Politika 27 June 2026, 20:45 Nga VNA

Dita e 28-të e protestës, eurodeputetja Ilaria Salis i bashkohet qytetarëve: “Europa është këtu në Shqipëri”

Ndaje në Whatsapp
Dita e 28-të e protestës, eurodeputetja Ilaria Salis i bashkohet

 Protesta qytetare kundër qeverisë vijoi edhe sot për të 28-ën ditë radhazi, me qindra qytetarë që marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe kërkesat për ndryshim politik.

Në nisje të marshimit, protestuesit mbajtën një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, në 82-vjetorin e ngjarjes.

Një nga momentet kryesore të protestës së sotme ishte pjesëmarrja e eurodeputetes italiane Ilaria Salis, e cila mbërriti në Tiranë për t’iu bashkuar protestës para Kryeministrisë dhe mbajti një fjalim në mbështetje të kauzës së protestuesve.

Salis e nisi fjalën e saj me një mesazh simbolik, duke deklaruar se “Europa nuk është në Bruksel, por është këtu në Shqipëri”, ndërsa vlerësoi protestën si një shembull qytetar që tejkalon kufijtë e vendit.

“Europa nuk është Brukseli. Europa është këtu në Shqipëri. Populli me inteligjencën dhe të drejtën e tij për të vendosur po ngrihet në këmbë. Këtu po bëhet historia. Këtu po hapet rruga për të gjithë popujt. Ky është një shembull që na fton të marrim në dorë fatet tona dhe të mos lejojmë që oligarkët të vendosin për ne”, u shpreh eurodeputetja.

Ajo foli edhe për mbrojtjen e pasurive natyrore shqiptare, duke theksuar se Shqipëria dhe bukuritë e saj nuk duhet të trajtohen si mall për shitje.

“Shqipëria, toka e saj dhe bukuritë natyrore nuk janë plaçkë për t’u shitur tek ofertuesi më i lartë. Ishulli i Sazanit dhe Laguna e Nartës duhet të mbeten të mbrojtura për të gjithë dhe nuk duhet të kthehen në parqe lojërash për pasanikët. Ky është një model që duhet kundërshtuar sepse bazohet mbi korrupsionin, privilegjet dhe interesat e më të fuqishmëve”, deklaroi ajo.

Sipas Salis, problematika të tilla nuk kufizohen vetëm në Shqipëri, por janë sfida me të cilat përballet edhe Europa dhe pjesë të tjera të botës.

Ndërkohë, grupi koordinues i protestës përsëriti edhe një herë platformën me kërkesat drejtuar qeverisë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike me mandat 12-mujor, ndryshimin e Kodit Zgjedhor, reformimin e ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Gjatë tubimit, protestuesit afishuan në murin pranë hyrjes së Kryeministrisë edhe atë që e quajtën “Muri i skandaleve”, ku vendosën postera me çështje që, sipas tyre, përfaqësojnë dështimet dhe aferat e qeverisë. Mes tyre u përmendën koncesioni i check-up-it në shëndetësi, dosja “Tahiri”, shembja e Teatrit Kombëtar, vrasja e Klodian Rashës dhe çështje të tjera që kanë shoqëruar debatin publik gjatë viteve të fundit.

Protesta u zhvillua pa incidente dhe u mbyll me fjalimet e organizatorëve para godinës së Kryeministrisë, ndërsa pjesëmarrësit paralajmëruan vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme