
Debati në Kuvend ka marrë nuanca mjaft interesante, ku këtë herë Jorida Tabaku dhe Elisa Spiropali po pretendojnë se po gjejnë "gjuhën e përbashkët" për dështimet e sistemit politik. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, iu përgjigj me mjaft sportivitet "fjalimit të reflektuar" të Spiropalit, duke e përshëndetur faktin se ish-kryetarja e Kuvendit më në fund po pranon nevojën për luftë kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.
Tabaku e cilësoi pozitiv këtë ndryshim toni nga ana e Spiropalit, dhe i bëri ftesë publike për të bashkuar votat për hapjen e listave, rikthimin e parlamentarizmit te qytetarët. Ajo e ftoi Spiropalin që deklaratat kundër sistemit t’i shndërrojë në veprime konkrete.
"Jam shumë dakord me ju, zonja Spiropali. I bashkohemi betejës suaj, nëse më në fund e keni kuptuar se cila është e keqja e këtij vendi... T’i hapim listat. Dilni dhe kandidoni", deklaroi Tabaku.
Por, ndërsa Tabaku i kërkon Spiropalit të shkojë deri në fund me luftën kundër sistemit, bie në sy një paqartësi e vogël. Pjesë përbërëse e këtij sistemi që duhet çmontuar është edhe vetë kryetari i saj, Sali Berisha. Dhe këtu, linja e guximit të deputetes demokrate duket se has në një mur të padukshëm, pasi ajo nuk e ka guximin e Spiropalit për t'i kërkuar largimin shefit të saj politik, i cili kërkohet edhe nga qytetarët që protestojnë prej 54 ditësh.
Në fund, e gjithë kjo përplasje dhuron një kontrast sa grotesk, aq edhe humoristik për publikun. Nga njëra anë kemi guximin e rifituar "si me magji" të Elisa Spiropalit, e cila zbuloi të metat e thella të sistemit vetëm pasi e flakën nga majat e pushtetit dhe gjeti guximin t'i kundërvihet shefit të saj. Nga ana tjetër, shohim ndrojtjen e deputetes Jorida Tabaku, e cila është më se e gatshme të çmontojë gjithçka nga ana e mazhorancës, por nuk e ka atë guxim për t'i kërkuar largimin shefit të vet dhe ripërtëritjen reale të partisë ku bën pjesë. Pra, kemi të bëjmë me një betejë ku të dyja kërkojnë të çmontojnë "shefin e tjetrës", por me rregulla krejt të ndryshme loje.






















