Në Gjykatën e Posaçme në procesin ndaj Laert Haxhiut dëshmoi Xhuljano Xhaferraj për vrasjen e të vëllait të tij, Fridman Xhaferraj.
Dëshmitari Xhuljano Xhaferraj u shoqërua nga policia e Burgjeve në sallën e gjyqit, pasi ndodhet në masën e “arrestit me burg” për vjedhje.
“Kur u vra vëllai në 2022 kam qenë në burg. Kur jam liruar kishte tre ditë i vdekur. Më morën në komisariat dhe më pyetën, sepse vëllain nuk po e njihnin ngaqë ishte gjetur në ujë. Unë ato ditë mbarova dënimin. Kur dola, shkova në shtëpinë e vjehrrës, se kisha nusen atje. Gjeta policë, që po kontrollonin. Më shoqëruan. Atje më thanë që është gjetur në rezervuar në Drenovë. Kur fola njëherë me vëllain, kur isha në burg, ai më tha që do ikte jashtë shtetit, në Itali.
Vëllait tjetër, të voglit, ata çunat i kishin prerë biletë dhe e kishin nisur në Greqi. Lul Spahiu e kishte marrë e çuar në Elbasan. Aty i kanë prerë biletë e pastaj Lul Spahiu dhe Kristi Bixheku kanë marrë Fridmanin.
Vëllai i vogël u kthye në Lushnjë e pas dy ditësh iku në Greqi. Luli dhe Bixheku i kishin thënë se bashkë me Fridmanin do iknin në Greqi e se do i binin nga Korça”, tha Xhuljano Xhaferraj.
Dëshmitari tregoi se pas vrasjes së vëllait kontaktoi me babain e Laert Haxhiut dhe e pyeti nëse i biri kishte gisht në këtë histori.
“Unë e pyeta babain e Laert Haxhiut, a dinte gjë. Flitej në Lushnjë që vëllai kishte qenë me Laertin dhe që ka dhënë urdhër Laerti për ta vrarë, ngaqë ka folur. Nuk jam i sigurt, por kështu flitej. Babai i Laertit tha që djali im nuk ka gisht në këtë punë. Unë atë kohë qëndrova 1 muaj në burg. Nuk më ka ardhur ndonjë nga vëllezërit të më takonte. Fridmani nuk më tregonte asnjëherë se çfarë bënte. Shoqërinë nuk ia kam njohur. Nuk rrinte fare me mua, se unë rrija me familjen time. Ai ka konsumuar lëndë narkotike, hashash dhe kokainë”, tha dëshmitari.
Ai shpjegoi më tej se vëllai i tij, Fridman Xhaferraj, njihej me të penduarin e drejtësisë, Artan Tafani, që kur ishin në burg në Rrogozhinë.
“Artan Tafani ishte përdorues droge. Ai e njihte Fridmanin, e ka pasur në burg në Rrogozhinë”.
Për vrasjen e Fridman Xhaferraj, 25-vjeçar nga Lushnja, i cili u vra në Korçë dhe më pas trupi i tij u gjet në rezervuar, akuzohet Laert Haxhiu dhe banda që ai drejton. Vrasjen makabre të Fridman Xhaferrajt e rrëfeu me detaje i penduari i drejtësisë, Artan Tafani.






















