Politika 2026-07-27 13:05:39 Nga VNA

Opozita akuzon Ramën për shkelje të Kushtetutës: Jemi pro marrëveshjes me SHBA, por jemi kundër mënyrës së miratimit

Ndaje në Whatsapp

Opozita akuzon Ramën për shkelje të Kushtetutës: Jemi pro

Grupet parlamentare të Partisë Demokratike, Partisë së Lirisë dhe Aleancës për Ndryshim deklaruan se mbështesin në parim marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh me Shtetet e Bashkuara për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake, por kundërshtojnë mënyrën se si qeveria synon ta miratojë atë në Kuvend.

Në një deklaratë të përbashkët, opozita thekson se Shqipëria duhet të rrisë investimet në mbrojtje dhe të përmbushë detyrimet ndaj NATO-s, por akuzon qeverinë se po kërkon të miratojë marrëveshjen me procedura që, sipas saj, bien ndesh me Kushtetutën.

Sipas opozitës, marrëveshjet strategjike me Shtetet e Bashkuara kërkojnë transparencë, debat parlamentar dhe respektim të procedurave kushtetuese, duke e cilësuar të papranueshme kërkesën për ta votuar aktin brenda së njëjtës ditë.

PD, PL dhe Aleanca për Ndryshim bëjnë me dije se i kanë propozuar Kuvendit shqyrtimin e marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar, pa cenuar konfidencialitetin e saj, ndërsa votimi përfundimtar të zhvillohet në një seancë të posaçme të premten. Sipas tyre, kryetari i Kuvendit kishte rënë dakord në parim me këtë propozim, por më pas ai u pengua nga kryeministri Edi Rama.

Opozita argumenton se qeveria kishte mjaftueshëm kohë për ta sjellë marrëveshjen për ratifikim, duke kujtuar se ajo ishte miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave më 19 qershor 2026. Për këtë arsye, sipas saj, nuk ekziston një urgjencë që të justifikojë miratimin e menjëhershëm në Parlament.

Në fund të deklaratës, opozita ngre edhe shqetësimin për mungesën e flamurit të NATO-s në institucionet shtetërore, duke theksuar se Shqipëria, si vend anëtar i Aleancës, duhet ta përfaqësojë atë në institucionet publike.

Deklarata: 

Opozita: Po marrëveshjes me SHBA! Jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament!

– Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

– Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë

– Grupi Parlamentar Alenaca për Ndryshim

Ky është qëndrimi i opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, për marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh që Shqipëria merr nga SHBA për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake.

Shqipëria ka nevojë të rrisë investimet në mbrojtje dhe të përmbushë detyrimet ndaj NATO-s, por, siç bën me çdo gjë që ka lidhje me SHBA, Edi Rama po bën pis edhe këtë marrëveshje, duke kërkuar që Kuvendi të shkelë Kushtetutën për të mbuluar dështimet e qeverisë së tij.

Çdo marrëveshje strategjike me aleatin tonë më të rëndësishëm meriton transparencë, debat dhe respektim të Kushtetutës, jo procedura të improvizuara antidemokratike, si ato që qeveria po imponon me dhunën e kartonit dhe që e kthejnë Kuvendin në noter të qeverisë.

Kjo nuk është urgjencë as e Shqipërisë, as e SHBA-së. Është urgjencë e një qeverie që për vite zgjodhi korrupsionin në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj Aleancës dhe sot kërkon të mbulojë dështimet e veta duke shkelur Kushtetutën.

Partia Demokratike e anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Ne e pranojmë këtë marrëveshje në parim, por nuk do të pranojmë kurrë që marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të përdoren si justifikim për të shkelur Kushtetutën.

Aleanca me SHBA forcohet duke respektuar ligjin, jo duke e shkelur atë. Ne na duhet standardi i anëtarëve të Kongresit amerikan, jo standardi i Taulant Ballës dhe Edi Ramës.

Me qëllim që të zbatohet Kushtetuta, kemi propozuar që sot sëbashku të miratojmë shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar, të marrim marrëveshjen për ta shqyrtuar duke garantuat mospublikimin, dhe kemi propozuar që miratimi të bëhet të premten, ku grupet tona parlamentare garantuan prezencën e tyre dhe voton pro marrëveshjes. Kryetari i Kuvendit ra në parim dakord dhe më pas kjo u pengua nga Edi Rama.

Por Edi Rama e ka zeruar Kushtetutën dhe Parlamentin. Qëllimi i tij është të poshtëroje institucionet e vendit. Është fakt që Qeveria e ka miratuar marrëveshjen në parim në datën 19 Qershor 2026 dhe ka patur 5 javë kohë për ta sjell për ratifikim në Kuvend.

Ne i qëndrojmë propozimit tonë konstruktiv që deputetëve tu jepet mundësia të njihen me marrëveshjen dhe miratimi i saj të bëhet në një seancë plenare të posaçme ditën e premte të kësaj jave.

Pse në një akt të parë, zhdukët nga të gjitha institucionet e vendit, nga parlamenti, nga qeveria, flamurin e NATO-s.

Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe në qoftë se ka një flamur tjetër që ajo duhet të shfaqë, është flamuri i NATO-s, i cili ishte në të gjitha institucionet.

Video

Agron Shehaj “rrëmben” kopjen e vetme të marrëveshjes me SHBA-në dhe largohet me vrap nga salla. Situata e pazakontë ndodhi në Kuvend pasi administrata nuk kishte kopje për të gjithë deputetët dhe kërkoi që dokumenti konfidencial të lexohej nga 140 deputetë në një sallë të vogël.

Tensione në Kuvend për marrëveshjen me SHBA. Seanca plenare u ndërpre pasi opozita bllokoi foltoren në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për ta shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Mes përplasjeve në sallë, Peleshi mbylli seancën dhe njoftoi se ajo do të rifillojë në orën 15:00, pasi projektmarrëveshja të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare.

Tensionohet protesta para Kuvendit, protestuesit hedhin vezë drejt efektivëve. Policia përgjigjet me spraj lotsjellës

Pesë persona janë shoqëruar deri më tani nga policia pas përplasjeve që kanë shoqëruar protestën pranë Kuvendit. Mes tyre është edhe Arben Kola, një nga organizatorët e protestës. Kola shihet teksa terhiqet nga këmbët e duart nga disa efektivë policie, ndërsa mban ende në dorë megafonin që përdorte gjatë protestës.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news