Politika 21 Mars 2025, 09:28 Nga VNA

‘Ëndrra europiane’: Si po e përdor Edi Rama integrimin në BE si kartë elektorale

Ndaje në Whatsapp
‘Ëndrra europiane’: Si po e përdor Edi Rama integrimin

Kur mbeten ende 3 javë nga hapja zyrtare e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka nisur të artikulojë tezat e tij në kërkim të një mandati të katërt në qeverisje. Të enjten, Rama publikoi në rrjetet e tij sociale një poster me numrin 5, që tregon renditjen e Partisë Socialiste në fletën e votimit, duke kërkuar votat në këmbim të premtimit për “pasaportën europiane” ndaj shqiptarëve.

“Me thjesht një votë për mua dhe PS më 11 maj, çdo prind ka në dorë t’u japë fëmijëve të vet pashaportën e qytetarit shqiptar të Bashkimit Europian, e të mos i lerë të rriten si qytetarë të dorës së dytë në mes të Europës,”propagandoi Rama në Facebook, duke përdorur si simbol edhe flamurin e Bashkimit Europian.

Duke e përdorur procesin e integrimit në BE si kartë elektorale, kryeministri Rama u bën thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste, si e vetmja forcë sipas tij që mund ta fusë vendin në BE, duke premtuar në mënyrë të njëanshme edhe përfundimin e negociatave në vitin 2027.

Procesi i integrimit është një proces më shumë teknik dhe varet nga përmbushja e kritereve që i vendosen qeverisë shqiptare nga Brukseli. Aktualisht, Shqipëria ndodhet në fillim të rrugës për anëtarësim, pasi në dhjetor u mor vendimi për çeljen e negociatave për grup-kapitujt e parë, të ashtuqujturat “Themeloret”, që përfshijnë sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike.

Ky proces i zgjatur prej dy dekadash që nga marrëveshja e Stablizim-Asociimit në vitin 2005, është penguar ose ka mbetur pezull në të shumtën e rasteve për shkak të konflikteve të brendshme politike, mungesën e vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe mosrealizimit të zgjedhjeve sipas standardeve demokratike.

Për opozitën dhe ekspertë të politikës, përdorimi i tezës së integrimit si tezë elektorale nga Rama nuk është i bazuar në realitet dhe tregon sipas tyre shterpësinë e një programi pas një kohe të gjatë në pushtet.

“Po përdoret procesi  i integrimit për fushatë në një moment kur jemi në fazën e hapjes së grup-kapitujve,”thotë Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit.

Tabaku i tha BIRN se opozita ka pasur një kërkesë të qartë për përfaqësuesit e Komisionit Europian që gjatë periudhës zgjedhore të mos ketë konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE për shkak të përdorimit të tyre në mënyrë elektorale.

“Procesi i integrimit nuk ka pasur ndonjë avancim në 12 vite dhe këta pretendojnë se atë që s’kanë bërë në 12 vite do ta bëjnë në 1 vit,” theksoi Tabaku, duke këmbëngulur se afati i premtuar nga Rama për pasaportën europiane në 2027 është jorealist.

“Nuk ka për ta marrë çfarëdo që të bëjnë, sepse ashtu siç tha Komisonierja për Zgjerimin; nuk ka rëndësi sa grup-kapituj hap, po sa prej tyre mbyll,” shtoi ajo.

Edhe Arlind Qori, kryetar i partisë “Lëvizja Bashkë” mendon se Rama e ka zgjedhur “në mënyrë të pandershme” procesin e integrimit si kartë elektorale dhe po e përdor atë për të mbuluar skandalet korruptive dhe dështimet e qeverisjes.

“Rama është një kryeministër shterpë në ide. Vizioni i tij zhvillimor nuk shkon dot përtej pastrimit të parave të pista në sektorin e ndërtimit. Ndaj këtë shterpësi dhe korrupsion orvatet ta mbulojë përmes gjesteve teatrale apo legjitimitetit fals që vjen prej organizimeve ndërkombëtare,” tha Qori për BIRN.

Sipas Qorit, një proces i shëndoshë i integrimit duhet të vijë prej përfshirjes së të gjithë shoqërisë dhe jo të instrumentalizohej për arsye elektorale. Gjithsesi, ai beson se premtimet për pasaporta europiane nuk do të japin rezultat në zgjedhje.

“Dikur luante rol edhe një foto me përfaqësues ndërkombëtarë. Tanimë jo. Qytetarët duan në radhë të parë që Shqipëria të bëhet e jetueshme, të kemi një model të qëndrueshëm zhvillimi dhe shërbime publike cilësore,” theksoi Qori.

Përdorimi politik i integrimit 

Kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 me premtime të tjera, të cilat lidheshin me luftën kundër korrupsionit, shëndetësinë falas, përmbylljen e procesit të legalizimeve apo taksën progresive dhe forcimin e shtetit. Ai i fitoi zgjedhjet pas një koalicioni me Ilir Metën, ish-aleatin e Berishës në qeveri, por 4 vite më vonë në 2017-ën u kërkoi votat shqiptarëve për të qeverisur i vetëm, duke e akuzuar aleancën me Metën se kishte përdorur pushtetin si një ‘tepsi’ për korrupsion.

Ndërsa në vitin 2021, Rama përdori reformën në drejtësi si kalin e betejës elektorale, e cila sapo kishte nisur të jepte frytet e para pas ngritjes së institucionet e reja të drejtësisë.

Sot kur bilanci i kësaj reforme ka çuar pas hekurave për korrupsion disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ramës në ekzekutiv dhe së fundmi dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, kryeministri ka zgjedhur t’u ofrojë shqiptarëve “ëndrrën europiane”.

Në fushatën elektorale të vitit 2013, ish-kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha u fut në zgjedhje me një tezë të ngjashme dhe me avantazh vendimin e Bashkimit Europian për të liberalizuar vizat me Shqipërinë. Por Berisha i humbi zgjedhjet.

Sipas ekspertit të politikës, Ervis Iljazaj, pedagog i Shkencave Politike pranë Universitetit Europian të Tiranës, procesi i integrimit gjithmonë është përdorur nga politika shqiptare gjatë tranzicionit, sepse klasa politike luan me ëndrrën e shqiptarëve për t’u bërë qytetarë europianë.

“Edhe pse procesi i integrimit ka qenë i gjatë, rraskapitës dhe shumë i vështirë, përsëri shqiptarët kërkojnë të jenë pjëse e BE me të drejta të plota. Në këtë kuptim, edhe kësaj here procesi i integrimit po përdoret për interesa politike,” tha ai për BIRN.

Por, sipas Iljazajt, kartat e integrimit që po luan Rama nuk janë përcaktuese për konsensusin popullor. Ai beson se ka disa arsye se pse Rama krejt papritur e ktheu këtë proces në një tezë elektorale pas 12 vitesh në pushtet, që janë të lidhura me mungesën e ideve të reja të tij dhe me një faktor gjeopolitik që favorizon integrimin e Shqipërisë.

“Tashmë që Shqipëria ka çelur negociatat, konteksti gjeopolitik është i favorshëm dhe Rama kërkon ta përdorë si meritë të tij integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Iljazaj, duke theksuar edhe kontradiktën në qëndrimet e kryeministrit, të tipit:“kur Shqipëria merrte vendime negative nga BE ishte faji i Europës, ndërsa tashmë që integrimi europian ka shanse vërtet, kjo është meritë e Qeverisë”.

Iljazaj beson gjithashtu se Rama po e luan këtë kartë, pasi pas 12 vitesh në qeveri dhe me pushtet të plotë, nuk ka se çfarë të premtojë më. Nga ana tjetër, lojën politike me procesin e integrimit, ai e sheh si të dëmshëm për vetë procesin, i cili kërkon “bashkëpunim dhe jo konflikt”.

“Sigurisht që kjo qasje konfliktuale e politikës së brendshme ndikon në marrëdhëniet Shqipëri-Bruksel, pasi zyrtarët e BE kërkojnë një klimë bashkëpunuese për integrimin dhe jo përdorimin e kësaj çështje për arsye elektorale,” përfundoi Iljazaj./BIRN

Video

Nëse çmimet janë shumë të larta… mos blini parmigiano, blini djathë të bardhë - këshilla zemre nga kreu i Autoritetit të Konkurrencës.

Një incident i rrezikshëm u regjistrua mbrëmjen e kaluar në Haifa, ku një raketë e interceptuar u përplas pranë një automjeti. Sipas pamjeve të publikuara, objekti fillimisht shfaqet si një dritë në qiell dhe më pas bie me shpejtësi, duke shpërthyer shumë pranë një qytetari që po filmonte ngjarjen. Raportimet tregojnë se sulmet lidhen me përshkallëzimin e tensioneve në rajon, ku Pasdaran dyshohet se ka shënjestruar objekte strategjike si rafineritë, në përgjigje të bombardimeve mbi fusha gazi. Sistemet mbrojtëse ajrore ndërhynë duke shkatërruar raketat në fazën përfundimtare të trajektores së tyre. Megjithatë, ekspertët theksojnë se interceptimi nuk i shkatërron plotësisht raketat, por i copëton në fragmente të rrezikshme. Siç shihet edhe në video, këto mbetje bien në tokë me forcë dhe mbeten po aq kërcënuese për jetën e civilëve sa edhe vetë goditjet direkte.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, u detyrua të largohej nga xhamia Lakemba Mosque në Sydney gjatë namazit të Bajramit, pasi disa besimtarë filluan t’i bërtasin dhe ta akuzojnë si “mbështetës të gjenocidit”. Ngjarja lidhet me pakënaqësinë e një pjese të komunitetit mysliman ndaj qëndrimit të qeverisë australiane për luftën në Gaza dhe shqetësimet për rritjen e islamofobisë në vend. Kur besimi ne Zot është më i fortë se politika…

Forcat izraelite kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj palestinezëve për t’i penguar ata të kryejnë faljen e Bajramit pranë kompleksit të xhamisë Al-Aksa, i cili është mbyllur nga autoritetet izraelite që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Sipas raportimeve, policia izraelite ka ndaluar hyrjen e besimtarëve në kompleksin e shenjtë në Jerusalemin Lindor dhe ka shpërndarë turmat me gaz lotsjellës dhe shkopinj, duke detyruar shumë palestinezë të falen jashtë mureve të qytetit të vjetër.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme