Sociale 19 February 2025, 16:30 Nga VNA

Fitimet e bankave shënojnë rekord historik

Ndaje në Whatsapp
Fitimet e bankave shënojnë rekord historik
  • Fitimet e sistemit bankar në Shqipëri arritën në 370 milionë euro gjatë vitit 2024, me një rritje 15% kundrejt vitit 2023, duke shënuar kështu një rekord historik.

Interesat e larta të borxhit publik gjatë vitit të kaluar, por edhe një rritje jo e vogël e portofolit të kredive për biznese dhe individë duket se solli fitime rekord për sistemin bankar, sugjerohet nga të dhënat e publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Në total, asetet e sistemit bankar u rritën me 6.4%, furnizuar kjo nga rritja e depozitave të qytetarëve dhe bizneseve me 5.9% dhe rritja e kapitalit aksioner me 10%. Totali i aseteve të bankave në fund të vitit të kaluar ishte pothuajse 2.1 trilionë lekë ose 21 miliardë euro. Ndryshe nga asetet, fitimet neto të të njëmbëdhjetë bankave që operojnë aktualisht në Shqipëri arritën në 37.4 miliardë lekë, të cilat, me kursin aktual janë të barabarta përafërsisht me 370 milionë euro. Fitimet e bankave u rritën veçanërisht gjatë vitit 2023, kur kriza e inflacionit të lartë shtyu bankat qendrore në të gjithë botën, si edhe në Shqipëri, të rrisnin interesat bazë. Në rastin e Shqipërisë, rritja e interesave bazë solli rritje të fortë të interesave të titujve të borxhit publik të brendshëm, gjë që nga ana e vet solli më shumë të ardhura nga bankat që janë mbajtëse të pjesës dërrmuese të këtij borxhi por edhe fitime shtesë për bankat që kanë një pjesë jo të vogël të portofolit të kredisë me interesa të luhatshëm të varur nga interesat e bonove të thesarit 12-mujore. Si rrjedhojë e kësaj, normat e fitimit të bankave në raport me kapitalin aksioner u rritën nga 12.3% në vitin 2022 në 17% në vitin 2023 dhe 18% në vitin 2024. Po kështu, norma e fitimit kundrejt aseteve u rrit nga 1.4 në 1.9%, gjë që do të thotë se bankat patën mundësinë të mbajnë si fitim neto 1.9 lekë në çdo 100 lekë asete. Bankat në rastin e Shqipërisë kanë rreth 39% të të gjitha aseteve të investuara në kredi dhe 41% të tjera në në tituj, ku përfshihen blerjet e borxhit publik shqiptar. Banka Kombëtare Tregtare është banka me më shumë fitime, si në vlerë absolute ashtu edhe si normë kthimi mbi kapitalin aksioner. Kjo bankë fitoi gjatë vitit të kaluar 8.7 miliardë lekë dhe pati normë kthimi mbi kapitalin aksioner në masën 24.1%. Raiffeisen Bank Albania ishte e dyta më fitimprurësa me 7.6 miliardë lekë fitime neto dhe normë kthimi 21%. Të gjitha bankat e mbyllën vitin 2024 me fitime. Të njëmbëdhjetë bankat numëruan 7154 punonjës në fund të vitit të kaluar. Numri i të punësuarve u rrit me 130 vetë. Ndryshe nga vitet e mëparshme, viti 2024 shënoi edhe rritje të numrit të degëve dhe agjencive të sistemit bankar nga 385 në 405 njësi. Fitimet e bankave pritet të mos jenë kaq të larta gjatë vitit aktual për shkak se interesat e borxhit publik janë në rënie dhe politika monetare është drejt lehtësimit pas krizës thuajsedyvjeçare të çmimeve të larta. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, shqetësim për sistemin bankar aktualisht është ekspozimi jo i vogël në sektorin e pronave të patundshme dhe rreziku që një rënie e çmimeve në këtë treg pas rritjes marramendëse të pesë viteve të fundit, të përkthehet në kredi  të pashlyera si nga ana e kompanive të ndërtimit që kanë marrë hua për të ndërtuar ashtu edhe nga ana e konsumatorëve që kanë marrë hua për të blerë prona të patundshme. Afërsisht gjysma e kredive të dhëna nga bankat kanë pasur për qëllim blerjen e pronave të patundshme ndërsa sektori i ndërtimit ka marrë edhe rreth 17% të të gjithë kredisë të dhënë për biznes.

Reporter al

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme