Politika 2026-07-23 15:42:00 Nga VNA

Përplasje në Kuvend për Reformën Territoriale, PD bllokon foltoren, mazhoranca kalon raportet pa debat pas rikthimit të Ramës në sallë

Ndaje në Whatsapp

Përplasje në Kuvend për Reformën Territoriale, PD bllokon

Me 82 vota kundër dhe 27 pro, mazhoranca rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për zgjatjen me tre muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Seanca plenare u shoqërua me debate të forta, bllokim të foltores dhe tensione jashtë godinës së Kuvendit.

Kuvendi nuk miratoi kërkesën e opozitës për shtyrjen e afatit të punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Vendimi u mor pas një debati të gjatë në seancën plenare, ku kërkesa e Partisë Demokratike mori 27 vota pro dhe 82 kundër.

Gjatë diskutimeve, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se po përpiqet ta mbyllë procesin në mënyrë të njëanshme. Sipas tij, disa prej raporteve dhe propozimeve të paraqitura nga opozita nuk janë shqyrtuar nga komisioni, ndaj, sipas tij, nevojitej një zgjatje e afatit për të garantuar një proces më gjithëpërfshirës.

Edhe mbledhja e Konferencës së Kryetarëve nuk kishte prodhuar më herët një dakordësi për zgjatjen e mandatit të komisionit, duke ia kaluar vendimmarrjen seancës plenare.

Pas më shumë se katër orësh debatesh procedurale, Kuvendi vijoi me shqyrtimin e raporteve të Komisionit të Reformës Territoriale. Në momentin kur ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, nisi prezantimin e raportit të mazhorancës, bashkëkryetari i komisionit nga radhët e opozitës, Luçiano Boçi, u drejtua te foltorja duke tentuar të pengojë vijimin e fjalës së tij.

Situata në sallë u tensionua, duke bërë që nënkryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, të ndërpresë punimet dhe të shpallë një pushim pesëminutësh, i treti gjatë seancës së ditës.

Pas rinisjes së punimeve, në sallën e Kuvendit ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, pas një mungese të gjatë në seancat plenare. Ndërkohë, deputetët e opozitës vijuan të bllokojnë foltoren, çka solli kërkesën e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, që procedura të vijonte direkt me votim.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi kalimin në votim, ku mazhoranca miratoi raportet e komisionit si në tërësi, ashtu edhe nen për nen. Gjatë procesit të votimit, deputetët e opozitës shoqëruan procedurën me thirrje kundër mazhorancës.

Ndërkohë, jashtë ambienteve të Parlamentit, protesta e opozitës dhe qytetarëve u shoqërua me tensione dhe përplasje me forcat e policisë. Efektivët përdorën gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa raportohet për persona të lënduar si nga radhët e protestuesve, ashtu edhe të policisë.

Seanca e sotme parlamentare u zhvillua nën klimë të lartë tensioni politik, ndërsa reforma territoriale vijon të mbetet një nga çështjet më të debatuara mes mazhorancës dhe opozitës.

Video

Nga Sali në “doktor” me gjasë Elisa e ka kuptuar nga kalon rruga drejt pushtetit.

Momente tensioni edhe për deputetin Agron Shehaj, i cili është nxjerrë me forcë nga Garda e Republikës nga salla e Kuvendit.

Përplasjet e regjistruara gjatë protestës para Kuvendit kanë lënë pas disa të lënduar. Në pamjet nga vendi i ngjarjes shihen qytetarë të dëmtuar, ndërsa situata është shoqëruar me tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Kaos para Kuvendit/ Qytetarët hedhin vezë, policia përgjigjet me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, disa protestues mbeten të lënduar

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news