekutiv apo legjislativ.

Edhe numri i magjistratëve të përfshirë në korrupsion mbetet i ulët, pavarësisht se shumë prej tyre u larguan nga detyra për shkelje të lidhura me pasurinë, integritetin dhe profesionalizmin, vëren Raporti i CSDG-së.

Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, duke folur në konferencën për drejtësinë

Komentet e drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani

Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, tha në konferencë se në bashkëpunim partnerë ndërkombëtarë po kryen hetime dhe po goditen grupe dhe organizata kriminale të përfshira në trafiqe ndërkombëtare të drogës dhe qenieve njerëzore, pastrim parash, dhe krime ndaj kundërshtarëve të tyre, sekuestrimet e pasurive të tyre janë rritur në 59 milionë euro, e po ashtu po heton çështje të vështira korrupsioni dhe zyrtarë të lartë shtetërorë.

“SPAK ka treguar se është në gjendje, në respektim të ligjit dhe të Kushtetutës, të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet”, tha zoti Dumani.

Zoti Dumani tha se besimi tek reforma në drejtësi po rritet dhe qytetarët po vetëdijësohen se të gjithë vijnë as ligjit, por sërish ka sfida, që SPAK-u do t’i përballë me integritet, pa u ndikuar nga faktorë të tjerë.

I pyetur në konferencë mbi masat e sigurisë ndaj të dyshuarve për çështje të ndryshme, zoti Dumani tha se ato janë të larmishme dhe arresti me burg kërkuar nga SPAK-u zë vetëm një përqindje të vogël, kryesisht i përkasin krimit të organizuar, ndërsa në çështjet e dyshuara për korrupsion, afro gjysma e personave hetohen në gjendje të lirë, madje edhe trendi i arresteve me burg është në rënie.

“Përpjekja për të vendosur SPAK-un si një institucion represiv është një përpjekje e dështuar, sepse shifrat flasin vet. Institucioni ka publikuar numrin e përgjithshëm të paraburgosurve për llogari të SPAK-ut në raport me numrin total të paraburgosurve në Shqipëri; ata janë vetëm më pak se 9 për qind dhe këta në masën absolute janë për veprën e krimit të organizuar”, tha zoti Dumani.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Organizatës Transparency International për vitin 2024 Shqipëria u rrit me 5 pikë dhe u ngjit me 18 vende në renditje krahasuar me një vit më parë, e 80-ta mes 180 shteteve.

Vendi ka hapur negociatat me BE-në për Grup-Kapitujt e Parë, që i përket sundimit të ligjit dhe arritjes së standarteve në këtë fushë, ndaj rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar vlerësohen si të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit europian./VOA

Video

Momenti kur Rakip Gila, pasi kryen masakrën me dy viktima dhe dy të plagosur, kërcënon me armë drejtuesin e një automjeti, me të cilën tenton arratisjen.

Pas operacionit të zhvilluar sot në Elbasan, 30 personat e arrestuar janë nisur me autobus drejt qelive të paraburgimit në Tiranë. Ata do të qëndrojnë aty deri në përfundim të hetimeve.

?Kryeministri i Spanjës shpall embargo të plotë armësh ndaj Izraelit dhe e cilëson sulmet ndaj palestinezëve si ‘gjenocid’ "Ajo që po bën Izraeli nuk është vetëmbrojtje," por "shfarosje e një populli të pambrojtur dhe shkelje e ligjeve të së drejtës humanitare." Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka njoftuar sanksione të reja për të frenuar “gjenocidin” që po ndodh në Gaza. Ky hap i ri (jo një ndryshim drejtimi, duke marrë parasysh rolin që luan Spanja në dënimin e veprimeve të Izraelit) është si në aspektin narrativ — tani edhe qeveria spanjolle flet hapur për “gjenocid” — ashtu edhe në aspektin praktik, me kreun e qeverisë që ka njoftuar miratimin e afërt të një dekreti që formalizon atë që në praktikë ishte në zbatim prej kohësh: embargo të plotë për blerjen dhe shitjen e armëve me Izraelin. Përveç kësaj, lideri socialist ka shpallur edhe tetë masa të tjera. Ndërhyrja e Sánchez filloi duke kujtuar “vuajtjen” e popullit hebre, Holokaustin dhe “persekutimet” ndaj tij gjatë historisë, duke ritheksuar gjithashtu dënimin ndaj Hamasit. Por “me të njëjtën bindje, qeveria e Spanjës beson se një gjë është të mbrosh vendin tënd dhe një tjetër, krejt ndryshe, është të bombardosh spitale dhe të vrasësh nga uria fëmijë të pafajshëm. Kjo” — shtoi ai gjatë një konference për shtyp në Moncloa, parlamentin e Madridit — “është një sulm i pajustifikueshëm kundër popullsisë civile, të cilin raportuesi i Kombeve të Bashkuara e përkufizon si gjenocid. 60 mijë të vdekur, dy milionë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, gjysma prej të cilëve fëmijë.” Më pas ai kritikoi hezitimin e disa vendeve evropiane, si Italia, të cilat ende nuk kanë vendosur embargo për armët apo nuk janë shprehur në favor të njohjes së shtetit të Palestinës, një propozim që Madridi e ka përqafuar i pari në Evropë: “Fuqi të mëdha përfundojnë të bllokuara mes indiferencës dhe bashkëfajësisë.”

Një masiv pyjor në zonën e Bushtricës, Kukës, u përfshi nga flakët mesditën e sotme. Për shuarjen e zjarrit u angazhuan rreth 60 punonjës nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë Kukës, administrata e pyjeve, shërbimet publike dhe policia bashkiake, të mbështetur edhe nga grupe vullnetarësh. Burime bëjnë të ditur se terreni i vështirë nuk ka lejuar ndërhyrjen me automjete zjarrfikëse, megjithatë punonjësit në terren po vijojnë punën intensive për izolimin e vatrës.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme