Një polemikë ka shpërthyer në Washington pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, citoi një varg që e paraqiti si biblik gjatë një funksioni fetar në Pentagon, por që në fakt rezultoi të ishte një citim nga filmi Pulp Fiction i Quentin Tarantino.
Gjatë ceremonisë, Hegseth lexoi një tekst që tha se ishte frymëzuar nga vargu Ezekieli 25:17, duke e lidhur me një mision kërkim-shpëtimi të ushtrisë amerikane të quajtur “Sandy 1”, i zhvilluar në Iran. Megjithatë, pjesa më e madhe e citimit përputhej me monologun e famshëm të personazhit të interpretuar nga Samuel L. Jackson në filmin e vitit 1994 Pulp Fiction.
Vargu i vërtetë biblik është shumë më i shkurtër dhe nuk përmban frazat dramatike të përdorura në film. Versioni i cituar nga Hegseth është një variant i stilizuar që u bë i njohur pikërisht përmes filmit të Tarantinos.
Ngjarja u vu re fillimisht nga blogu “A Public Witness”, i specializuar në marrëdhënien mes fesë dhe politikës. Kontroversi u shtua edhe më shumë kur, gjatë një konference për shtyp po atë ditë, Hegseth sulmoi mediat duke i krahasuar me farisenjtë e Dhiatës së Re, duke i akuzuar se raportojnë për luftën kundër Iranit me një qëndrim negativ dhe paragjykues.
Deklaratat e tij kanë ndezur debat si për përdorimin e gabuar të referencës fetare, ashtu edhe për tonin e ashpër ndaj shtypit.
Në rrjetet sociale dhe në media, episodi është interpretuar si një përzierje e papërshtatshme mes kulturës pop dhe referencave fetare në një ceremoni zyrtare të Pentagonit.






















