Bota 3 Janar 2025, 16:34 Nga VNA

Izraeli intensifikon sulmet në Gaza, mes një ripërtëritjeje të përpjekjeve për marrëveshje armëpushimi

Ndaje në Whatsapp
Izraeli intensifikon sulmet në Gaza, mes një ripërtëritjeje

Izraeli tha të premten se kreu sulme ajrore ndaj dhjetëra objektivave të Hamasit në Gazë gjatë 24 orëve të fundit, të cilat sipas autoriteteve shëndetësore palestineze shkaktuan vdekjen e të paktën 100 personave.

Intensifikimi i operacioneve dhe rritja e numrit të viktimave vjen në një kohë kur janë ripërtërirë përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi përpara se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump të marrë detyrën këtë muaj. Negociatorët e Izraelit shkuan të enjten në Doha, për të rifilluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se 27 persona u vranë të premten herët, ndërsa 71 u vranë një ditë më parë, përfshirë në Al-Mawasi, një zonë në Gazën qendrore, e shpallur më parë si zonë e sigurt humanitare nga autoritetet izraelite.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur rreth 40 pika grumbullimi të Hamasit, si dhe qendra komandimi dhe kontrolli të tij. Ushtria tha se kishte marrë masa të shumta për të minimizuar pasojat tek civilët, përfshirë përdorimin e municioneve me precizion të lartë, mbikëqyrjen ajrore dhe informacione të tjera zbulimi.

Izraeli akuzoi Hamasin për vendosjen e luftëtarëve në zona civile, përfshirë në ndërtesat e përdorura më parë si shkolla. Hamasi hedh poshtë akuzat se përdor qëllimisht popullatën civile për të mbrojtur luftëtarët.

Të premten, ushtria u tha civilëve në zonën al-Bureij në Gazën qendrore që të evakuoheshin përpara një operacioni që u ndërmor pas sulmeve me raketa nga zona. Ai tha se banorët duhet të zhvendosen në zonën humanitare për sigurinë e tyre.

Izraeli e filloi sulmin në Gazë në përgjigje të sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin militantët vranë rreth 1200 vetë dhe morën rreth 250 pengje.

Fushata ushtarake e Izraelit, me synim çrrënjosjen e Hamasit, ka shkatërruar pjesë të enklavës, duke dëbuar shumicën e njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe ka shkaktuar vdekjen e 45,581 palestinezëve sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi dhe nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe civilëve.

DIPLOMACIA E NGECUR

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve për një vit pa sukses dhe po bëjnë një përpjekje tjetër këtë muaj përpara inaugurimit të zotit Trump më 20 janar.

Përpjekjet për armëpushim kanë ngecur vazhdimisht për shkak të një mosmarrëveshjeje themelore mbi mënyrën se si t’i jepet fund konfliktit.

Hamasi thotë se do të pranojë një marrëveshje dhe do të lirojë pengjet vetëm nëse Izraeli angazhohet për t’i dhënë fund luftës. Izraeli thotë se do të pranojë të ndalojë luftimet vetëm pasi Hamasi të shkatërrohet.

Presidenti amerikan Joe Biden ka bërë thirrje vazhdimisht për një marrëveshje armëpushimi. Presidenti i zgjedhur Trump ka thënë se nëse nuk ka një marrëveshje për lirimin e pengjeve përpara inaugurimit të tij, ai do të reagojë me forcë.

Ushtria izraelite ka hyrë pothuajse në çdo pjesë të Gazës, por ende po lufton ndaj militantëve të Hamasit, të cilët po zhvillojnë luftë guerile mes rrënojave të enklavës së vogël.

Ushtria izraelite tha se sulmet e së enjtes kishin në shënjestër militantët e Hamasit në qytetin jugor të Khan Younisit dhe kampin e Mawasit, që e ka përcaktuar si zonë humanitare.

I pyetur për numrin e të vdekurve të raportuar të enjten, një zëdhënës tha se ushtria izraelite ndjek ligjin ndërkombëtar në luftën e Gazës dhe se kishte marrë “masa paraprake për të zbutur pasojat tek civilët”./VOA/

 

Video

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një banesë në lagjen Dudas të qytetit të Shkodrës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ngjarja ka rrezikuar edhe banesat përreth, pasi objektet janë shumë afër njëra-tjetrës. Në vendngjarje janë angazhuar pesë automjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë intensivisht për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas informacioneve paraprake, shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike, si pasojë e instalimeve të vjetra elektrike brenda banesës.

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë sot në mbrëmje lagjen Dudas në Kiras të Shkodrës, duke shkrumbuar dy banesa. Forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve, ndërsa policia ka rrethuar zonën. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta.

✨ Spektakël mbi qiellin e Vatikanit! ✨ Në Sheshin e Shën Pjetrit, koncerti “Grace for the World” u shndërrua në një përvojë të jashtëzakonshme muzikore dhe vizuale. 3,500 dronë formuan fytyrën e Papa Françeskut në qiell, ndërsa tingujt e “Amazing Grace” nga Andrea Bocelli dhe Jelly Roll mbushën sheshin me emocione. https://vna.al/bota/spektakel-qiellor-mbi-vatikan-3500-drone-formojne-fytyren-e-papa-franceskut-i14497

Automjeti i parkuar përfshihet nga flakët në Ksamil, ndërhyjnë zjarrfikësit Një automjet është përfshirë nga flakët sot në mbrëmje në një lagje të Ksamilit. Ngjarja ka ndodhur teksa mjeti ndodhej i parkuar, ndërsa sipas burimeve paraprake bëhet e ditur se automjeti mbante targa rumune. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme