Sinjale të përziera po vijnë rreth negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se bisedimet mes dy vendeve pritet të rifillojnë në Pakistan, por tensionet në terren po e bëjnë të pasigurt zhvillimin e tyre.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, situata është përkeqësuar pasi forcat amerikane kapën një anije iraniane që dyshohet se kishte tentuar të kalonte ngushticën e Hormuzit. Pas këtij incidenti, Teherani ka reaguar me rezervë ndaj procesit diplomatik.
Televizioni Al Jazeera raportoi se Irani mund të mos marrë pjesë në takimin e planifikuar të negociatave, duke shtuar pasigurinë mbi vazhdimin e dialogut.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka mbajtur një ton shumë të ashpër. Në një deklaratë thuhet se Uashingtoni po ofron “një marrëveshje të drejtë”, por paralajmëroi se nëse ajo refuzohet, SHBA mund të ndërmarrë veprime shkatërruese ndaj infrastrukturës iraniane.
“Ne ofrojmë një marrëveshje të drejtë. Ta pranojnë, ose do të shkatërrojmë çdo central elektrik dhe çdo urë në Iran”, thuhet në deklaratë.
Zhvillimet e fundit tregojnë se përpjekjet për dialog mes dy vendeve mbeten të brishta, ndërsa tensionet në Gjirin Persik vazhdojnë të rriten.






















