
Jason Arday, ish-profesori i Universitetit të Cambridge, është gjetur i vdekur në Londër në moshën 41-vjeçare, vetëm pak ditë pasi dha dorëheqjen dhe pas javësh të tëra në të cilat u shndërrua në shënjestrën e një linçimi të pamëshirshëm në rrjetet sociale.
Gjithçka nisi me akuza serioze për plagjiaturë dhe pikëpyetje mbi disa prej arritjeve të tij akademike. Por shumë shpejt debati doli nga kufijtë e integritetit akademik. Në internet nuk po gjykohej më vetëm puna e Arday: po çmontohej publikisht njeriu.
Postim pas postimi, screenshot pas screenshot-i, emri, karriera dhe historia e tij personale u kthyen në material për tallje, meme dhe poshtërim. Çdo pretendim i tij nxirrej nga arkivat, çdo fjali analizohej dhe çdo zbulim i ri ushqente turmën online. Rrjetet sociale kishin gjetur personazhin e radhës për ta masakruar.
Dhe paradoksi më i fortë është Cambridge.
I njëjti universitet që disa vite më parë e kishte ngritur Arday në piedestal, duke e promovuar si profesorin më të ri me ngjyrë në historinë e tij dhe si simbol të një historie të jashtëzakonshme suksesi, pas shpërthimit të skandalit nisi hetimin mbi punën dhe emërimin e tij.
Cambridge e kishte bërë simbol. Kur simboli filloi të shembej, e la të ekspozuar përpara një audience prej miliona njerëzish, ndërsa rrjetet sociale bënë atë që dinë të bëjnë më egërsisht: e kthyen rënien e një njeriu në spektakël.
Arday mohonte plagjiaturën e qëllimshme, megjithëse pranonte gabime në punën e tij. Kur dha dorëheqjen, ai tha se akuzat, spekulimet dhe komentet e pandërprera publike kishin pasur një ndikim të thellë tek ai dhe njerëzit që donte.
Pas vdekjes, familja e tij foli edhe më qartë: Arday, sipas tyre, ishte përballur me një fushatë të vazhdueshme keqinformimi, abuzimi dhe ngacmimi, e cila ishte bërë “tepër e rëndë për të”.
Policia Metropolitane e konsideron vdekjen të papritur, por jo të dyshimtë. Nuk është konfirmuar se Arday kreu vetëvrasje dhe shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.
Por kjo nuk e zhduk pyetjen që mbetet pas tij: kur përfundon denoncimi dhe kur fillon linçimi?
Gabimet e një profesori mund të hetohen. Plagjiatura, nëse provohet, mund të ndëshkohet. Por ajo që ndodhi me Jason Arday tregon fuqinë shumë më të errët të turmës dixhitale: momentin kur kërkimi i së vërtetës pushon së qeni qëllimi dhe poshtërimi i njeriut bëhet argëtim.
Pak ditë pas gjithë kësaj, Jason Arday ishte i vdekur.
Ishte vetëm 41 vjeç.






















