
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi atë që e cilësoi si një nga aferat më të rënda të qeverisë, duke pretenduar se licenca për kazinonë në kompleksin Air Albania është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe në favor të personave që, sipas tij, veprojnë si prestanome të Olsi Ramës.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se bëhet fjalë për një aferë që "tejkalon çdo lloj imagjinate", ndërsa akuzoi vëllain e kryeministrit Edi Rama për lidhje me aktivitetet e lojërave të fatit dhe bizneset e call-centerave.
"Sot jemi këtu për të paraqitur para opinionit publik një nga aferat më të padëgjuara, një aferë që tejkalon çdo lloj imagjinate. Por jo në narkoshtetin e Edi Ramës. Tashmë janë bërë të njohura pasioni i Olsi Ramës për lojërat e fatit dhe për call-centerat. Siç e kam deklaruar edhe më parë, lidhja e tij me grupin e Xibrakës është faktuar dhe është një nga lidhjet më kriminale që mund të ketë një njeri", u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, licenca për kazinonë është dhënë me dokumentacion që, sipas tij, nuk do t'u mundësonte përfituesve marrjen e saj nëse nuk do të ishin të lidhur me Olsi Ramën.
Ndwrsa sekretari për Aksionin Politik në PD, Belind Këlliçi, së bashku me grupin e ekspertëve të PD-së, paraqitën një investigim mbi këtë çështje, të cilin ai e cilësoi si provë të një afere që "tejkalon çdo lloj imagjinate".
Belind Këlliçi deklaroi se Partia Demokratike do të depozitojë në SPAK një material kallëzues lidhur me licencën e dhënë për kazinonë në kullën "Air Albania", duke pretenduar se janë kryer një sërë shkeljesh ligjore gjatë ndryshimit të aksionerëve dhe miratimit të kapitalit të shoqërisë. Sipas tij, dokumentacioni përfshin edhe një rrjet kompanish të lidhura me biznesin e lojërave të fatit, call-centerat dhe lejet e ndërtimit, ndërsa organet kompetente duhet të hetojnë përgjegjësitë për këtë çështje.
Sipas Këlliçit, një nga elementët kryesorë të denoncimit lidhet me rivlerësimin e një prone në Kepin e Rodonit, e cila, sipas tij, u ble për rreth 320 mijë euro dhe brenda dy muajsh u vlerësua në rreth 26 milionë euro për t'u përdorur në rritjen e kapitalit të kompanisë që përfitoi licencën e kazinosë. Ai ngriti dyshime edhe mbi pronësinë e kompanive të përfshira dhe pretendoi se pas tyre fshihen persona të lidhur me Olsi Ramën, duke kërkuar nga SPAK verifikimin e këtyre pretendimeve.






















