Politika 18 Qershor 2025, 16:17 Nga VNA

BE kërkon “reforma tërësore” për median në Shqipëri

Ndaje në Whatsapp
BE kërkon “reforma tërësore” për median në

Një dokument jozyrtar i Këshillit të Bashkimit Evropian, i rrjedhur në media, nënvizon se nga Shqipëria “pritet reformë tërësore” sa i përket sektorit të medias, ndërsa thekson se pa realizuar këtë dhe reforma të tjera themelore, asnjë nga kapitujt e hapur në negociata “nuk mund të mbyllet”.

Lajmet për hapjen e kapitujve të negociatave kanë qenë të shumëreklamuara nga qeveria gjatë muajve të fundit, nën premtimin e integrimit të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por një dokument jozyrtar i sekretariatit të Këshillit të Bashkimit Evropian, institucionit që merr vendime në lidhje me procesin negociues dhe anëtarësues, thekson se vendi ka nevojë për reforma të konsiderueshme në një grumbull çështjes të konsideruara si “themeloret”, ku përfshihen funksionimi i shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut.

Lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar janë tema të rrahura shpesh, por një temë jo aq e rrahur që bën pjesë në çështjet “themelore”, është media, ku dokumenti i parë nga BIRN thekson se nga Shqipëria “pritet reformë tërësore”.

Çështja e medias pritet gjithashtu të marrë rëndësi të veçantë në negociata pas publikimit më vonë këtë vit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e vitit 2025, ku, risia duket se qëndron në konkluzionin e prerë që media në Shqipëri është e njëanshme dhe nën ndikimin e thellë të qeverisë.

“Në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, Shqipëria ende pritet të miratojë një reformë tërësore të kuadrit ligjor dhe rregullator,” thuhet në dokumentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, “në veçanti për fuqizimin e pavarësisë dhe efikasitetit të Autoritetit të Medias Audiovizive dhe të pavarësisë së transmetuesit publik, të cilat mbeten çështje shqetësuese,” shtohet në dokument.

Reformat e kërkuara nga BE janë të gjithanshme. Fillimisht kërkohen ndryshime ligjore “për të trajtuar shqetësimin e përqendrimit të lartë në tregun e medias”, një çështje për të cilën deri më sot qeveria nuk ka shprehur vullnet politik për ta trajtuar.

Aktualisht në Shqipëri dy televizionet kryesore, Klan dhe Top Channel, kontrollojnë 64% të tregut sipas të ardhurave, ndërsa katër televizionet e mëdha, pra Klan, Top Channel, Media Vizion dhe A2 CNN kontrollojnë 79.1% të tregut. Dokumenti i BE-së nuk hyn në detaje për të shpjeguar se çfarë ndryshimesh konkrete mund të ndërmerren për të ulur shkallën e përqendrimit në media, por kërkon ndryshime “për të përforcuar pavarësinë editoriale”, për të “forcuar transparencën e financimit dhe pronësisë së medias” si dhe “për të vendosur rregulla për ndarjen e reklamave shtetërore dhe burimeve të tjera shtetërore”.

Veçanërisht në pikën e fundit, qeveria aktuale vepron në bazë të disa rregullave të miratuara nga qeveria “Berisha” në vitin 2008, të cilat lejojnë institucionet publike të japin reklama pa pasur nevojë të bëjnë garë apo transparencë se sa reklama dhanë e për çfarë arsyesh i dhanë. Kjo bën që shpesh qytetarët të shohin në televizor materiale që prezantohen si lajme apo si emisione, ndërkohë që në fakt janë propagandë e paguar nga paratë e taksapaguesve.

Një ndryshim tjetër ligjor i kërkuar është “dekriminalizimi i shpifjes”, një masë që normalisht nuk kërkon shumë mund nga ana e qeverisë përveçse nisjen e një procesi për heqjen e shpifjes dhe fyerjes nga Kodi Penal. Ndonëse dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes është një kërkesë e hershme e Bashkimit Evropian dhe një rekomandim i përsëritur i raporteve për zgjedhjet nga OSBE/ODIHR, qeveria aktuale nuk ka shprehur vullnet politik për ta ndërmarrë këtë ndryshim.

BE kërkon që gjithsesi çdo ndryshim në lidhje me median do të duhet që të kryhet përmes një procesi të gjerë konsultues me aktorët vendës por edhe me Komisionin e Venecias.

“Ekzekutivi duhet të sigurohet për pjesëmarrje të fortë dhe angazhim në proces,” thuhet në raport. “Amendimet ligjore priret të ndahen me Komisionin e Venecias para miratimit”.

Dokumenti informal i Këshillit të Bashkimit Evropian i rrjedhur në media ngriti gjithashtu shqetësimin në lidhje me sulmet e ndërmarra nga qeveria kundër sistemit të drejtësisë pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa duket se hedh ujë të ftohtë mbi pritshmëritë për integrim të shpejtë duke theksuar se, pavarësisht hapjes së kapitujve për negociata për anëtarësim, “progresi në grupin e çështjeve “Themelore” do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave”.

“Siç është parashikuar në Kuadrin Negociues, asnjë kapitull nuk mund të mbyllet para se Shqipëria të arrijë këtë objektiv,” theksohet në dokument./BIRN/

 

Video

Këto janë momentet e arrestimit të një 45-vjeçari pasi sulmoi dy burra hebrenj me thikë në zonën Golders Green, një lagje me komunitet të madh hebre në veri të Londrës. Sipas autoriteteve, sulmi po trajtohet si një akt terrorist dhe hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit. Të plagosurit, të moshave 76 dhe 34 vjeç u dërguan në spital, ku raportohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme. Dëshmitarët thanë se autori ishte parë duke vrapuar në rrugë me thikë dhe duke synuar persona të identifikueshëm si hebrenj. Ai u neutralizua nga policia me Taser dhe më pas u arrestua nën dyshimin për tentativë vrasjeje. Policia Metropolitane deklaroi se i dyshuari kishte edhe një histori të mëparshme dhune dhe probleme të shëndetit mendor. Kryeministri britanik Keir Starmer e dënoi sulmin duke e cilësuar si “plotësisht të tmerrshëm”, ndërsa liderët hebrenj kërkuan masa më të forta sigurie për komunitetin.

Kjo video nga darka zyrtare në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe Mbretin Charles III po bëhet virale në rrjet. Shkak është një moment i sikletshëm gjatë fotos zyrtare, ku Melania duket se i heq dorën Trump, duke nxitur reagime të shumta dhe diskutime për gjuhën e trupit dhe marrëdhënien mes çiftit presidencial.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Orikum–Vlorë pranë fshatit Tragjas. Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen, i drejtuar nga shtetasi Vladimir Gaba, ka përplasur një tufë me bagëti të imta (dhi) si dhe çobanin, shtetasin Andi Demiraj, rreth 35 vjeç, i cili ndodhej në fund të kopesë. Si pasojë e përplasjes, Demiraj ka pësuar traumë dhe është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në aksin Tepelenë Krahës, në afërsi të fshatit Iliras. Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin teksa qarkullonin në anë të kundërt. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona, të cilët janë transportuar në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Iliras”, automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë, të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Gjirokastër, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit“- njofton policia.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme