Sociale 2026-01-24 10:33:05 Nga VNA

Organizatat mjedisore kundër resortit të Jared Kushner në Sazan

Ndaje në Whatsapp
Organizatat mjedisore kundër resortit të Jared Kushner në Sazan

Një koalicion prej 41 organizatash mjedisore nga 28 vende të ndryshme të botës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të pezullojë projektin e miratuar për ndërtimin e një resorti luksoz në Ishullin e Sazanit, i vetmi ishull i Shqipërisë, i rrethuar nga Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan.

“Ky projekt dhe mënyra se si është miratuar janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian,” shprehen ato në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Mjedisit Sofjan Jaupaj.

Sipas tyre, projekti parashikon ndërhyrje në një sipërfaqe prej rreth 45 hektarësh dhe rrezikon seriozisht biodiversitetin e zonës, duke prekur habitate të ndjeshme dhe kritike për lloje të mbrojtura.

Organizatat kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të çdo vendimmarrjeje për avancimin e projektit, si dhe përfshirjen e tokës së ishullit në Parkun Kombëtar Detar. Ato i bëjnë thirrje qeverisë që Sazani të njihet si Zonë Kandidate Emerald dhe të përfshihet në rrjetin e ardhshëm Natura 2000.

Në dhjetor 2024, qeveria shqiptare i dha statusin e investitorit strategjik kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC – një kompani e lidhur me Kushner, e cila ka propozuar projektin për zhvillimin e Sazanit. Sipas qeverisë shqiptare, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi pritet të shtrihet në 8 për qind të ishullit.

Organizatat theksojnë se ishulli dhe ujërat përreth tij janë habitat jetik për disa nga speciet më të rrezikuara detare në botë, përfshirë fokën e Mesdheut (Monachus monachus), e përfshirë në Listën e Kuqe të IUCN-së dhe e mbrojtur nga Konventa për Speciet Migratore (CMS).

“Ndërtimi i një resorti luksoz, me ndërhyrje infrastrukturore në shkallë të gjerë si trafiku detar, rrugët dhe sistemet e kanalizimeve, përbën një kërcënim serioz për këto habitate të brishta,” shprehen mjedisorët.

“Ndërhyrje të tilla sjellin zhurmë, ndriçim artificial, ndotje dhe rritje të pranisë njerëzore, të gjitha këto mund ta largojnë faunën nga zonat kritike, përfshirë shpellat bregdetare që janë thelbësore për mbijetesën e fokës së Mesdheut,” shtojnë ato.

Sipas tyre, zona Karaburun-Sazan mbart edhe 36 lloje të tjera detare të rrezikuara globalisht, përfshirë bimë detare, molusqe, krustace, peshq, zvarranikë dhe cetace, të mbrojtura nga një sërë konventash ndërkombëtare, si Konventa e Barcelonës, Konventa e Bonit, CITES dhe Konventa e Bernës.

Në letër theksohet se livadhet e Posidonia oceanica dhe shpellat bregdetare të Sazanit janë habitate kyçe për këto specie dhe të pazëvendësueshme për ekosistemin e Mesdheut.

Organizatat mjedisore sjellin në vëmendje se monitorimi sistematik i kryer që nga viti 2019 ka konfirmuar praninë e qëndrueshme të fokës së Mesdheut dhe një biodiversitet të pasur në zonën e mbrojtur Karaburun-Sazan./Reporter.al

Video

“Pietà du Kosovo” Skulptori francez Pascal Convert rikrijon kryeveprën e Pietà të Michelangelos, nga fotografia ikonike e vajtimit të Nasim Elshanit, të vrarë nga serbët, në vitin 1990. Fotografia është realizuar nga fotografi Georges Mérillon, dhe ka fituar çmimin World Press si fotografia më e mirë e vitit 1990. VideoCredits: FM IMAGES ALBANIA

Një automjet është përfshirë nga flakët ditën e sotme në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të qarkullimit rrugor. Makina ka marrë flakë gjatë lëvizjes dhe brenda pak minutash është përfshirë totalisht nga zjarri. Menjëherë janë njoftuar shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje.

Disa të vërteta thuhen por nuk dëgjohen…

Grupimi Qytetar kundër Projektit TID Durrës ka zhvilluar këtë të enjte protestën e radhës para bashkisë. Familjet që preken nga prishjet e banesave dhe bizneseve në zonën historike të qytetit kanë kërkuar sot nga institucioni i qeverisjes vendore, që të ulet në tryezë bashkëbisedimi me ta. Banorët janë kundër atyre që ata i konsiderojnë tentativa të bashkisë për t’u gjetur sistemime në banesa sociale. https://www.vna.al/kronika/banoret-e-durresit-protestojne-kunder-projektit-tid-i19707

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news