Politika 15 January 2025, 16:58 Nga VNA

Gazment Bardhi: Deputetët e PD të deklarojnë nëse përdorin aplikacionet SkyEcc dhe Encrochat

Ndaje në Whatsapp

Përmes një shkrese, Gazment Bardhi, në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë, që deputetët të plotësojnë një formuluar ku të deklarojnë nëse kanë përdorur apo jo, aplikacionet SkyEcc dhe Encrochat. “Nga burime të ndryshme mediatike janë hedhur dyshime serioze se në aktet e dërguara nga autoritetet franceze, belge dhe hollandeze të drejtësisë, rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme”, shkruhet në shkresën e Bardhit, drejtuar kryeparlamentares, Elisa Spiropali. Ai thekson se këto dyshime ngrejnë pikëpyetje mbi integritetin e deputetëve, si edhe të vetë Kuvendit të Shqipërisë. “Prandaj është propozuar detyrimi i çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”, shkruan kreu i Grupit të PD-së, teksa shtoi se formulari do të jetë i bazuar në modelin e përdorur për punonjësit e Policisë së Shtetit. Shkresa Nga burime të ndryshme mediatike janë hedhur dyshime serioze se në aktet e dërguara nga autoritetet franceze, belge dhe hollandeze të drejtësisë, rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme. Këto dyshime ngrejnë pikëpyetje mbi integritetin, etikën dhe besueshmërinë jo vetëm të deputetëve, por edhe të vetë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka për funksion themelor të sigurojë përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve dhe një proces ligjbërës të udhëhequr nga interesi publik. Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si përfaqësues të qytetarëve, duhet të mishërojnë standardet më të larta të integritetit profesional dhe moral, etikës dhe ligjshmërisë. Ekzistenca e komunikimeve në aplikacionet e enkriptuara, që dihet botërisht se përdoreshin nga grupet kriminale, me qëllim ushtrimin e aktiviteteve të paligjshme, dëmton rëndë reputacionin dhe kredibilitetin e deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë. Prandaj, nisur edhe nga modeli i përdorur për punonjësit e Policisë së Shtetit, të miratuar me urdhërin nr. 196, datë 04.12.2023 të Ministrit të Brendshëm, me qëllim ruajtjen e standardeve më të larta etike dhe të integritetit, është propozuar detyrimi i çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”. Neni 62/2, i propozuar për t’u shtuar në Rregulloren e Kuvendit, parashikon, krahas detyrimit për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, modelin e vetëdeklarimit, afatin e dorëzimit të këtij formulari, strukturën administruese, pasojat e plotësimit me të dhëna të rreme, publikimin në faqen zyrtare të Kuvendit, në përputhje me parimin e transparencës, dhe përcjelljen për dijeni Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Si shprehje e vullnetit të plotë për miratimin e kësaj dispozite, deputeti propozues i këtij projektvendimi, do të dorëzojë bashkëlidhur edhe formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”, të plotësuar.

Video

Vila e Ballukut në Palasë “përtej lejes së ndërtimit”, emaili që zbulon ndryshimet në projektin luksoz të sekuestruar nga SPAK.

Momente paniku janë regjistruar gjatë një fluturimi të Turkish Airlines, pasi avioni është përballur me turbulenca të forta. Lëkundjet e njëpasnjëshme dhe të dhunshme kanë shkaktuar frikë mes pasagjerëve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta fshehin panikun gjatë momenteve të tensionit. Pamjet nga brenda kabinës tregojnë situatën e krijuar teksa avioni kalonte në zonën e turbulencave. Turbulencat janë një fenomen i zakonshëm gjatë fluturimeve, por kur janë të forta mund të shkaktojnë lëkundje të menjëhershme dhe situata frike mes udhëtarëve.

PS dhe PD përplasen në politikë, por te investimet strategjike interesat duket se bashkohen. Qeveria i jep për 1 euro “Omnix Albania” rreth 9 hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalëzit. Pas kompanisë dalin emra të lidhur me ish-deputeten socialiste Valentina Leskaj, ish-deputetin demokrat Fation Veizaj dhe Shkëlqim Beshirin. Dhe ky nuk është përfitimi i parë i grupimit në zonë. Kush përfiton dhe çfarë fshihet pas investimit?

Check-up nën presion, ndërsa Operatori i Sterilizimit nxiton me tenderin 17,7 milionë euro për kitet dhe reagentët. Për katër nga pesë lotet janë shkurtuar afatet e ofertimit, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën dhe kohën që u lihet kompanive për t’u përgatitur. A do të garantojë nxitimi një garë reale dhe të barabartë?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme