Sociale 15 February 2025, 20:27 Nga VNA

Ndodh edhe kështu/ Britanikët shtiren si të varfër për të shmangur emigracionin

Ndaje në Whatsapp
Ndodh edhe kështu/ Britanikët shtiren si të varfër për

Një fushatë e kushtueshme në rrjetet sociale, e financuar nga taksapaguesit britanikë, u tregon emigrantëve shqiptarë pse nuk duhet të shkojnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Qeveria ka financuar një fushatë në rrjetet sociale për të dekurajuar emigrantët shqiptarë që të shkojnë ilegalisht në Britani, si pjesë e një skeme prej miliona paundësh, që thekson krizën e kostos së jetesës në Britani, ndikimin negativ të Brexit-it dhe diskriminimin në Mbretërinë e Bashkuar.

Në Instagram, Facebook dhe TikTok, postime me titullin “Histori nga Britania” tregojnë përvoja të emigrantëve shqiptarë që flasin për vështirësitë e jetesës në Britani. Në video, shqiptarët ankohen për kostot e larta të strehimit dhe diskriminimin që kanë përjetuar.

Postimet shoqërohen me imazhe bardh e zi të dyqaneve të mbyllura me grafite, apartamente të rrënuara dhe grumbuj mobiliesh të prishura pranë një blloku banimi.

Qeveria nuk ka bërë të ditur shumën e saktë të shpenzuar për projektin “Histori nga Britania”, por është konfirmuar se financohet nga Ministria e Jashtme si pjesë e një fushate prej 3.75 milionë paundësh në vit për të luftuar “migrimin e parregullt shqiptar”. Sidoqoftë, sipas zyrtarëve, fushata nuk ka pasur ndikimin e pritur.

Një vlerësim i brendshëm i Ministrisë së Jashtme, i parë nga gazeta The i Paper, deklaron:

“Ka prova të kufizuara mbi efektivitetin e një qasjeje komunikimi dekurajuese.”

Kritikët e kanë quajtur projektin një “dështim të kushtueshëm” dhe kanë kritikuar shpërdorimin e parave publike për një skemë që denigron Britaninë.

Edhe pse kjo nismë filloi gjatë qeverisë konservatore në vitin 2023, ajo ka vazhduar edhe nën administratën e re laburiste, pavarësisht se laburistët kritikuan konservatorët për fushata të ngjashme vitin e kaluar.

Postimet në rrjetet sociale që flasin keq për Britaninë nuk tregojnë se financohen nga taksapaguesit britanikë, por pas pyetjeve nga The i Paper, kjo u konfirmua nga Ministria e Jashtme si një mënyrë për të luftuar migrimin e parregullt. Ministria refuzoi të japë shifra të sakta për shpenzimet.

Projekti përfshin edhe një fushatë pozitive për të nxitur shqiptarët të qëndrojnë në Shqipëri, të quajtur “Love North Albania”, e cila promovon bukuritë natyrore dhe ushqimin tradicional shqiptar.

Rritja e migrimit shqiptar drejt Britanisë

Kjo nismë u lançua pas një rritjeje të paparë të migrimit të paligjshëm shqiptar në vitin 2022, kur rreth 12,000 shqiptarë mbërritën në Britani, shumë prej tyre përmes gomoneve.

Kërkesat për azil nga shqiptarët

Numri i kërkesave për azil nga shqiptarët (Janar 2010 – Shtator 2024):

• 2010: 219 kërkesa

• 2015: 1,641 kërkesa

• 2020: 4,542 kërkesa

• 2024 (Janar – Shtator): 17,340 kërkesa

Zërat kritikë ndaj fushatës

Eksperti i të drejtave të njeriut, Daniel Sohege, nga organizata Stand For All, tha:

“Fushatat për të dekurajuar ardhjen e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë të reja dhe herë pas here kanë rezultuar të dështuara. Ato injorojnë realitetin e arsyes pse dhe si shqiptarët vijnë në Britani. Shqiptarët janë një nga grupet më të mëdha të trafikimit, dhe askush nuk zgjedh të trafikohet apo të shfrytëzohet.”

Përfaqësuesi i organizatës Taxpayers’ Alliance, William Yarwood, tha:

“Taksapaguesit do të shqetësohen kur të shohin që paratë e tyre po shpenzohen për një fushatë të fshehtë PR që denigron Britaninë. Lufta kundër migrimit të paligjshëm duhet të fokusohet në forcimin e kufijve, jo në propagandë të pasuksesshme. Ministrat duhet të sigurojnë që paratë publike të përdoren në mënyrë efikase dhe jo në ‘truke’ të kushtueshme.”

Dëshmitë e emigrantëve shqiptarë

Në një video, një emigrant shqiptar i quajtur Jonel thotë:

“Erdha këtu me vizë. Ka pasur shumë ndryshime, sidomos këto tetë vitet e fundit për shkak të Brexit dhe pandemisë. Kostoja e jetesës është bërë shumë e lartë.”

Një tjetër emigrante, e diplomuar me emrin Vera, tregon:

“Po punoj me orar të plotë në një restorant. Ky sektor nuk ka lidhje fare me studimet e mia. Është shumë e vështirë të depërtosh në fushën e profesionit tënd, sepse ka shumë konkurrencë. Përveç kësaj, ka edhe diskriminim. Mentaliteti ndaj shqiptarëve nuk është pozitiv. Jeta në Angli është shumë e vështirë.”

Një punëtor ndërtimi ankohet se qiratë i janë dyfishuar në tetë vite dhe kërkesat për depozitë arrijnë deri në £3,000.

Një tjetër emigrant thotë se po mendon të kthehet në Shqipëri sepse jetesa atje është më e qetë, dhe ai ka frikë nga problemet me policinë për një gabim të vogël.

Rezultatet e projektit

Një raport i Ministrisë së Jashtme tregon se projekti ka pasur sukses të kufizuar, sepse shqiptarët e kanë pritur me skepticizëm.

Video

Se ne nuk kemi hallin e prindërve po të bëjmë çik propagandë para nisjes së shkollës…

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme