
Europa po përballet me vështirësi të konsiderueshme në furnizimin me karburant për avionë, si pasojë e rënies së ndjeshme të importeve nga Lindja e Mesme, të shkaktuara nga tensionet në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas një paralajmërimi të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), në raportin e saj mujor, importet e karburantit ajror nga Lindja e Mesme drejt Europës kanë rënë nga 330 mijë fuçi në ditë në mars, në vetëm 60 mijë fuçi në ditë gjatë prillit.
Raporti thekson se përshkallëzimi i konfliktit me Iranin dhe bllokimi praktik i Ngushticës së Hormuzit kanë kufizuar ndjeshëm furnizimet nga rajoni i Gjirit Persik.
IEA vlerëson se Europa duhet të zëvendësojë rreth 80% deri në 90% të sasive të humbura për të shmangur mungesa të mundshme gjatë sezonit veror. Megjithatë, importet neto të karburantit për avionë në Europë gjatë prillit arritën vetëm në 70% të niveleve të marsit.
Ndërkohë, Europa ka rritur importet nga Shtetet e Bashkuara dhe Nigeria, por këto shtesa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kompensuar rënien nga Lindja e Mesme. Sipas të dhënave, furnizimet nga këto burime arritën në 221 mijë fuçi në ditë gjatë prillit.
“Rezervat europiane po bien me ritme të shpejta, ndërsa furnizimet nga Lindja e Mesme mbeten kryesisht të kufizuara”, thuhet në raport.
Agjencia paralajmëron se, pa një zgjidhje të shpejtë të situatës në Ngushticën e Hormuzit, tregu i karburantit do të ketë nevojë për kohë që të stabilizohet.






















