
Libani ka ngritur një padi të re kundër ish-guvernatorit të Bankës Qendrore, Riad Salameh, nën akuza që përfshijnë përvetësim fondesh, pasurim të paligjshëm, pastrim parash dhe ryshfet, pas një kallëzimi të bërë nga pasuesi i tij.
Salameh u vu në paraburgim në fund të muajit të kaluar, pasi mungoi në një seancë gjyqësore lidhur me çështjen, dhe aktualisht po mbahet nën masa të rrepta sigurie në një spital shtetëror jashtë Bejrutit.
Sipas një zyrtari gjyqësor që foli për AFP në kushte anonimiteti, një gjyqtar ka nisur procedurat ligjore kundër Salameh dhe ish-drejtorit ekzekutiv të Bank Audi, Samir Hanna. Bank Audi është një nga bankat kryesore tregtare të Libanit.
Akuzat përfshijnë “krijimin e kompanive guackë, përvetësimin e fondeve të bankës qendrore dhe përdorimin e këtyre fondeve për të blerë në mënyrë të paligjshme aksione dhe obligacione nga bankat tregtare, si dhe pasurim të paligjshëm, pastrim parash dhe ryshfet”.
Gjyqtari ka kërkuar lëshimin e një urdhër-arresti për Salameh, 76 vjeç, ndërsa prokuroria pritet të konsultohet pasi Hanna të merret në pyetje. Ky i fundit kishte paguar së fundmi një garanci prej 1 milion dollarësh për lirimin e tij. Çështja i është referuar një gjyqtari tjetër për hetime të mëtejshme dhe vijimin e procedurave ligjore.
Në janar, guvernatori i ri i Bankës Qendrore, Karim Soueid, njoftoi se kishte paraqitur një kallëzim penal në Liban kundër Salameh dhe Hanna-s, pa i identifikuar atëherë me emër, për akuza që lidheshin me përvetësim fondesh, pasurim të paligjshëm dhe dyshime për pastrim parash.
Pas kësaj, Bank Audi njoftoi dorëheqjen e Hanna-s, pas më shumë se gjashtë dekadash shërbimi.
Banka Qendrore i kishte deklaruar AFP-së se ishte “viktimë e përvetësimit të fondeve në vlerën e disa qindra milionë eurove, të kryer në dëm të saj nga ish-guvernatori… me ndihmën e disa personave nga rrethi i tij”.
Salameh drejtoi Bankën Qendrore të Libanit nga viti 1993 deri në korrik 2023. Ai akuzohet se grumbulloi një pasuri të madhe gjatë kohës në detyrë dhe është përballur me një seri hetimesh brenda dhe jashtë Libanit për akuza që përfshijnë përvetësim fondesh dhe evazion fiskal.
Ish-guvernatori u arrestua në shtator 2024 dhe u akuzua për vepra që përfshinin edhe përvetësimin e pretenduar të 44 milionë dollarëve nga Banka Qendrore. Ai u lirua një vit më vonë, pasi pagoi një garanci rekord prej më shumë se 14 milionë dollarësh.
Salameh është gjithashtu objekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet franceze që prej majit 2023.
Ish-guvernatori, i cili ka edhe shtetësi franceze, i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat për shkelje ligjore. Ai ka këmbëngulur se po përdoret si “kokë turku” për krizën ekonomike të Libanit, e cila nisi në vitin 2019.






















