Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton “një sërë opsionesh” për marrjen e Groenlandës, përfshirë edhe përdorimin e forcës ushtarake, duke e cilësuar ishullin arktik si një prioritet të sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara.
Në një deklaratë për BBC, Shtëpia e Bardhë tha se “presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë opsione të ndryshme për arritjen e këtij qëllimi të rëndësishëm të politikës së jashtme” dhe se “përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit suprem”.
Deklarata erdhi vetëm pak orë pasi disa liderë europianë publikuan një qëndrim të përbashkët në mbështetje të Danimarkës, duke kundërshtuar ambiciet e Trump për Groenlandën, territor gjysmë-autonom që i përket Mbretërisë së Danimarkës dhe pjesë e NATO-s. Në deklaratën e përbashkët, liderët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Danimarkës theksuan se “Groenlanda i përket popullit të saj” dhe se vetëm Danimarka dhe Groenlanda mund të vendosin për marrëdhëniet mes tyre.
Liderët europianë nënvizuan se siguria në Arktik është një shqetësim i përbashkët edhe për Europën, por ajo duhet të garantohet “kolektivisht nga aleatët e NATO-s”, duke respektuar parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin dhe paprekshmërinë e kufijve.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e përshëndeti deklaratën dhe bëri thirrje për “dialog me respekt”, duke theksuar se statusi i Groenlandës është i mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin territorial.
Çështja e Groenlandës është rindezur pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë, ku forcat speciale arrestuan presidentin Nicolás Maduro dhe e transferuan në SHBA për t’u përballur me akuza për drogë dhe armë. Një ditë pas këtij operacioni, Katie Miller, bashkëshortja e një këshilltari të lartë të Trump, publikoi në rrjete sociale një hartë të Groenlandës të ngjyrosur me flamurin amerikan, të shoqëruar me fjalën “SË SHPEJTI”.
Ndërkohë, Stephen Miller, këshilltar i lartë i Trump, deklaroi se është “pozicioni formal i qeverisë amerikane që Groenlanda duhet të bëhet pjesë e SHBA-së”, duke shmangur çdo përjashtim të përdorimit të forcës. “Askush nuk do të luftojë me SHBA-në për të ardhmen e Groenlandës”, tha ai për CNN.
Sipas burimeve të Reuters, opsionet amerikane përfshijnë blerjen e drejtpërdrejtë të Groenlandës ose krijimin e një marrëveshjeje të tipit “Compact of Free Association”. Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se SHBA dëshiron të ndërtojë marrëdhënie ekonomike afatgjata që përfitojnë si amerikanët, ashtu edhe popullin e Groenlandës, duke theksuar shqetësimet për aktivitetin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Arktik.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka thënë ligjvënësve se administrata Trump nuk planifikon një pushtim të Groenlandës, por po shqyrton mundësinë e blerjes së saj nga Danimarka. Ndërkohë, Kopenhaga ka kërkuar takim urgjent me Rubion për të sqaruar atë që ministri i Jashtëm danez e quajti “keqkuptime serioze”.
Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që prej vitit 1979, ndërsa politika e jashtme dhe mbrojtja mbeten në kompetencë të Danimarkës. Edhe pse shumica e groenlandezëve mbështesin pavarësinë nga Danimarka, sondazhet tregojnë kundërshtim të fortë ndaj bashkimit me SHBA-në.
“Është frikësuese të dëgjosh liderin e botës së lirë të flasë për ne sikur jemi një territor për t’u marrë”, tha për BBC Morgan Angaju, një 27-vjeçar inuit nga Ilulissat. “Ne tashmë i përkasim popullit të Groenlandës. Kalaallit Nunaat do të thotë toka e popullit groenlandez”, shtoi ai, duke shprehur frikë për atë që mund të ndodhë më tej.






















