Policia e Fierit ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Vidhisht, në Roskovec, ku një 35-vjeçar vrau ish-vjehrrin, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas u largua duke marrë me vete ish-bashkëshorten e tij.
Sipas Policisë, Refit Buzi, 35 vjeç, i armatosur me armë gjahu, ka shkuar herët në mëngjes në banesën e ish-vjehrrit. Aty, sipas të dhënave paraprake, ka debatuar me ish-vjehrrin, Kosta Plaka, 58 vjeç, të cilin e ka qëlluar për vdekje. Më pas ka plagosur edhe ish-vjehrrën e tij, Belere Plaka rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, Rozalina Plaka, duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Policia është vënë në ndjekje të tij, por ende nuk ka mundur ta arrestojë.
Njoftimi i Policisë:
Roskovec/Informacion paraprak
Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.






















