Nga Vehap Kola
Historia është një rrëfim i ndërtuar nga ata që e shkruajnë, por shpesh ajo që mbetet e pashkruar është po aq domethënëse sa dhe ajo që ruhet në libra. Kombet kujtojnë ata që i shkojnë për shtat rrëfimit të tyre zyrtar dhe ndryjnë në harresë të qëllimshme ata që nuk i përkulen këtij rregulli.
Harresa nuk është vetëm një proces i natyrshëm, por shpesh një zgjedhje e mirëfilltë politike, që i jep formë kujtesës kolektive dhe përcakton se cilat figura mbeten në histori dhe cilat fshihen nga faqet e saj.
Harresa nuk është vetëm instrument i pushtetit. Ajo krijohet edhe nga mospërkujdesja e shoqërive për trashëgiminë e tyre estetike e intelektuale. Shumë njerëz dhe histori harrohen sepse zëri i tyre ngulfatet me përdhunë, ashtu sikundër zëri i shumë njerëzve dhe jehona e shumë historive meket sepse janë lënë në harresë.
Nëse do të duhej një histori për të provuar harresën e qëllimshme kombëtare, do të mjaftonte Hafiz Ali Korça. Diktatura komuniste i dha vuajtje të parrëfyeshme, jo për ta përkulur por për ta ndëshkuar në mënyrën më të pamëshirshme për atë që kishte bërë për Shqipërinë.
Megjithatë, e ashtuquajtura liri e tranzicionit u kujdes të mos e linte asnjëherë të hynte brenda rrethimit me tela me gjemba të sferës publike. Hafiz Aliu u mbajt në periferi si një figurë e dorës së dytë a të tretë dhe historia e tij e kontributit në arsim dhe veprimtaria e tij kombëtare u harrua.
Nga një figurë e njohur dhe e respektuar, Hafiz Ali Korça është bërë i panjohur për shumicën e shqiptarëve. Emri i tij është fshirë nga librat, kontributet e tij janë injoruar dhe jeta e tij tragjike është shndërruar në një shënim të zbehtë në margjinat e ngjarjeve gjysëm-publike, në salla të mbyllura hotelesh dhe nga goja e njerëzve që kacaviren pas emrit që i ka mbetur.
Hafiz Aliu u godit nga vala e parë e terrorit komunist. Në një letër që ai i dërgon diktatorit në 9 shkurt të vitit 1945, përshkruajnë fatin tragjik të dijetarit dhe edukatorit, varfërinë dhe vetminë ngjethëse ku e ka çuar përndjekja politike:
“Ja sot, ky plaku i gjorë që jetën e pasurin e vetë e pat sakrifikuar për atëdhenë, pranë vehtes së tij s’ka asnjë çun, ka mbetur pa shtëpi, pa katandi, pa rrogë dhe me një tufë femra, po vdes për bukë.”
Në letrën e tij, Hafizi duket se ka një parandjenjë - që nuk është i gatshëm ta pranojë - se ky është fati i parathënë i çdokujt që nuk ia ka me hile këtij populli.
“Në kohët të Tyrqisë 20 vjet u ndodha profesor në aritmetikët, gjeografi edhe në mësimë të tjera në gjimnasin e Korçës. Në kohët të Prenc du Wiedit isha këshilltar i ministrisë së arësimit, në kohët t’Esad pashajt si ministër i arësimit dhe në kohën e Austro-Hungarisë si Drejtor i Përgjithçëm i arësimit dhe anëtar i Këshillit të nalt të Sheriatit. Kur u zgjoth Zogu si Kryetar shteti, me qënë se unë pas urdhrit s’ia këndova Hytbenë u qita jashtë me një rrogë jetike e patrijotike. Në kohët t’Italisë u zgjodha Kryetar i Komunitetit mysliman, por unë s’e pranova dhe mospranimin e deklarova me anën e fletores Tomori… Shtypi i huaj më ka njohur nga ylemat e mëdhenj… Për ta ndriçuar moshën e njomë shqipëtare, kam shkruar e shtypur më tepër se 30 libra të mëdha e të vogla… Por sot ky plaku i mjerë që ndodhet në moshën 70-80 po vuan për bukë.”
Duhet të kesh një grimë dinjitet dhe njerëzillëk që të bashkëndjesh paksa dhimbjen që është dashur të gëlltisë Hafizi për t’i shkruar një letër atij që drejtonte aparatin e represionit ndaj elitës intelektuale e shpirtërorë të kombit shqiptar.
Por nuk mund të mos rebelohesh dhe të përqafosh cinizmin si të vetmen gjuhë që kuptojmë, kur lexon lodhjen dhe trishtimin që vendi i shqiponjave dhe fajkojve u fal bijve të tij më të fisëm.
Historia post-komuniste e Hafiz Aliut është dëshmi e bollshme e rehabilitimit selektiv të figurave të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë, që ishin përndjekur e fshirë nga historia nga regjimi komunist.
Kjo harresë aktive dhe e mirëmenduar, i ngjan më shumë një strategjie politike për t’i qepur Shqipërisë dhe shqiptarit kostumin që i shkon përshtat interesave dhe komplekseve të klasës politike dhe elitës kulturore që dominon sferën publike. Ajo nuk është thjesht pasojë e rastësisë apo mungesës së dokumentacionit, por një proces aktiv që synon t’i japë një trajtë të caktuar kujtesës kolektive.
Të kujtosh Hafiz Aliun ashtu siç e ka hak sakrifica e tij sublime nuk është vetëm punë e akademisë apo aktivizmit, por është edhe akt drejtësie ndaj atyre që kontribuuan për shqiptarët dhe u lanë në harresë. është edhe mesazhi kritik që çdo fëmijë dhe i ri duhet të marrë nga ky vend përpara se t’i dorëzohet dyshimit të arsyeshëm se e ardhmja u përket dallkaukëve dhe sharlatanëve. Të kujtosh tragjedinë e intelektualit dhe atdhetarit Hafiz Ali Korça është bërë sot më e dosmosdoshme se ç’ishte në vitin 1990.
Në vijim, teksti i plotë i letrës:
***
9/II/45
Gjeneral Enver Hoxha
NR. 55
21.2.45
TË RUHET
Dyk e u pshtetur në drejtësit, kam nderin t’ju lutem sa vijon:
1/ Në kohën e Tyrqisë disa her u burgosa (u internova e u dënova me vdekje), kështu edhe në kohët të rebelizmit u burgosa e u dënova me vdekje.
2/ Në kohët të Tyrqisë 20 vjet u ndodha profesor në aritmetikët, gjeografi edhe në mësimë të tjera në gjimnasin e Korçës. Në kohët të Prenc du Wiedit isha këshilltar i ministrisë së arësimit, në kohët t’Esad pashajt si ministër i arësimit dhe në kohën e Austro-Hungarisë si Drejtor i Përgjithçëm i arësimit dhe anëtar i Këshillit të nalt të Sheriatit. Kur u zgjoth Zogu si Kryetar shteti, me qënë se unë pas urdhrit s’ia këndova Hytbenë u qita jashtë me një rrogë jetike e patrijotike.
Në kohët t’Italisë u zgjodha Kryetar i Komunitetit mysliman, por unë s’e pranova dhe mospranimin e deklarova me anën e fletores Tomori.
3/ Me anën e shtypit Tyrk, Egjyptijan e Persijan, u mundova shumë herë me artikuj për ta luftuar kombësinë. Shtypi i huaj më ka njohur nga ylemat e mëdhenj.
4/ Për ta ndriçuar moshën e njomë shqipëtare, kam shkruar e shtypur më tepër se 30 libra të mëdha e të vogla.
Që të gjitha këto po vërtetohen me anën klishevet që janë shënuar në librin [Shtat ëndërat e Shqipërisë] të cilat janë Decomento historike.
Por sot ky plaku i mjerë që ndodhet në moshën 70-80 po vuan për bukë.
Im bir Kapiten Salahyddini pa rënë Tirana u dorëzua në Ndroq dhe s’dihet ku është. Çuni tjetër Iljazi u burgos dhe dyk e qenë se para gjyqit dolli i pafajçëm akoma po dergjet i sëmurë në burk.
Çuni i tretë Kapiten Alayddini dyk e qenë se me vullnetin e vetë erdhi prej Romës dhe me parachyt zbriti në Himarë, sot si ushtar i fjeshtë po gjindet [në] Sarajev.
Ja sot, ky plaku i gjorë që jetën e pasurin e vetë e pat sakrifikuar për atëdhenë, pranë vehtes së tij s’ka asnjë çun, ka mbetur pa shtëpi, pa katandi, pa rrogë dhe me një tufë femra, po vdes për bukë.
Shpresoj se drejtësija do të meret parasysh dhe me lirimin e djemve do të më paguhen edhe rrogat e mbetme bashkë me ato që do të vazhdojnë që me këtë mënyrë të munt të jetoj.
Me nderime,
Hafëz Ali Korça