Banka e Shqipërisë bleu shifrën astronomike të 1 miliardë e 27 milionë eurove në tregun valutor gjatë vitit 2025, një shifër kjo e barabartë me 3.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe një e tillë, e cila, sipas teorisë kryesore ekonomike të kësaj situate, duhet të ketë shkaktuar “zhvlerësim të brendshëm” të monedhës kombëtare, pra inflacion. Në mënyrë misterioze, gjithsesi, inflacioni nuk duket në nivele shumë të larta, së paku jo në Indeksin e Çmimeve të Mallrave të Konsumit të matur nga Instituti i Statistikave.
Banka e Shqipërisë filloi të ndërhyjë në tregun e këmbimit valutor, pavarësisht këshillave të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të mos e bërë, në vitin 2024. Në vitin 2024, u blenë 649 milionë euro, krahas 283.8 milionë eurove të blera për efekt të rritjes së rezervës valutore të vendit. Blerjet rifilluan në maj të vitit 2025, dhe kulmuan në korrik, ku brenda një muaji u blenë thuajse 236 milionë euro të blera me qëllim të deklaruar “për frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit”.
Blerjet gjatë vitit 2025 vijuan çdo muaj dhe arritën, në total, 729.1 milionë euro. Krahas kësaj blerjeje për efekt të kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë vijoi blerjet e zakonshme për rritjen e rezervës valutore në masën 297.9 milionë euro. Totali i blerjeve për të dyja qëllimet arriti në këtë mënyrë në 1 miliardë e 27 milionë.
Në total, gjatë vitit 2024 u blenë 933 milionë euro për të dyja arsyet, shifër kjo që u rrit në 1.027 milionë më 2025.
Leku shqiptar e nisi vitin 2025 në kuotën 98.3 lekë për euro dhe e mbylli në kuotën 96.8 lekë për euro. Pavarësisht blerjes së një shume kaq të madhe eurosh, leku sërish pësoi një forcim me 1.5%. Leku ka vijuar të forcohet në muajt e parë të këtij viti. Sot euro kushton 95.8 lekë, 1% më lirë se sa në fillim të vitit.
“Zhvlerësim i brendshëm”
Ndërhyrjet në tregun valutor të Shqipërisë u bënë për shkak se leku është forcuar në mënyrë të pabesueshme nga viti në vit, që nga viti 2018 e pas. Shumë besojnë se paratë e pista, të fituara nga krimi i organizuar shqiptar, zakonish në tregtinë ndërkombëtare të kokainës, është shkaku i pranisë shumë të lartë të euros në tregun shqiptar dhe rrjedhimisht, nënçmimit të saj kundrejt monedhës kombëtare. Nga ana tjetër, qeveria këmbëngul se nuk janë paratë e pista origjina e tepricës së euros në vend, por suksesi ekonomik i vendit në thithjen e turistëve të huaj dhe të investimeve të huaja të drejtpërdretja, pra janë paratë e pastra dhe jo të pista.
Sido që të jenë, problemi për vendin mbetet i njëjtë. Fenomeni i ekspozimit të një vendi nga një fluks i lartë i papritur monetar, është studiuar nga ekonomistët që prej dekadash për të dalë në konkluzionin se për një situatë të tillë nuk ka zgjidhje të lehtë dhe se pasojat ekonomike janë zakonisht shumë negative.
Kështu, në vitin 1982, duke marrë shembullin e krizës së shkaktuar nga një fenomen i tillë në Holandë, Corden dhe Neary, dy ekonomistë, njëri australian dhe tjetri irlandez, e analizuan problemin duke e ndarë ekonominë në tre kategori dhe duke ndjekur ecurinë e secilës prej kategorive. Në kategorinë e parë u vendosën sektorët që kanë sjellë bumin e eksporteve, në kategorinë e dytë u vendosën sektorët që kanë përjetuar krizë si pasojë e forcimit të monedhës kombëtare dhe në kategorinë e tretë u vendosën sektorët e mallrave dhe shërbimeve të patregtueshme, pra ato që prodhohen dhe konsumohen brenda vendit. Modeli në fjalë tregon se të ardhurat nga sektori me eksporte në rritje konvertohen në tepricë paraje në dy sektorët e tjerë, gjë që do të thotë inflacion dhe varfërim.
Mënyra se paraja e tepërt nga sektori me eksporte transferohet te dy sektorët e tjerë është, ose në mënyrë të tërthortë, përmes kursit të këmbimit dhe forcimit të monedhës vendëse, ose në mënyrën e padukshme dhe indirekte të rritjes së çmimeve në rastet kur vendet përdorin kurs fiks këmbimi ose, si në rastin aktual të Shqipërisë, kur banka qendrore ndërhyn në treg. Kësaj rrugës së dytë, Fondi Monetar Ndërkombëtar i referohet si “zhvlerësim i brendshëm”.
Një shembull në botë për këtë është Holanda përmes Sëmundjes Holandeze. Një tjetër është Kolumbia gjatë bumit të kafesë. Nga viti 1975, çmimi i kafesë në tregun ndërkombëtar u rrit me shpejtësi dhe Kolumbia përjetoi një bum në të ardhurat valutore, bum që shkaktoi forcim të monedhës vendëse, forcim që nga ana e vet shkaktoi ngadalësim ose rënie në disa sektorë tradicionalë të rëndësishëm si tekstilet. Ndërmjet të dyjave, pra rënies së eksporteve tradicionale dhe rritjes së eksporteve “të reja”, sektori i ndërtimit pësoi bum bashkë me “shërbimet qeveritare.”
Situata aktuale shqiptare ngjan, në këtë kuptim, si kronikë e një krize të paralajmëruar. Leku është forcuar nga viti 2018 dhe sektori i bujqësisë, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, ka pësuar rënie të pandërprerë në prodhim që nga tremujori i tretë i vitit 2020. Sektori i industrisë në tërësi ka pësuar rënie që nga tremujori i katërt i vitit 2023. Industria përfshin njëkohësisht industrinë e rëndë, si energjia elektrike apo nafta, prodhimi i të cilës nuk varet drejtpërsëdrejti nga kursi i këmbimit si dhe sektorin e manifakturës, i cili në Shqipëri përfaqësohet në mënyrë tipike nga veshjet dhe këpucët. Sipas të dhënave të INSTAT, sektori i manifakturës ka pësuar tkurrje të vazhdueshme në aktivitet që nga tremujori i dytë i vitit 2023. Përkundër kësaj, ndërtimi dhe administrata publike ka vijuar të jetë në rritje.
Kriza pas derës?
Blerjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor janë në nivelin e 3.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit të kaluar. Një ndërprerje e këtyre prurjeve valutore, siç ka gjasa të ndodhë nga përballja me realitetin në sektorin e ndërtimit, fryrja e së cilit gjatë viteve të fundit nuk parashikon dot asgjë tjetër veç fluskë dhe shfryrje të pritshme, vendi do të mbetet pa të ardhurat në valutë dhe në pamundësi për të rekuperuar prodhimin në sektorët që kanë pësuar rënie. Për shembull, sektori fason që ka vuajtur më shumë rënien e konkurrueshmërisë në tregun ndërkombëtar si pasojë e forcimit të lekut, nuk do ta ketë të lehtë që të nisë nga e para me shtimin e forcës së punës për shkak se punëtorët kanë lëvizur gjetkë ndërkohë. Bujqësia, problemet e së cilës nuk lidhen thjeshtë me humbjen e konkurrueshmërisë por janë probleme më të thella strukturore të lidhura me qeverisjen, të tilla si titujt e pronësisë apo infrastruktura primare, ka gjasa do ta ketë edhe më të vështirë ringritjen. Qeveria, e cila ka shtuar forcën punëtore në mënyrë të pabesueshme bashkë me pagat, do të duhet të axhustojë financat e veta./BIRN






















