Histori të harruara 4 Gusht 2025, 18:03 Nga VNA

Kur poeti Ali Asllani kërkoi mëshirë nga regjimi komunist

Ndaje në Whatsapp
Kur poeti Ali Asllani kërkoi mëshirë nga regjimi komunist

Letra e panjohur e Ali Asllanit, poetit të brezit të rilindjes së vonë dhe ish-kryebashkiakut të Vlorës në vitet 1918–1920, në kohën kur italianët u detyruan të tërhiqeshin nga qyteti, luftë të cilës ai i kushtoi edhe poezinë “Vlora, Vlora…”, si dhe sërish në vitet 1934–1939, pas ushtrimit të funksioneve diplomatike si konsull në Trieste, Athinë dhe Sofje, në dy të fundit edhe si ambasador, zbulon fatin e trishtë të një shqiptari me kontribute të vyera letrare, publike dhe atdhetare, që u la në harresë nga regjimi komunist.

Megjithëse gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte qëndruar kryesisht pasiv, Asllani nuk ishte komprometuar direkt me pushtuesit, por as nuk u përfshi në strukturat e reja pas vitit 1944. Në letrën e tij të vitit 1959, drejtuar Kryeministrit Mehmet Shehu, ai, tashmë në moshën 80 vjeçare, kërkon rikthimin e dinjitetit të tij si poet dhe njohjen e veprës së tij poetike, me shpresën për botim dhe pranim në Lidhjen e shkrimtarëve që as ftesa eventesh nuk i dërgonte. Pa pension, i papranuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, ai vijonte të punonte me përkthime dhe në mbledhjen e dokumenteve historike për Institutin e Shkencave, ndonëse i moshuar. Por pavarësisht këtij kontributi ai u refuzua nga elita e re letrare e realizmit socialist, si një poet i një letërsie të vjetër, tashmë e padëshiruar për letrarët e Shqipërisë komuniste.

Shoku Kryeministër,

Unë Ali Asllani tashmë afro 80 vjeç e deri diku i njohur si poet, marr kurajon t’u drejtohem juve si kryeministër, por dhe si lëvronjës i gjuhës sonë arbërore dhe ju lutem t’ju lutem ta këndoni personalisht këtë letër.

Unë nuk kam shërbyer ashtu si duhet shërbeja dhe si e lyp dinamizma e jetës sonë të re, dhe sidomos nuk qesh i zoti të rrëmbeja atë pushkë qe i kam kënduar aqë shumë, por nuk mund të thuhet se kam qëndruar indiferent: e këndova revolucionin dhe e  godita rendë armikun e jashtëm e të brendshëm, kur ju luftonit (shihni një nga vjershat e mia “Hakrimi e vitit 1943, botuar edhe në revistën Nëndori, nr 8, 1958).

Që nga dita e çlirimit të Shuperisës 29 Nëntor 1945 e tehu, kur u shoshiten punët dhe njerëzit e të kaluarës, mua nuk më është bërë as më i pakti qortim, as më e pakta vrejtje, dhe jo vetëm personit tim, por edhe atyre të barkut tim. Përkundrazi, në çdo ngjarje, emri im u përmend për të mirë dhe me të mirë, dhe kësisoj unë deri në vitin 1950, në çdo rast munda të jepja një kontribut qoft edhe të vogël, herë me botime poezish (me pseudonimin “Uilliri”, “Dega”) herë me deklamacione nëpër kongrese dhe duke bashkëpunuar në mbledhjen dhe në përkthimin e dokumentave historike në Institutin e Shkencave.

Shoku Kryeministër, vjershat e mia mbajnë data të ndryshme, që nga viti 1915 deri tash von 1955. Pjesa epike, përveç një pakice, nuk mund të botoheshin sepse në ato kohëra, sidomos në Vlorë, ndodheshim nën thundrën e Italisë dhe vjershat në fjale pikërsht këte gjë luftonin. Me von, armiku që u debua me pushkë, erdhi përsëri me dipllomaci dhe alleancën për të përfunduar pastaj në okupacionin direkt.

Shoku Kryeministër, në Gushtin e kaluar erdhi një shkrimtar i ri, shoku Razi Brahimi, nga ana e Revistes Nëndori, dhe i autorizuar nga shokët bashkëpunëtor të tij, me qëllim që ti bëhej një shërbim letërsisë tonë, me kërkojë poezitë për ti botuar. Ja dorëzova me gëzim të madh, I shqyrtuam edhe se bashku dhe, përveç një pakice, shoku në fjalë i gjeti të mira dhe të inspiruara me frymën e re. Kështu nga 4000 e disa vargje që ay mori, rreth 600 vargje u botuan në numrin 8 të Revistes Nëndori viti 1958. Këto u zgjodhën dhe u botuan vetë nga Redaksia, dhe të gjitha së bashku, epike, shoqërore dhe lirike iu dorëzuan Nderrmarries së Botimeve që në fillim të majit shtator 1958 me qëllim që të botohenin në një libër, por deri sot, megjithëse kanë kaluar 8 muaj, nuk e di për ç’arsye botimi nuk është bërë.

Ky botim për mua ish dhe është një kënaqësi e madhe.

Shumicën e këtyre vjershave i pat studjuar shkrimtari Sterjo Spase dhe kuptoj se i njohin edhe shokët Shefqet Musaraj, Prof. Skënder Luarasi e të tjerë.

Shoku Kryeministër, unë me poezitë epike kam kënduar heroizmin e popullit shqiptar; me poezitë shoqërore kam vënë në lojë disa vese të kohës dhe të jetës shoqërore që kam përjetuar, me poezitë lirike kam kënduar dashurinë, bukurinë e vendit tonë dhe sidomos bukurinë e vajzës arbërore dhe posaçërisht vajzën e Shqipërisë së re që nën udhëheqjen atërore të Partisë dh të Pushtetit Popullor:

“Me një çkathje të çuditur

gjeti këngën e grabitur”

……………………………………….

“Llërë djegura në diell

llere djeguri në arë

po e bëjnë plisin mjell,

dhe ugar ergjend e ar!”

Unë do dëshiroja shumë që disa nga këto vjersha t’i kisha mundësi t’i këndoa vetë para jush, por duke marrë parasysh vleftëm e madhe që ka koha për ju, nuk kam pasur guximin t’ju drejtohesha, dhe bile edhe sot s’di se si guxova; po, meqë jam në moshën afro 80, këtë do ta quaja si një privilegj që mund t’i bëhet ndihmë moshes dhe jo personit tim nga ana juaj.

Për këto vjersha që, gjatë 30 vjetëve nuk u lejuan të botohenin dhe mbetën në heshtje, më duket se ka ardhur koha për botim. Sikur koha t’ju lejonte dhe t’i merrnit në shqyrtim, jam i bindur se do t’u jepnit organeve kompetente udhëzimet e nevojshme për botimin e tyre.

Shoku Kryeministër, kam dhe një çështje tjetër: nga Klubi i Shkrimtarëve këtu nuk kam marrë asnjë ftesë deri më sot. Kjo nuk është e drejtë sepse kur ishim nën okupacionin italian, emri im së bashku me atë të Fan Nolit dhe dy a tre të tjerë, nuk figuruan kurrë në listën e Shoqërisë Letrare; shkaku ish se poezitë e mia, si p.sh. “Fejzo Xhafua”, kënga “Vlorë, Vlorë” dhe shumë e shumë të tjera, i kishin goditur shumë Italinë, qysh nga data 1915, goditje që vazhduan me rreptësi edhe më të madhe, deri sa pushka Nacional-Çlirimtare e përmbysi okupatorin. Kjo gjë do të ishë një arsye e mjaftë për mua për të mos mbetur në harresë; atë derë që ma pat mbyllur dora e okupatorit, dora e shokut dhe e vëllait çlirimtar duhet ta më çeli me plot dhemshuri.

Shoku Kryeministër, përfitoj nga rasti t’ju përmend edhe se shumë vite më parë kam patur botuar një poemë me emrin “Hanko Halla”. Hanko Halla flet si mëm’e Zeqos maj’ thanës, i ka endë follat e pallaskat dhe kemishat e zeza mbi gjuhë hajdutçe, ashtu dhe zemërohet nga gjynahet tona të cilat kanë shkaktuar që në muajin ramazan të dy grepat e hënës nuk po kthehen më nga Qabeja. Kjo është një vepër humoristike. Sot nuk gjendet as një kopje e kësaj vepre, në qoftë se do ta quani të vlefshme, lutem që edhe kjo të ribotohet.

Shoku Kryeministër, Partija dhe Pushteti, poetët dhe patriotët e Rilindjes i kërkoi dhe i gjeti nga ishin dhe ku ishin, dhe i ndëroi dhe i ringjalli duke i sjellë në atdhé eshtrat e tyre, prandaj jam i bindur se, Partija dhe Pushteti që na ngjalli dhe ndërroi ata, nuk do më lërë mua në harresë, me gjithë se unë nuk kam rëndësinë e tyre, por mosha ime dhe koha më pat radhitur me ata bashkë.

Duke ju kërkuar ndjesë për bezdinë dhe i bindur se punës time do t’i jepet një zgjidhje e drejtë, ju parashtroj ndërmet e mia.

(Ali Asllani)

 


Tiranë, më 28 Prill 1959

Sheshi Avni Rustemi 107

Tiranë

Video

Donald Trump u përplas me ambasadorin e Australisë në Shtetet e Bashkuara, Kevin Rudd, gjatë një deklarate me gazetarët që mbulonin vizitën e kryeministrit australian Tony Albanese në Uashington. Gjatë konferencës, një gazetar australian e pyeti presidentin amerikan nëse kishte ndonjë shqetësim në lidhje me qeverinë australiane — veçanërisht për shkak të komenteve kritike që Rudd kishte bërë në të kaluarën për të, kohë kur ai shërbente si kryeministër. Trump reagoi menjëherë duke thënë: “As mua nuk më pëlqen, dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë.” Komentet kritike të Rudd ndaj Trump datojnë në vitin 2020, kur ai e kishte cilësuar atë në rrjetet sociale si “presidentin më shkatërrues në histori”. Postimi u fshi më vonë, por duket se nuk është harruar nga presidenti amerikan.

Një tornado e fuqishme ka goditur rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy vinça gjigantë rrëzohen nga forca e erës, ndërsa dëmet materiale në zonat e prekura janë të konsiderueshme. Tornado e rrallë për këtë rajon ka shkaktuar panik në disa zona të periferisë së Parisit, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren për të ndihmuar të prekurit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme derisa situata të stabilizohet.

Një granatë dore e periudhë së Luftës ka shpërthyer sot në fshatin Gështenjas të Pogradecit, duke plagosur një 49-vjeçar. Gentian Yzellari po punonte në oborrin e banesës së tij kur gjatë punës me një mjet bujqësor ka aktivizuar aksidentalisht një granatë dore që ndodhej nën tokë. Si pasojë e shpërthimit, ai ka pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë. Yzellari po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pogradecit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e transportimit të tij drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit. Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Një pasagjer tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve. Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme