Politika 2026-07-25 15:05:05 Nga VNA

Empatia nuk mësohet pas 13 vitesh pushtet

Ndaje në Whatsapp

Empatia nuk mësohet pas 13 vitesh pushtet

Kur një kryeministër që ka qeverisur për 13 vjet u jep leksione ministrave dhe deputetëve për “empatinë politike”, paradoksi është i dukshëm. Sepse empatia nuk është një teknikë komunikimi që zbulohet pasi pushteti ka filluar të konsumojë vetveten. Është një kulturë qeverisjeje që ose ndërtohet që ditën e parë, ose nuk ndërtohet kurrë.

Prandaj, problemi nuk është se Edi Rama foli për empatinë. Problemi është se po ua kërkon atë pikërisht njerëzve që ai vetë i ka zgjedhur, promovuar dhe mbajtur për vite me radhë në politikë. Nëse sot mungon empatia politike, atëherë mungesa nuk është një defekt i ekipit. Është produkt i mënyrës se si është ndërtuar vetë ky pushtet.

Të jemi të qartë që në fillim: empatia për të cilën foli Rama nuk është ajo empatia që ka lidhje me identifikimin me tjetrin si mënyrë për ta kuptuar dhe për t’u bashkuar me hallin e tij.

Nuk jemi përpara rastit kur, si një “psikolog” i mirë, bëhesh shpatulla ku dikush mbështet kokën për të qarë hallin, megjithëse e di që nga ajo shpatull nuk i vjen zgjidhja.

Ne, si popull, e kemi shumë të zhvilluar këtë procesin e qarjes së hallit në ëmbëltoren poshtë banesës për çdo mik që po kalon një periudhë të vështirë. Është në kulturën tonë biseda për hallet e shtëpisë. Ky është mjeti që shqiptari përdor për të shfryrë, duke shkarkuar, pa e kuptuar, një dozë të mirë të sikletit që i mban shpirti. Pa pagesë, sepse shpesh është miku dëgjues që paguan edhe kafenë e rastit.

Por ajo empati për të cilën flet Rama bën pjesë në një sistem tjetër vlerash dhe sjelljeje. Nuk ka lidhje me këtë lloj empatie.

Të paktën Rama këtë e di mirë, megjithëse ndoshta nuk e ka të qartë se cilit auditor duhej t’i rezervohej leksioni i djeshëm.

Quhet empati politike dhe është aftësia e udhëheqësve, politikanëve dhe institucioneve për të kuptuar, ndier dhe adresuar sinqerisht nevojat, frikërat dhe shpresat e grupeve të ndryshme shoqërore. Është ajo empati që kapërcen retorikën sipërfaqësore apo premtimet elektorale, nëse nuk i udhëheq ato.

Empatia politike, kur ajo ekziston, shndërrohet në politika publike që mbrojnë të pafavorizuarit dhe bashkojnë shoqërinë.

Empatia politike rrit besimin. Jo më kot rrënja e kësaj fjale është “besa”.

Empatia politike zbut polarizimin dhe sjell vendime më të mira, sepse politikat bazohen në jetën reale dhe jo në statistika të ftohta.

Empatia politike parandalon krizat, sepse identifikon pakënaqësitë shoqërore përpara se ato të përshkallëzohen.

Empatia politike, si virtyt i një klase politike, do të mjaftonte për të bërë pikërisht atë që Rama po kërkon.

Sa keq që auditori të cilit iu drejtua dje është grupimi që ai vetë ka ndërtuar. Dhe pa vënë në dyshim empatinë njerëzore të secilit prej tyre, kjo empatia tjetër kërkon politikanin, pasi ai të jetë njeri.

Problemi është se për vite me radhë, politika shqiptare ka prodhuar gjithnjë e më pak politikanë dhe gjithnjë e më shumë administratorë të pushtetit, militantë dhe njerëz që dinë të zbatojnë urdhra, por jo të dëgjojnë shoqërinë.

Ndoshta, përpara se t’u kërkojë të tjerëve empati politike, Edi Rama duhet t’i përgjigjet një pyetjeje shumë më të thjeshtë: nëse kjo është vlera që i mungon sot qeverisjes, kush e ndërtoi klasën politike që qeveris Shqipërinë prej 13 vitesh?

Lexo gjithashtu

Video

Momenti kur Policia liron Rozalina Plakën që u mor peng nga ish i fejuari Refit alias Nertil Buzi. 35-vjeçari pasi vrau ish-vjehrrën dhe ish-vjehrrin Belere dhe Kosta Plaka u vetëvra pas gati 9 orësh negociatash. Buzi ishte mbajtur peng më parë në Angli.

Shqipëria ka pasur ministra Shëndetësie që e njihnin nga afër realitetin trishtues të sistemit dhe, megjithatë, dështuan ta ndryshonin atë. Çfarë mund të pritet atëherë nga një ministre si znj. Sala, e cila rikthehet pas 29 vitesh në atdhe për të ligjëruar mbi reforma me inteligjencë artificiale? E shfaqur si një "Lizë në botën e çudirave", ministrja duket se injoron faktin se shëndetësia shqiptare lëngon ende nga mungesat më elementare, radhët pa fund, mungesa e barnave bazë, infrastruktura mjerane dhe korrupsioni që mbetet normë. Kulmi i ironisë është se ajo preferon të ligjërojë për shëndetësinë shqiptare në konferenca ndërkombëtare dhe të japë intervista në anglisht për mediat e huaja. Dhe kjo nuk është rastësi, sepse sa herë që i duhet të flasë në shqip për sistemin që drejton, problemet dhe mosnjohja e realitetit i dallohen që në mënyrën se si artikulohet.

Situata vijon të mbetet kritike edhe në Itali, ku dhjetëra vatra zjarri janë ende aktive në rajonet e Siçilisë dhe Kalabrisë. Një zjarrfikës humbi jetën gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve në Siçili, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për disa raste të dyshuara të zjarrvënies së qëllimshme.

Refit Buzi shkoi në banesën e ish-të fejuarës, vrau ish-vjehrrin, plagosi rëndë ish-vjehrrën dhe mori peng 24-vjeçaren. Pas rreth 7 orësh negociata me forcat RENEA, ai liroi ish-partneren, por refuzoi të dorëzohej. 35-vjeçari i dha fund jetës duke qëlluar veten me armë gjahu, ndërsa ish-vjehrra ndërroi jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve. Familjarët thonë se autori nuk pranonte ndarjen dhe e kishte kërcënuar vazhdimisht ish-partneren, ndërsa rrethanat e plota të tragjedisë po hetohen.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news