Kronika 18 April 2025, 18:54 Nga VNA

Fijet që lidhin dy atentatet e mbrëmjes fatale të së enjtes. Dyshimet nga hija e së shkuarës së Roan Brahimit tek plumbat mbi pinjollët e bosëve të Rolling Hills

Ndaje në Whatsapp
Fijet që lidhin dy atentatet e mbrëmjes fatale të së enjtes.

Kush ishte shënjestra e atentatit në Lundër mbrëmjen e së enjtes ku mbetën të plagosur 4 persona, njëri prej të cilëve vetëm 11 vjeç? A mundet që një grup kriminal të qëllojë mbi një fëmijë? Nëse po, cili është motivi? Apo ishte një ngatërresë në objektiv?

Këto janë pyetje që duan një përgjigje nga hetimi dhe reagim institucional, i cili deri më tani thuajse ka munguar. Vërtet mund të jetë një çështje hetimi, por drejtuesit e Policisë së Shtetit apo ministri duhet së paku të kishin reaguar për një ngjarje që ka tronditur opinionin publik.

Por le t’i marrim gjërat me radhë. Ngjarjet dhe dyshimet që shoqërojnë dy atentatet e mbrëmjes së kaluar.

Teksa partitë politike janë në ethet e garës elektorale, krimi duket se ka një tjetër interes: eliminimin e kundërshtarëve, zgjerimin e territoreve si dhe hakmarrjen. Dhe kjo u pa qartë natën e kaluar. Gjithçka nisi në Pllanë të Lezhës, ku para pak orës 21 u ekzekutua Gjovalin Prendi, 64 vjeç, babai i Roan Brahimit, i akuzuar për dhjetëra vrasje e atentate mafioze. Vetë Roani mbeti i vrarë në një atentat të mirëorganizuar në Athinë më 9 maj 2024. Por duket se hija e tij rëndon. Ndaj hakmarrja e kundërshtarëve nuk është ndalur tek vrasja e Roanit, duke mos i kursyer as babain.

Ndërsa lajmi sa kishte nisur të përhapej në media, thuajse një orë nga ngjarja mafioze në Pllanë, Tirana u trondit nga një tjetër atentat.

Katër persona mbetën të plagosur në afërsi të Lundrës.

Automjeti G-Class me targë AB002MD, që drejtohej nga Arenc Stafa dhe kishte si pasagjerë D. Demiraj, 11 vjeç, M. Demiraj, 17 vjeç, djali dhe nipi i pronarit të kompanisë Pelicani Security, dhe mikun e tyre Kian Mullaj, 19 vjeç, student në Britaninë e Madhe, u gjend në breshërinë e plumbave. Shoferi rriti shpejtësinë në përpjekje për t’u shpëtuar plumbave dhe, teksa largohej, u përplas me një makinë tjetër. Ekzekutorët u larguan pa mundur, për fat të mirë, të shkaktonin viktima. Të katërt mbetën të plagosur, ndërsa 11-vjeçari është ende në gjendje të rëndë, duke marrë ndihmën e specializuar në spital.

Pak më vonë policia mësoi se D. Demiraj, 11 vjeç, kishte festuar ditëlindjen me kushëririn e tij dhe shokët në Durrës, dhe në kthim u ndodhën nën breshërinë e plumbave. U deshën disa orë që policia të ngrinte pistën se objektiv nuk ishte asnjëri prej të plagosurve. Objektiv, sipas policisë, ishte një grua, e konkretisht gruaja e Roan Brahimit, e cila rezulton se ndodhej në Lezhë, ku një orë më herët i ishte ekzekutuar vjehrri. Hetuesit dyshojnë se ekzekutorët kanë pritur që ajo të kthehej nga Lezha drejt banesës së saj në Tiranë dhe, sapo kanë parë makinën, kanë qëlluar. Rastësi fatkeqe kjo, por automjeti G-Class që gruaja e Brahimit kishte rezulton se ka vetëm një gërmë dhe një numër ndryshe nga automjeti ku ndodheshin tre fëmijët dhe shoferi i kompanisë Pelicani Security.

Ndonëse duket e pabesueshme, hetuesit kanë kthyer sytë nga hijet e së shkuarës. Çfarë dëmi kaq të madh kishte bërë Roan Brahimi që t’i vritej babai, edhe pse thuajse në pension, e njëherazi t’i vritej dhe gruaja?

Ajo që dihet me siguri është se Roan Brahimi ishte në përplasje të forta me Ervis Martinaj, mbretin e kumarit të zhdukur pa gjurmë që më 9 gusht 2022. Përplasjet kishin nisur për shkak të lojërave të fatit. Ylli Brahja, alias Brahimi, kushëri me gruan e Roanit, hyri garant për pajtimin mes palëve. Por, kur mbërriti te Martinaj, e dhunoi me ushtarët e tij barbarisht.

Ndaj, më 17 korrik 2022, kur tek mbikalimi i Fushë-Krujës u ekzekutua Brilant Martinaj bashkë me dy miqtë e tij, Dikler Vata e Besmir Hoxha, Roan Brahimi u shpall në kërkim policor për këtë ngjarje, bashkë me Endrit Doklen, Fation Muratin, Ramazan Rrajën e Alesio Dobrozin. Po ashtu ai u hetua si autor i atentatit të 22 korrikut 2022 në qendër të Milotit, ku u qëllua me 108 plumba ndaj Ylli Brahjas (Brahimit). Ky i fundit mbeti i plagosur, ndërsa u vra Klisman Preçi. Roan Brahimi e akuzonte Ylli Brahjan se e kishte tradhtuar tek Martinaj.

Brahimi u akuzua po ashtu edhe për atentatin e 10 shkurtit 2024 ndaj Ardian Gjeloshit në fshatin Gurrëz të Kurbinit. Një togë e armatosur hyri në ambientet e brendshme të biznesit të inerteve dhe la të plagosur Gjeloshin, 51 vjeç, ndërsa viktimë mbeti ekonomisti i kompanisë, Selman Mihana, 70 vjeç. Roan Brahimi dyshohej se më 15 mars 2024 mori pjesë në ekzekutimin mafioz të Gentjan Bejtjas në oborrin e banesës në fshatin Larusht të Fushë Krujës. Për këtë ngjarje është arrestuar dhe po gjykohet kunati i tij, Ilir Beqaraj (Brahimi alias Mançellari), ndërsa në kërkim është shpallur Flodian Plaku. Pas kësaj ngjarjeje, Roan Brahimi u ekzekutua në Athinë në sy të gruas së dytë dhe djalit të mitur.

Hetuesit nga ana tjetër dyshojnë se ai kishte edhe një përplasje me Renato Muskën, i njohur si Reno i vogël nga Tepelena, të cilit kishte tentuar t’i merrte peng kunatin për një sasi kokaine.

Skeda kriminale e tij dyshohet të jetë edhe më e pasur. Në skedarët e policisë, emri i Roan Brahimit është listuar shpesh dhe gjatë.

Por, për t’iu kthyer dy atentateve që tronditën mbrëmë Lezhën dhe Tiranën, pyetja që lind natyrshëm është: A mund të jetë atentati në Lundër një gabim në objektiv? Apo mbase një motiv tjetër duhet hetuar? Deri më tani policia ka heshtur dhe hetimet vazhdojnë. Ajo që dihet me siguri, edhe pa përfunduar hetimet, është fakti që në Shqipëri jeta nuk është më e sigurt, si kur jeton në provincë apo periferitë e varfra, ashtu edhe kur jeton në lagjet luksoze të të pasurve. Sepse krimi është shtruar këmbëkryq dhe tashmë tentakulat e tij janë kudo, pavarësisht nëse je i pasur apo i varfër, me pushtet apo njeri i zakonshëm – ti nuk je më i sigurt në këtë vend.

Video

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

14 shtator 1998. Ceremonia mortore e Azem Hajdarit dhe ajo që ndodhi më pas… VideoCredits: FM Images Albania

Një avion privat që transportonte këngëtarin brazilian Rey Vaqueiro dhe pjesëtarë të ekipit të tij doli nga pista dhe u përfshi nga flakët gjatë uljes në Parelhas, në shtetin Rio Grande do Norte të Brazilit. Në bordin e avionit ndodheshin tetë persona, gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë arritën të largoheshin nga avioni pas aksidentit dhe u dërguan në spitalin e Parelhas për kontroll mjekësor. Autoritetet nuk raportuan të lënduar rëndë. Sipas zjarrfikësve, avioni doli përtej kufirit të pistës gjatë uljes dhe më pas u përfshi nga zjarri. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, dy turbinat ishin ende në flakë. Operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit dhe ftohjen e turbinave zgjati rreth pesë orë.

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme