
Gjashtë persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit këtë të hënë pas protestës së zhvilluar pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku qytetarë u mblodhën për të kundërshtuar seancën plenare.
Për shkak të protestës, policia kishte vendosur një kordon të zgjeruar sigurie në zonën përreth Parlamentit. Gjatë tubimit pati momente tensioni dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve, ku disa persona u shoqëruan në komisariat, ndërsa të tjerë u larguan nga vendngjarja pas ndërhyrjes së forcave të rendit.
Ndërkohë që jashtë Kuvendit zhvilloheshin përplasjet, brenda sallës deputetët diskutonin marrëveshjen e sigurisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Projektligji u fut në rendin e ditës dhe u paraqit për votim në të njëjtën seancë, duke shkaktuar kundërshtimin e opozitës.
Sipas opozitës, huaja prej 300 milionë eurosh, e parashikuar për blerjen e armatimeve, nuk mund të miratohej pa u shqyrtuar më parë nga deputetët, ndaj kërkuan që procesi të shtyhej për një debat më të gjerë.




















