Sociale 29 October 2024, 08:50 Nga VNA

Çmimi i vajit të ullirit arrin rekord këtë vit, shkon deri në 1,100 lekë/litër. Faktorët që ndikuan

Ndaje në Whatsapp

Çmimi i shitjes së vajit të ullirit sivjet arrin në nivele rekord. Në fabrikat e përpunimit nga Marikaj deri në Berat çmimi i shitjes së vajit të paambalazhuar, varion nga 700, 800 deri 1,100 lekë për litër.

Vjet vaji i paambalazhuar u shit me çmim nga 700 deri 800 lekë për litër. Krahasuar me vjet çmimi i shitjes është rritur 38%. Përpunuesit thonë se edhe çmimi i vajit të ambalazhuar pritet të rritet, të shkojë deri në 15 euro për litër.

Përpunuesit kryesorë pohojnë se sivjet shtrenjtimi i çmimit ka ardhur nga rritja e kostos së prodhimit për shkak të dyfishimit të pagesave për vjelësit e ullirit dhe nga ekstremitetet e motit, që sollën rënie të rendimentit.

Silvana Subashi thotë se ndonëse sasia e prodhimit të ullinjve është më e lartë se vjet, rendimenti i prodhimit për shkak të thatësirës është shumë i ulët. Sipas saj, përfshirë edhe dyfishimin e pagesave për vjelësit, këta janë faktorët kryesorë që çuan sivjet koston e prodhimit të vajit të ullirit deri në 940 lekë për litër dhe të shitjes 1,100 lekë për litër.

 

 

“Dyfishimi i tarifave të krahut të punës është faktori kryesor që sivjet shtrenjtoi së tepërmi koston e prodhimit të vajit të ullirit. Nëse vjet pagesat për vjelësit ishin 200 lekë për shkundjen e 1 kg ulliri, këtë vit vjelësit janë paguar 400 lekë, pasi është e pamundur të gjesh punonjës. Tarifa e shkundjes së ullirit 400 lekë për kg është tepër e lartë.

Një tjetër faktor që ka ndikuar te shtrenjtimi i kostos prodhuese është rënia drastike e rendimentit të prodhimit. Nëse vjet për kultura që rendimenti i prodhimit ishte nga 15 deri 17 litra vaj ulliri për 1 kv ullinj, sivjet ka arritur 10 deri 12 litra. Rënia e rendimentit është drastike.

Për shkak të këtyre faktorëve kryesorë, dukë përfshirë edhe shpenzimet për mirëmbajtjen dhe shërbimin e ullirit, kostoja e prodhimit të vajit të ullirit llogaritet 940 lekë për litër. Ndërsa çmimi i shitjes së vajit do të jetë 1,100 lekë për litër. Te shtrenjtimi i çmimit të shitjes, përveç heqjes së skemës së TVSH-së po ndikon edhe shtimi i sasisë së vajit të papërpunuar që grumbullohet nga grosistët italianë”, tha ajo.

Edhe Kastrijot Çuadari një ndër grumbulluesit dhe përpunuesit kryesorë në Berat tha sivjet pavarësisht se prodhimi i ullinjve është më i lartë krahasuar me vjet, konstatohet se rendimenti i prodhimit është në rënie.

Faktorët kryesorë që kanë ndikuar te rënia e rendimentit është thatësira e lartë e muajit gusht, e cila thau pemët dhe lagështira e lartë në muajin shtator që shkaktoi fryrje të frutit të ullirit”, thotë ai.

Në vitin 2022 kur sasia e prodhimit ishte e lartë, nga fermerët vaji i ullirit u shit nën koston e prodhimit me çmime 350 deri 400 lekë për litër.

Për 2022, rendimenti i prodhimit për rrënjë ulliri, sipas të dhënave të INSTAT ishte 17,2 kg. Krahasuar me 2021, rendimenti për rrënjë u shtua me 37%. Në 2022 shtim pati edhe te numri i rrënjëve të ullirit. Në raport me 2021, numri i rrënjëve të ullirit u rrit rreth 2%.

Ndërsa për 2023, mungesa e prodhimit dyfishoi çmimin e shitjes së vajit të ullirit krahasuar me 2022. Nga fermeri vaji i ullirit u tregtua me çmim 700 deri 800 lekë për litër. Shtrenjtimi i çmimit erdhi nga rënia e prodhimit 30 deri 70% krahasuar me vjet. Vjet pati edhe shtim të sasisë së vajit të ullirit që u eksportua, kryesisht në Itali.

Për 2023, rendimenti i prodhimit për rrënjë ulliri, sipas të dhënave të INSTAT ishte 12,4 kg. Krahasuar me 2022, rendimenti për rrënjë ra 30%. Në 2023 shtim pati edhe te numri i rrënjëve të ullirit. Në raport me 2022, numri i rrënjëve të ullirit u rrit rreth 1%./Monitor/

Video

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

14 shtator 1998. Ceremonia mortore e Azem Hajdarit dhe ajo që ndodhi më pas… VideoCredits: FM Images Albania

Një avion privat që transportonte këngëtarin brazilian Rey Vaqueiro dhe pjesëtarë të ekipit të tij doli nga pista dhe u përfshi nga flakët gjatë uljes në Parelhas, në shtetin Rio Grande do Norte të Brazilit. Në bordin e avionit ndodheshin tetë persona, gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë arritën të largoheshin nga avioni pas aksidentit dhe u dërguan në spitalin e Parelhas për kontroll mjekësor. Autoritetet nuk raportuan të lënduar rëndë. Sipas zjarrfikësve, avioni doli përtej kufirit të pistës gjatë uljes dhe më pas u përfshi nga zjarri. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, dy turbinat ishin ende në flakë. Operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit dhe ftohjen e turbinave zgjati rreth pesë orë.

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme