
Shtatë persona u vranë dhe tre të tjerë mbetën të plagosur nga një sulm ajror izraelit në orët e para të së shtunës në jug të Libanit, raportoi agjencia shtetërore libaneze e lajmeve.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit, avionët izraelitë goditën një banesë në fshatin Ansar, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Sulmi konsiderohet një nga më vdekjeprurësit në Liban gjatë javëve të fundit, që prej arritjes së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara mes Libanit dhe Izraelit.
Sipas Reuters, marrëveshja parashikon që trupat izraelite të qëndrojnë në zonat e pushtuara në jug të Libanit derisa Hezbollahu të çarmatoset dhe ushtria libaneze të marrë kontrollin e territorit. Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, i ka kundërshtuar këto kushte, duke i cilësuar ato si një formë dorëzimi.
“Marrëveshja kornizë është një urdhër izraelit, i shkruar me bojë izraelite, të cilin autoritetet libaneze e kanë nënshkruar”, deklaroi kreu i Hezbollahut, Naim Qassem, gjatë një fjalimi të premten.
Ndërkohë, ushtria izraelite deklaroi se gjatë natës kishte goditur infrastrukturën e Hezbollahut në atë që e cilësoi si një “zonë sigurie” në Libanin jugor. Sipas saj, sulmet u kryen në përgjigje të veprimeve të ndërmarra kundër ushtarëve izraelitë.






















