
Situata vijon të mbetet e tensionuar në Roskovec, ku Refit Buzi ende nuk është dorëzuar te forcat e policisë, pavarësisht negociatave të zhvilluara për disa orë me efektivët.
Sipas informacioneve paraprake, Buzi ndodhet brenda automjetit të tij dhe po refuzon të dalë, ndërsa grupet negociuese po përpiqen ta bindin për t’u dorëzuar pa përshkallëzim të situatës.
Në zonë janë angazhuar forcat speciale RENEA, të cilat prej orësh ndodhen në terren. Efektivë të pajisur me armë precize janë pozicionuar në pika të ndryshme, ndërsa zona përreth është izoluar nga forcat e sigurisë.
Ngjarja e rëndë nisi në orët e para të mëngjesit, kur Refit Buzi dyshohet se ka hyrë në banesën e ish-partneres së tij në Roskovec. Gjatë konfliktit, ai ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të vrarë ish-vjehrrin e tij, ka plagosur nënën e 24-vjeçares dhe më pas ka mbajtur peng për disa orë ish-partneren.
Policia vijon operacionin në terren, ndërsa pritet që negociatat të vijojnë deri në zgjidhjen e situatës.




















