Politika 2026-01-16 12:25:00 Nga VNA

Rama kërkon më shumë informim të deputetëve për negociatat me BE: Siguria ushqimore, sfidë kritike për Shqipërinë

Ndaje në Whatsapp
Rama kërkon më shumë informim të deputetëve për

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeverisës, ku fokusi kryesor i diskutimit ka qenë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe sfidat që e shoqërojnë këtë rrugëtim.

Gjatë fjalës së tij, Rama iu drejtua dy ministreve përgjegjëse për negociatat me BE-në, Majlinda Dhuka dhe Adea Pirdeni, duke kërkuar që ato të rrisin nivelin e informimit dhe komunikimit me deputetët e mazhorancës. Sipas tij, deputetët duhet të jenë të informuar në detaje për çdo hap të procesit të negociatave, në mënyrë që të kontribuojnë me eksperiencën dhe profilizimin e tyre në proceset e draftimit të ligjeve.

“Duhet shumë më tepër punë për t’u shpjeguar me grupin dhe për t’u dëgjuar. Duhet informacion i ndërsjelltë që deputetët të jenë të përfshirë realisht. Është një format i domosdoshëm”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se viti 2026 do të jetë i një natyre të veçantë për shkak të negociatave intensive me BE-në dhe domosdoshmërisë që Shqipëria të përmbushë në një afat të shkurtër kushtet për mbylljen e negociatave të anëtarësimit. Ai sqaroi se aktualisht po negociohen edhe periudhat e ndërmjetme pas anëtarësimit, një mekanizëm që sipas tij është përdorur edhe nga vende të tjera para Shqipërisë.

Një nga pikat më problematike, sipas Ramës, mbetet siguria ushqimore. Kryeministri pranoi se, pavarësisht punës së bërë, Shqipëria është ende larg standardeve të Bashkimit Europian në këtë fushë.

“Jemi larg kritereve të BE për sigurinë ushqimore. Nëse nuk i përmbushim ato, në skenarin më pesimist, gjithçka që hahet mund të importohet. Asnjë produkt i prodhuar në Shqipëri nuk do të mund të shitet jashtë, madje mund të bllokohet edhe brenda vendit”, paralajmëroi Rama, duke kërkuar “super punë dhe super vendosmëri” nga institucionet përgjegjëse.

Duke folur për rolin e Parlamentit në procesin e integrimit, Rama sqaroi se ligjet që vijnë si pjesë e negociatave me BE-në nuk janë për t’u diskutuar, por për t’u miratuar, pasi ato janë pjesë e mekanizmit të detyrueshëm të anëtarësimit.

“Kur një draft vjen i dakordësuar me Komisionin Europian dhe hyn në Parlament, ai duhet miratuar. Nëse duam ta diskutojmë, atëherë duhet të diskutojmë më parë nëse duam apo jo të hyjmë në BE”, tha ai.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news