Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj thotë se 83 mandatet e Partisë Socialiste, të fituara në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, nuk kanë më asnjë vlerë për sa kohë figura të qeverisë kapen në vjedhje.
Në një intervistë për emisionin “Kjo javë” në News 24, Lapaj theksoi se populli duhet të bashkohet për të imponuar një qeveri tranzitore, të përbërë nga intelektualët më të mirë në vend, dhe për të mundësuar më pas zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Ato 83 mandate që ka nuk kanë më vlerë morale sepse nuk mund të fshihet pas mandateve kur vërtetohet se je kapur gafil në vjedhje. Kur ke vjedhur nuk kanë më fuqi. Thënë ndryshe nuk mund të thuash kam 83 mandate dhe do të vjedh 4 vitet që vijnë. Kështu që popullata që do të duhet të bashkohet duhet të imponojë një qeveri tranzitore ku të mos ketë përfaqësues nga PS, PD apo Shqipëria Bëhet por të bëhet nga intelektualët më të mirë që kemi për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, në akordim me BE dhe SHBA.”, u shpreh Lapaj.
Një koment ironizues bëri edhe për Partinë Demokratike, teksa tha se nuk mund të rrëzohet qeveria me “turizëm protestash”, duke dalë dy orë në shesh dhe më pas duke ikur. Ai tha se synojnë që të krijojnë gjithashtu edhe një model tjetër proteste.
“Sot është dita e 41 që po qëndroj unë edhe ne, nuk di ça të them për të tjerët. Them me bindje se ky model proteste e vë theksin te krijimi i një kulture të një proteste të qëndrueshme, kur nuk bëhet turizëm protestash, vihet dy orë dhe iket. Kështu rama rri 100 vjet në pushtet.”, shtoi Lapaj.
Nesër Lapaj ka thirrur një protestë në ora 18:00 dhe qëllimi sipas tij është që populli të imponojë krijimin e një qeverie tranzitore me bazë të gjerë, pa përfshirë forca politike por vetëm intelektualë.
Lapaj: Si duket e ka maçin në barkë. Ne jemi njerëz që jemi formuar mbi ligjin dhe rregullin. Protesta e ka fuqinë te qëndresa dhe jo rrugaçëria. E ka maçin në barkë. Nesër në orën 6 i ftoj gjithë qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë. Të dalin masivisht me fëmijët me gratë. Të distancohen nga hajdutëria. Reagimi të jetë në shesh. Duhet të dëshmojmë se nuk jemi dakord me hajdutërinë. Fuqia e protestës jonë është qëndresa, mesazhi. Këto 5 javë jemi protestues nuk kemi cenuar një lule te kryeministria. Por jemi protesta më e sulmuar këto vite pasi kemi 19 të procedura, 13 vetëm në 4 janar.






















