Detaje të reja janë bërë publike lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur pasditen e 22 korrikut në rrethrrotullimin e Saukut, ku humbën jetën dy shtetas egjiptianë, punonjës të një kompanie ndërtimi.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), dy viktimat, njëri drejtues i kamionit dhe tjetri pasagjer, nuk rezultojnë të pajisur me leje drejtimi. Gjithashtu, bëhet e ditur se ata nuk kishin marrë as Dëshmi Aftësie Profesionale për profilin “Automakinist”.
Në deklaratën e saj, DPSHTRR sqaron gjithashtu se punonjësit egjiptianë nuk kishin paraqitur dokumentacion që vërtetonte njohjen e aftësive profesionale për drejtimin e autobetoniereve.
Aksidenti i rëndë ndodhi më 22 korrik, rreth orës 16:20, në Unazën Lindore të Tiranës, kur një kamion i tonazhit të rëndë u përfshi në një përplasje tragjike. Sipas pamjeve të publikuara, mjeti shihet duke hyrë me shpejtësi në rrethrrotullim, duke goditur fillimisht një automjet me drejtues 28-vjeçarin Roland Nuri. Më pas, kamioni ka përplasur barrierat metalike mbrojtëse dhe ka përfunduar poshtë mbikalimit.
Ndërkohë, 28-vjeçari Roland Nuri, i cili mbeti i plagosur nga përplasja, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ka pësuar dëmtime të lehta, pavarësisht se automjeti i tij u dëmtua rëndë.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Për këtë qëllim pritet të analizohen rezultatet e ekspertizës mjekoligjore të viktimave, si dhe ekspertiza teknike e kamionit që përfundoi poshtë mbikalimit.





















